Shkroi: Festim Rizanaj
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq ka konfirmuar më 12 mars se Serbia ka blerë nga Kina raketa balistike supersonike të tipit CM-400. Në një deklaratë për Radio-televizionin e Serbisë, ai theksoi se vendi tashmë disponon një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe se pritet të ketë edhe më shumë në të ardhmen. Sipas tij, Ushtria e Serbisë ka realizuar me sukses integrimin e raketave kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29 që janë pjesë e arsenalit të saj.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi më 13 mars se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me raketat që Serbia ka blerë nga Kina.
“Një armë e tillë nuk është parë më parë në territorin evropian. I kam shkruar Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte për këtë çështje”, u shpreh Plenkoviq të premten në Zagreb, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për armatimin e ri të Ushtrisë së Serbisë, përkatësisht për raketën balistike hipersonike kineze.
Duke reaguar ndaj deklaratës së Andrej Plenkoviqit, Vuçiq u shpreh se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”. Ai shtoi se Serbia “po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë që, sipas tij, po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.
“Ne nuk mund të sulmojmë vendet e NATO, ndërsa Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të saj. As nuk kemi dëshirë t’i sulmojmë. Por mendoj se ky është qëllimi i tyre i vetëm – ata vetëm po presin momentin. Serbia ka mjaftueshëm fuqi parandaluese për dy shtete dhe një entitet”, deklaroi Vuçiq.
Në të njëjtën datë (13 mars) reagoi edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili deklaroi se pretendimet e autoriteteve serbe për armatosje në funksion të mbrojtjes nga vendet fqinje janë të pabazuara dhe se, përmes blerjes së armëve kineze, Serbia po shfaq tendenca hegjemone ndaj tyre.
Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci theksoi se Serbia prej disa vitesh furnizohet me armë nga Rusia dhe Kina, duke shtuar se “kjo nuk lidhet me ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj Serbisë”.
“Asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur në asnjë rast ndonjë qëllim agresiv apo sulmues ndaj saj”, deklaroi ai, duke shtuar se është pikërisht Serbia ajo që shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Pretendimet nga zyrtarët dhe mediat serbe për marrëveshjen ushtarake trepalëshe
Zyrtarët serbë e kanë portretizuar këtë marrëveshje ekskluzivisht si një akt armiqësie. Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, theksoi se ky bashkëpunim është i motivuar nga “qëllime të këqija”, duke e quajtur atë një “shprehje të hapur të armiqësisë ndaj Serbisë” dhe deklaroi se Serbia është “cak i qartë i këtij pakti trepalësh”. Në të njëjtën linjë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, pretendoi se marrëveshja mund të jetë e drejtuar “vetëm kundër popullit serb në përgjithësi, përfshirë Republikën Sërpska dhe shtetin e Serbisë”. (këtu)
Kjo retorikë u përforcua ashpër nga mediat serbe dhe ruse. Për shembull, gazetat si “Politika” dhe “Republika” e vendosën marrëveshjen në ballinat e tyre duke përdorur terma alarmantë si “Patkua ushtarak rreth Serbisë” dhe “Pakt trilateral kundër Serbisë”. E përditshmja “Novosti” e quajti marrëveshjen drejtpërdrejt “një kërcënim për të gjithë serbët”, ndërsa mediumi rus në gjuhën serbe, “Sputnik”, shkoi më tej duke e interpretuar marrëveshjen si vazhdimësi të një plani të vjetër të NATO-s për të destabilizuar dhe pushtuar këtë hapësirë. (këtu)
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, pretendoi me shqetësim se thelbi i kësaj marrëveshjeje nuk ishte bashkëpunimi ushtarako-teknik apo blerja e armëve, por se e njëjta u krijua specifikisht “për veprime mbrojtëse ose ofensive kundër territoreve të caktuara”. (këtu) Ai ngriti pyetje retorike se pse Shqipëria dhe Kroacia, si anëtare të NATO-s, kanë nevojë për aleancë ushtarake me Kosovën, duke lënë të kuptohet se marrëveshja fsheh qëllime sulmuese. Edhe Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e quajti një veprim provokues që minon sigurinë. (këtu)
Përkrah zyrtarëve, analistët serbë të sigurisë ndërtuan po të njëjtën narrativë luftënxitëse. Profesori dhe sociologu serb në pension, Ilija Kajtez pretendoi se motivi thelbësor i këtij pakti është “urrejtja dhe përgatitja për konflikt me Serbinë”, duke e krahasuar me strategjitë historike anti-serbe të luftërave botërore. Ndërsa koloneli në pension, Ljuban Karan, pretendoi se ky pakt përgatit një “zgjidhje ushtarake” në Ballkan. (këtu)
Një nga narrativat më të rrezikshme të shpërndara në Serbi ishte pretendimi se marrëveshja synon spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. Danijela Nikoliq, kryetare e Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi, pretendoi se dokumenti jo vetëm që është një provokim serioz për sigurinë, por gjithashtu forcon në mënyrë të drejtpërdrejtë “nismat e Prishtinës për spastrimin etnik të serbëve në Kosovë”. (këtu) Kjo linjë u pasqyrua masivisht nga portale si “Kurir.rs”, i cili shkruante se marrëveshja është një “modus i ri për dëbimin e serbëve nga Kosova”, duke nxitur madje thirrje që shteti serb të përgatisë një reagim urgjent dhe të ashpër ndaj këtyre zhvillimeve. (këtu)
Në mungesë të një lufte reale, u zhvillua narrativa se gjithçka po bëhet thjesht si shantazh gjeopolitik. Demo Berisha, ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë, pretendoi se duke qenë se të gjitha shtetet përreth janë në NATO dhe KFOR-i operon në Kosovë, nuk ekziston “asnjë nevojë objektive për një aleancë të tillë”. (këtu) Ai theksoi se nuk ka asnjë palë të tretë si objektiv, por e gjithë nisma është ngritur për një qëllim të vetëm: si mjet për t’i bërë presion të vazhdueshëm politik Serbisë. Madje, Ministria e Jashtme serbe i konsideroi autoritetet në Kosovë “jolegjitime” për marrëveshje të tilla dhe njoftoi se do t’u dërgonte kërkesa urgjente Shqipërisë dhe Kroacisë për t’u kërkuar shpjegime. (këtu, këtu)
Çka thanë NATO dhe KFOR-i për këtë marrëveshje?
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, tha se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes të dy shteteve të aleancës me Kosovën.
“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe të çmuara brenda aleancës. Ato janë edhe kontribuuese për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato kanë prani në KFOR, por në përgjithësi janë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, tha Shekerinska për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.
Numri dy i NATO-s shtoi se Aleanca Veriatlantike nuk merr pjesë në diskutime apo konsultime për deklaratën e në shkruar nga tri vendet, por shtoi se anëtarësimi në aleancë nuk i parandalon shtetet që të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.
“Çfarë shohim në përgjithësi është, sigurisht, situata gjeopolitike globale po ashtu ka ndikuar në rajon. Ju shihni më shumë stërvitje, më shumë investime në mbrojtje dhe siguri, por ne po ashtu u bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve të angazhohen në dialog politik për të zgjidhur çështjet e hapura në rajon. Prania jonë në Ballkanin Perëndimor synon mbështetjen e këtij lloji të dialogut politik”, tha Shekerinska (këtu).
Komandanti i KFOR-it, gjenerali turk Ozkan Ulutash, duke folur për marrëveshjen trepalëshe, Kosovë-Shqipëri-Kroaci, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “FoNet”, tha se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) filloi në vitin 2014 dhe ka mbështetjen e disa vendeve, në baza dypalëshe.
“Anëtarësimi në NATO nuk i pengon anëtarët e aleancës të zbatojnë marrëveshje shtesë bashkëpunimi, përfshirë stërvitjet ushtarake”, deklaroi Ulutash dhe tha se mirëpret mbështetjen e Shqipërisë dhe Kroacisë për misionin KFOR (këtu).
Cila është e vërteta e kësaj marrëveshjeje?
Analiza e vetë tekstit të Deklaratës së Përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, përgënjeshtron çdo pretendim për “pakt sulmues”. Në asnjë rresht të këtij dokumenti nuk përmendet shteti i Serbisë, populli serb apo ndonjë synim për ofensive territoriale ndaj kujtdo. Përkundrazi, marrëveshja ka një karakter thelbësisht mbrojtës dhe standardizues, e bazuar në 4 shtylla kryesore: (këtu)
- Nxitja e kapaciteteve mbrojtëse: Modernizimi i ushtrive përkatëse për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sigurisë.
- Rritja e ndërveprueshmërisë: Organizimi i stërvitjeve dhe edukimit të përbashkët ushtarak, në mënyrë që ushtria e Kosovës të mësojë nga përvoja e dy shteteve që tashmë janë anëtare të NATO-s.
- Luftimi i kërcënimeve hibride: Bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes nga dezinformimi, një sfidë globale për të gjitha shtetet demokratike.
- Mbështetja për integrimin euroatlantik: Ndihma e drejtpërdrejtë nga Tirana dhe Zagrebi për të përshpejtuar rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Përtej aspekteve politike, thelbi i këtij bashkëpunimi është tejet praktik dhe logjistik. Blerja e teknologjisë ushtarake dhe armatimeve moderne është një proces i kushtueshëm dhe i gjatë. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka sqaruar se ky “pakt” është në fakt një mekanizëm për të lehtësuar blerjet shtetërore. (këtu) Ai tha se duke u bërë bashkë, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia mund të bëjnë porosi të përbashkëta për armatim, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Sipas marrëveshjes, kjo qasje blloku u mundëson këtyre vendeve të negociojnë çmime më të favorshme, të ulin ndjeshëm kostot financiare për buxhetet e tyre respektive dhe të shkurtojnë kohën e pritjes për dorëzimin e armatimeve. Gjithashtu, marrëveshja siguron që të tria ushtritë të kenë pajisje të standardizuara (sisteme të njëjta), gjë që është kërkesë bazë e NATO-s. (këtu, këtu)
Argumenti më i fortë që rrëzon narrativën e “aleancës anti-serbe” është vetë qasja e hapur e kësaj nisme. Për të dëshmuar transparencë të plotë dhe për të treguar se qëllimi i vetëm është stabiliteti i Ballkanit, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi publikisht se nisma nuk e përjashton askënd. Ai madje tha t’i ketë bërë edhe ftesë Serbisë që të ulet në tryezë dhe t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje trepalëshe. (këtu)
Megjithatë, Beogradi zyrtar zgjodhi të heshtë dhe të injorojë plotësisht këtë ftesë, dhe t’i vazhdojë narrativat e veta. (këtu)
Në përfundim, analizat e fakteve tregojnë se reagimet serbe janë thjesht një riaktivizim i një narrative të pabazë. Qëllimi i marrëveshjes Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk është lufta apo sulmi, por standardizimi, modernizimi logjistik i përbashkët dhe përafrimi i ushtrisë së Kosovës me standardet e mbrojtjes të NATO-s.
Çka janë në të vërtetë raketat kineze CM-400 të blera nga Serbia?
Serbia shtoi në arsenal një armë të re me fuqi të madhe shkatërruese dhe shpejtësi supersonike. Javën e kaluar, presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, konfirmoi blerjen e raketave balistike kineze CM-400, duke e bërë Serbinë vendin e parë në Evropë që i zotëron ato.
Se çka janë këto armë dhe çfarë kapaciteti kanë, mësojeni në përmbajtjen e realizuar nga Radio Evropa e Lirë (këtu).