[email protected]
“Brenda dy-tre ditësh” – premtim i pa mbajtur i Enver Dugollit mbi realizimin e shtesave të rrezikshmërisë për policët
shape
shape
shape

“Rrezikshmëria – Po, është e vërtetë që prej miratimit të Ligjit per paga, ka mbet ende pezull për shkak të rregulloreve të cilat deri tani nuk kanë pasë një dakordancë mes ministrive se si do të trajtohet kjo çështja e rrezikshmërisë. Kjo çështje zgjidhet tani, nuk shkon dy-tre ditë edhe përfundimisht zgjidhet”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ftuar në emisionin “Debat Plus” në televizionin Dukagjini, të datës 27 shtator, pyetjes së njërit nga panelistët në raport me mos ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë për policët, u ishte përgjigjur me arsyetimin se ende nuk ka dakordancë nga ministritë (Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme) për mënyrën e trajtimit dhe se kjo çështje do të zgjidhet për dy-tre ditë.

Shih këtu videon nga minuta e 36:00


Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti (shih këtu). Në kapitullin e 5-të të këtij ligji, mbi “Shtesat dhe Kompensimet” janë të përfshirë shtesat që mund përfitohen në bazë të këtij ligji (këtu).

Në kuadër të këtyre shtesave, kapitulli në fjalë përmban edhe “Shtesat për kushte specifike të punës” në të cilat hyjnë shtesat e rrezikshmërisë:

Neni 26

Shtesa për kushte specifike të punës

  1. Shtesa për kushte specifike të punës përfitohet nga zyrtaret/ët publik dhe të punësuarat/it e tjerë që janë të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës që ua rrezikojnë jetën dhe/apo shëndetin.

Në njoftimin e datës 28 shkurt të këtij viti nga Ministria e Brendshme ndonëse tregohej se pagat kishin filluar të ekzekutohen sipas Ligjit të ri të pagave, ishte bërë me dije se nuk është arritur të finalizohet lista dhe të dhënat për shtesat mbi rrezikshmërinë në punë, çka e pamundësonte ndarjen e tyre. Në njoftim thuhej se shtesat e muajit shkurt, do të dalin në pagën e muajit mars (shih këtu).


Edhe ministri i financave ishte deklaruar në disa raste në lidhje me çështjen (shih këtu dhe këtu) duke dhënë të njëjtat arsye si në njoftimin e Ministrisë së Brendshme e madje në një rast (7 qershor), ishte shprehur se një pjesë e shtesave është ri-transferuar dhe është përfshirë në pagë (shih këtu).


Por në një artikull nga KosovaPress, më 20 gusht të këtij viti, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri kishte deklaruar se tashmë janë bërë shtatë muaj që nuk kanë marrë përgjigje nëse do të ekzekutohen shtesat e rrezikshmërisë (shih këtu).

Deklarimi i Imer Zeqirit:

“Sa i përket shtesës për rrezikshmëri në Policinë e Kosovës, tanimë ky është muaji i shtatë për të cilën ende nuk kemi ndonjë konfirmim të qartë se çfarë po bëhet, përveç atë se thuhet se është duke punuar komisioni i cili është caktuar për këtë çështje. Dëshpërimi dhe pakënaqësia tek PK-ja është jashtëzakonisht e madhe, sikur në një formë më veç jemi dorëzuar dhe kemi humb shpresat se do të ketë shtesë për rrezikshmëri”.


Jo shumë kohë pas premtimit të deputetit Dugolli, se kjo çështje do të rregullohet për dy-tre ditë, në kuvend nga Partia Demokratike e Kosovës, u soll rezoluta për Policinë e Kosovës (shih këtu), e cila  obligon Qeverinë e Kosovës që brenda disa afateve të ua plotësoj disa kushte policisë, në mesin e tyre edhe shtesat e parapara mbi rrezikshmërinë në punë. Por që kjo rezolutë nuk u votua në kuvend në dy raste (shih këtu dhe këtu).


Ndërsa sot (20 tetor) kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se për të adresuar të gjitha kërkesat e policëve u duhet më shumë kohë që të mos bëjnë gabime (shih këtu).

Deklarat e kryeministrit Kurti:

“Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me prioritet. Po punojmë intensivisht. Duhet të ndajmë nevojat, meritat. Duhet të kemi klasifikim, sistematizim të kujdesshëm që mos të krijojmë pabarazi. Na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që të shkaktojmë zhgënjime e pengesa”


Analiza:

Bazuar në faktin që dje (19 tetor) në Kuvendin e Kosovës është hedhur në votim rezoluta që do të obligonte Qeverinë e Kosovës, që brenda disa afateve t’i ndante shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës si dhe po ashtu, bazuar në deklarimin e sotshëm të kryeministrit Kurti, i cili ka kërkuar kohë në plotësimin e kushteve për policët e Kosovës, hibrid.info vlerëson se premtimi i 27 shtatorit i deputetit, Enver Dugolli mbi realizimin e shtesave të rrezikshmërisë për policët, brenda dy-tre ditësh, nuk është realizuar.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson këtë deklaratë si “premtim jo i mbajtur”.

Share With Others