[email protected]
Lavrov pretendon se masakrat në Ukrainë janë inskenuar, njëjtë sikur ajo e Reçakut në Kosovë
shape
shape
shape

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka pretenduar se masakrat ruse ndaj popullatës civile në qytetet ukrainase si Bucha, Mariupol, Kramatorsk apo Kremenchuk, janë inskenim i pushtetit në Ukrainë dhe aleatëve të tyre perëndimor.

Këtë pretendim, Lavrov e ka bërë në një deklaratë për mediumin rus “Isvestia”. Ai ka shkuar më tej duke pretenduar se inskenime të tilla nga perëndimorët janë bërë edhe vite më parë, duke e përmendur masakrën e Reçakut, në janar të vitit 1999.

Këtë deklaratë e kanë përcjell nga disa media në gjuhën serbe. Hibrid.info ka arritur të gjejë këtë deklaratë të Lavrov vetëm të përkthyer nga mediat serbe, pasi që ato ruse nuk janë të qasshme për përdoruesit e internetit në Kosovë (shih arsyen këtu).

Pjesë të pohimit të Sergey Lavrov, nga transmetimi i mediumit serb Nova.rs, të përkthyera në shqip:

T: Lavrov krahasoi Kosovën dhe Buçën, foli për “kufoma të veshura si civilë”

Duke humbur në fushën e betejës, regjimi ukrainas dhe patronët e tij perëndimorë nuk u shmangen inskenimeve të përgjakshme për të demonizuar vendin tonë në opinionin publik ndërkombëtar. Bucha, Marijupolj, Kramatorsk, Kremenchug tashmë kanë ndodhur.

Lavrov përmend si shembullin e parë provincën serbe të Kosovës dhe Metohisë dhe fshatin Raçak në vitin 1999. Një grup inspektorësh të OSBE-së mbërrin në vendin e zbulimit të disa dhjetëra kufomave të veshur si civilë. Kreu i misionit menjëherë, pa asnjë hetim, bën të ditur se bëhet fjalë për gjenocid, megjithëse nuk është mandati i një zyrtari ndërkombëtar të bëjë konkluzione të tilla.


Përveç “Nova.rs”, artikulli është publikuar edhe në “Alo.rs” dhe në disa media tjera serbe.

Por, kryediplomati rus rezulton se pretendimin e ka të pabazuar dhe të pavërtetë. Fillimisht të pabazuar sepse nuk jep argumente për atë që e thotë se ka pasur inskenime për masakrat e fundit në Ukrainë dhe atë të Reçakut në Kosovë, që sipas tij janë “veshur të vrarët me rroba të civilëve”.

Pra, për këtë pretendim, Lavrov nuk jep asnjë fakt që e argumenton këtë atë. Ai këtë e kishte thënë edhe muaj më parë (3 prill), duke e mohuar masakrën e Bucha-s (këtu). Por i njëjti pretendim është hedhur poshtë nga pamjet satelitore, të cilat dëshmojnë se trupat të vrarë janë parë në rrugët e Bucha-s edhe para tërheqjes së trupave ruse, për ta demantuar Lavrov-in dhe Kremlinin zyrtar se ata janë vendosur pas, duke i quajtur si inskenim të ukrainasve (shih këtu).


Edhe për mohimin e masakrës së Reçakut të bërë më 15 janar 1999, Lavrov nuk ka paraqitur ndonjë fakt. Pretendime të njëjta me atë, kanë bërë edhe zyrtarë të lartë të Serbisë, të cilët e kanë quajtur masakrën e Reçakut si inskenim dhe trillim. Ka qenë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili kishte pretenduar pa fakte se kjo masakër e bërë gjatë luftës në Kosovë është “një gënjeshtër e madhe”, por pa e faktuar këtë (shih këtu).

Por të njëjtat i kanë përgënjeshtruar faktori ndërkombëtarë (këtu), të cilët kanë qenë pjesëmarrës të misioneve gjatë luftës në Kosovë, duke e dënuar këtë mohim të ministrit serb.

Argumentimin e kryerjes së masakrës së Reçak-ut nga forcat serbe e kanë bërë shumë organizata botërore për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre edhe më kredibilija “Human Rights Watch” (HRW).  


Analiza:

Ministri i Jashtë i Rusisë, Sergey Lavrov, ka pretenduar pa fakte se masakrat në qytete të Ukrainës, nuk janë bërë nga ushtria e vendit të tij por, sipas tij, ato janë vetëm inskenime të vetë ukrainasëve.

Ai ka përmendur gjithashtu në të njëjtin kontekst edhe masakrën e Reçakut, si një shembull për inskenime të tilla.

Përveç që nuk ofron asnjë fakt, pretendimet e Lavrov janë hedhur poshtë me fakte e argumente nga media dhe organizata kredibile ndërkombëtare.

Pretendimet e Lavrov-it dhe Vulinit, bazur në kontroll të fakteve dhe analizës së kryer, vlerësohen si “Manipulim i Fakteve” dhe “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others