Të fundit | Haziri nuk ka folur për koalicion LDK-VV Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026
[ ARTIKULLI ]

Bocan-Kharçenko pretendon pa fakte për “spastrim etnik” të serbëve në Kosovë

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti, ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharçenko, ka bërë një sërë pretendimesh të pa mbështetura në fakte ndaj autoriteteve të Kosovës dhe situatës së serbëve në vend.

Deklaratat e tij janë shpërndarë përmes kanaleve të ndryshme mediatike, ku pjesët për Kosovën nga kjo intervistë u publikuan dhe u transmetuan nga RT Balkan dhe Sputnik Serbia, duke u pasqyruar më pas edhe në media në Serbi. (këtu, këtu)

Akuzat për “spastrim etnik të heshtur”

Diplomati rus pretendoi se qeveria në Prishtinë po zbaton një strategji të “spastrimit etnik të heshtur” ndaj popullatës serbe. Sipas tij, masat administrative dhe prania e forcave policore në veri kanë për qëllim dëbimin e serbëve.

“Në fakt, bëhet fjalë – për këtë mund të flitet lirisht – për një spastrim etnik gradual e të pashpallur. Me fjalë të tjera, për dëbimin e serbëve nga territori i Kosovës dhe Metohisë dhe krijimin e kushteve të pajetueshme të jetesës për ta. E gjithë kjo po bëhet, nuk do të kujtojmë tani se çfarë nënkuptohet me këtë, por ky pushtim i veriut të Kosovës dhe Metohisë nga ana e Prishtinës ka ndodhur, po ndodh dhe, mjerisht, duhet të nisemi nga supozimi se do të vazhdojë”, tha shefi i përfaqësisë diplomatike ruse në Beograd.

Megjithëse situata në veri mbetet e brishtë, raportet e fundit nga EULEX dhe Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) nuk përmendin asnjë tregues të spastrimit etnik.

Misionet diplomatike ndërkombëtare në Kosovë, por edhe institucionet e BE-së, veprimet e institucioneve të vendit për shtrirje të sovranitetit në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, i kanë kritikuar për mos koordinim me ta, por nuk kanë thënë se veprime të tilla çojnë në spastrim etnik të ndonjë komuniteti. 

Më 15 janar 2025, Policia e Kosovës realizoi një operacion për mbylljen e disa komunave paralele të Serbisë, si dhe zyrave postare e tatimore në dhjetë komuna në jug të lumit Ibër. Sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, qëllimi ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” që operonin jashtë sistemit kushtetues të Kosovës.

Reagimi ndërkombëtar ndaj këtij veprimi ishte i menjëhershëm, por asnjëra prej tyre nuk e mbështet narrativën ruse për “spastrim etnik”.

Ambasada amerikane në Prishtinë e cilësoi aksionin si të pakoordinuar duke theksuar se ai “minon aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar me komunitetin euroatlantik”.

Zyrtarë të BE-së kërkuan që çështja e strukturave paralele të zgjidhet brenda Dialogut të Brukselit, duke shmangur veprimet e njëanshme.

Ish-ambasadori gjerman Jorn Rohde dhe diplomacia franceze theksuan se, ndonëse pajtohen që strukturat paralele nuk duhet të funksionojnë, rruga drejt mbylljes së tyre duhet të jetë gjithëpërfshirëse për të mbrojtur jetën e përditshme të serbëve.

Ish-shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, shprehu shqetësim për ndikimin e mbylljes së institucioneve në jetën e individëve, por bëri thirrje për zgjidhje konstruktive përmes dialogut, jo përmes akuzave për krime etnike.

Reagimet ndërkombëtare, përfshirë ato të ShBA-së dhe BE-së, ndonëse kritike ndaj metodave të Prishtinës, nuk i mbështesin pretendimet e Rusisë. Në bazë të fakteve të ofruara, në asnjë rast nuk mund të bëhet fjalë për një spastrim etnik të komunitetit serb në Kosovë.

Aksione të tilla ka pasur edhe para këtij të 15 janarit. Madje, nuk ka asnjë të dhënë për rënie të numrit të serbëve të Kosovës, kjo edhe për shkak se shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua nga 5 prilli deri më 24 maj, 2024.

Përballë pretendimeve për dëbim, faktet tregojnë se serbët dhe pakicat tjera në Kosovë gëzojnë të drejta të konsiderueshme. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Neni 64), Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, nga të cilët 20 vende janë të rezervuara për komunitetet jo-shumicë. Prej tyre, 10 vende i takojnë ekskluzivisht komunitetit serb, duke u garantuar atyre pjesëmarrje direkte në pushtetin legjislativ, pavarësisht përqindjes së popullsisë.

Kjo shtrirje institucionale konfirmohet edhe në nivel lokal, ku në vitin 2025 kryetarë etnikisht serbë morën detyrën në 10 komuna të Kosovës.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Këshilli i Evropës konfirmojnë ekzistencën e një kornize të fortë ligjore për mbrojtjen e pakicave.

Skepticizmi rus ndaj BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Një pikë qendrore e intervistës së ambasadorit rus në Beograd ishte sulmi ndaj rolit të Brukselit. Bocan-Kharçenko e cilësoi dialogun e lehtësuar nga BE-ja si “të vdekur klinikisht”, duke argumentuar se zyrtarët evropianë mbajnë anën e Kosovës. Ai insistoi që zgjidhja duhet të kërkohet ekskluzivisht brenda kornizës së Rezolutës 1244 të OKB-së, ku Rusia gëzon të drejtën e vetos.

Kjo ndodh sepse pala që ka njohur pavarësinë e Kosovës së vetëshpallur, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk mund të jetë ndërmjetës në normalizim, një ndërmjetës i ndershëm — siç u pëlqen atyre të thonë — midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Bocan-Harçenko.

Pavarësisht pretendimeve të Moskës se shtetësia e Kosovës shkel normat ndërkombëtare, opinioni Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) i vitit 2010 konfirmoi qartë se Shpallja e Pavarësisë nuk ka rënë ndesh me të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare apo me Rezolutën 1244 të OKB-së, pasi kjo e fundit nuk e ndalonte aktin e shpalljes së statusit final. Për më tepër, roli i Bashkimit Evropian si ndërmjetës nuk është një “uzurpim” siç pretendon Bocan-Kharçenko, por një mandat legjitim i dhënë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përmes Rezolutës 64/298, e cila e njohu BE-në si lehtësuese të dialogut për paqe dhe stabilitet. Ky mandat forcohet nga fakti se BE-ja ruan një qëndrim zyrtar “status-neutral” në procesin e bisedimeve, pikërisht sepse pesë shtete anëtare (Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania) ende nuk e njohin Kosovën, duke e bërë formatin e Brukselit një forum ku përfaqësohen të gjitha ndjeshmëritë politike, ndryshe nga insistimi rus për bllokim përmes vetos në Këshillin e Sigurimit.


Analiza:

Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharçenko, pretendon se në Kosovë po ndodh një “spastrim etnik i heshtur” ndaj serbëve dhe se Bashkimi Evropian ka dështuar si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar rikthimin e procesit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kushtetuta e Kosovës (Neni 64) garanton 10 vende të rezervuara për serbët në Kuvend, ndërsa institucionet ndërkombëtare si EULEX, UNMIK dhe KFOR nuk raportojnë për asnjë fushatë dëbimi.

Faktet juridike konfirmojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka deklaruar shpalljen e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa mandati i BE-së si ndërmjetës i dialogut ndërmjet dy shteteve buron nga një rezolutë legjitime e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Si rrjedhojë, bazuar në metodologjinë e punës së hibrid.info, deklaratat e ambasadorit rus në Beograd vlerësohen si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere