[email protected]
Behgjet Pacolli nuk është në pistën e hetimeve për vrasjen e fundit të gruas në Prishtinë
shape
shape
shape

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Edhe Behgjet Pacolli në pistën e hetimit për rastin makabër të vrasjes së Liridona Ademajt”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është nxjerrë nga një opinion, por pa e bërë të qartë këtë fakt.

Titulli lë të kuptohet se kanë filluar hetimet ndaj ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli në lidhje më rastin e fundit të vrasjes së gruas në Prishtinë. Mirëpo, në përmbajtjte bëhet e ditur se ky është një opinion i analistit Gani Qarri.

“Kosova-sot.info” nuk ka qartësuar në titull e as në fotografi se ky është një opinion, duke u munduar ta paraqesë atë si lajm, ndërsa opinioni është mendim individual dhe jo gjithmonë është një fakt i kryer.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova.sot-info”:

https://www.kosova-sot.info/opinione/698548/edhe-behgjet-pacolli-ne-pisten-e-hetimit-per-rastin-makaber-te-vrasjes-se-liridona-ademajt/?fbclid=IwAR247yBTfS-hF7B3B2QT_ie4C5YYDNaT_RJqAAIzvGdkBrI7zS2xUUKf9Z8


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info:

Shkruan: ANALISTI – Gani Qarri

Ndërkohë, i arrestuari i tretë, Kushtrim Kokalla, sipas raportimeve, ka mohuar të ketë lidhje me rastin, por duke qenë se u vërtetua që Murseli ishte krahu i djathtë e Behgjet Pacollit në rrugëtimin e tij, në politikë por edhe në biznes tash e plotë 5 vite me radhë, për të sqaruar plotësisht dyshimet e thella të këtij rasti kaq misterioz kriminal, hetimet duhet zgjeruar dhe përfshirë në procesin e hetimit edhe vetë shefin e deridjeshëm të Naim Murselit dhe kreun e AKR-s Behgjet Pacollin, qoftë ai edhe fare i pafajshëm, vetëm për lidhjet e tyre afatgjata. Kjo edhe për faktin se tanimë Murseli në Kosovë, është bërë edhe publikisht i njohur si ish-këshilltari kryesor i Behgjet Pacollit dhe pjesë me rëndësi e stafit të kreut të të ashtuquajturës “Aleanca Kosova e Re”.


Analiza:

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një opinion të analistit Gani Qarri, ndërsa në titullin e vendosur e ka paraqitur atë si lajm, duke pretenduar se kanë filluar hetimet ndaj ish-presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli në lidhje me rastin e fundit të vrasjes së gruas në Prishtinë.

Duke marrë parasysh se Behgjet Pacolli është një figurë e njohur për qytetarët e vendit dhe se kishte një pozitë të lartë zyrtare, titulli vërehet qartë se është bërë në atë mënyrë që të nxisë lexuesit të klikojnë artikullin, përmbajtja e së cilit paraqitet të jetë ndryshe. Për këtë arsye, ky artikull vlerësohet si Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others