Portal i dyshimtë “gazeta-aktive.info” ka publikuar një artikull me titull “Mbi 3 Mijë Qytetar Të Kosovës Morën Pasaport Te Shkijeve Këtë Vit, Si E Komentoni?”.
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që titulli i artikullit të mos korrespondojë me përmbajtjen e tekstit.
Në tekstin e artikullit të “gazeta-aktive.info” nuk gjendet askund shifra prej 3 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë marrë pasaportë serbe që në këtë artikull zëvendësohet me termin pezhorativ “shkije”, siç pretendohet në titull.
Teksti i artikullit të publikuar në “gazeta-aktive.info”:
Mbi 3 Mijë Qytetar Të Kosovës Morën Pasaport Te Shkijeve Këtë Vit, Si E Komentoni?
Përgjatë çdo viti shumë qytetarë zgjedhin që të bëhen shtetas të Kosovës, duke ndjekur disa procedura të cilat shpesh herë dinë të jenë edhe të mundimshme. Por ka edhe prej atyre të cilët për arsye të shumta heqin dorë nga shtetësia. Gjatë vitit që po lëmë pas, apo saktësisht përgjatë 10 muajve të vitit 2020, janë gjithsej 139 persona të cilët kanë fituar shtetësinë e Kosovës.
Vegëza e artikullit të publikuar në “gazeta-aktive.info”:
Edhe në artikullin autentik të publikuar me datë 16 nëntor në “lajmi.net” nuk thuhet se 3 mijë qytetarë të Kosovës kanë marrë pasaportë serbre, por vetëm bëhet e ditur se kanë hequr dorë nga pasaporta kosovare.
Kjo gjë është bërë e ditur në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhënë për Lajmi.net.
“Gjatë periudhës 01.01.2020-31.10.2020 kanë fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës 139 persona. Gjatë periudhës 01.01.2020-31.10.2020 janë liruar nga shtetësia e Kosovës 2995 persona”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Analiza:
Portali i dyshimtë “gazeta-aktive.info” ka përdorur një lajm të vjetër të datës 16 nëntor, të cilin e ka publikuar me 8 mars me pretendimin që ta paraqesë atë si aktual, duke i vendosur titull të rremë. Pas analizës së kontrollit të fakteve nga hibrid.info, del që ky artikull kategorizohet si “dezinformatë” dhe “clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.
Vlerësimin si “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.