[email protected]
Escobar nuk i ka dhënë ultimatum zyrtar Kurtit
shape
shape
shape

Në disa media në gjuhën shqipe u publikuan artikuj me pretendimin se zëvendës-sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar i ka dhënë ultimatum dy-ditor kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Diku u raportua se ky ultimatum u përmend nga burime, pjesëmarrës brenda takimit që emisarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), gjegjësisht Bashkimit Evropian (BE), Gabriel Escobar dhe  Miroslav Lajcak për dialogun Kosovë-Serbi, patën me kryeministrin Albin Kurtin. Në këtë pretendim thuhet se ata (Escobar e Lajcak) i kanë dhënë kryeministrit Kurti dy ditë afat për t’i kthyer përgjigje kërkesave specifike të Perëndimit mbi zgjidhjen e krizës në veri. (këtu)

Ndërsa, një pjesë tjetër e mediave, termin “ultimatum” e nxorën nga një takim të ditës së martë që, përfaqësues të disa mediave, patën me Escobar-in në ambientet e Ambasadës SHBA-ve në Prishtinë. (këtu, këtu)

Pjesë nga artikulli i publikuar nga pjesa tjetër e mediave:

Ata që pengojnë marrëveshjen e pengojnë rrugën evropiane. Kurti dhe Vuciq kanë kohë deri të premten, për shkak se të premten unë dhe Lajçak i japim përgjegjësi eproreve tanë. Marrëdhënia me kryeministrin Kurti është sfiduese. Liderët që nuk përmbushin marrëveshjet do të ballafaqohen me konsekuenca. Ata qe nuk zbatojnë marrëveshjet e arritura, ia kthejnë shpinën Evropës”.


Megjithatë, nga transkriptimi i bisedës së Escobar-it me gazetarë, kuptohet se ky i fundit nuk ka përdorur termin ultimatum. Escobar për këto afate është deklaruar vetëm pasi u pyet nga gazetarët. Reporteri.net ka publikuar të plotë këtë bisedë: (këtu)

“Pyetja nga gazetarët: ju keni ardhur këtu me një mision dhe misioni juaj ka një orar, ju ndoshta do të largoheni sot ose nesër. Çfarë do ta cilësonit ju si mision të përmbushur dhe çfarë do ta cilësonit si dështim, dhe çka nëse kemi rezultate, cilat janë hapat e radhës. Nëse shohim dështime, cilat do të jenë pasojat?”, Escobar përgjigjet:

“Pjesë e përgjigjes së Escobar-it: Ne shohim se ka një rrugë përpara, Bashkimi Evropian ka prezantuar një rrugë përpara, që është shpërshkallëzimi i menjëhershëm, dhe kjo do të përfshinte një plan që kryetarët jo domosdo të kenë nevojë të punojnë në ato ndërtesa, përderisa tensionet janë kaq të larta. Dhe siç e thashë, në SHBA ne kemi shumë përvoja në situata të tilla, dhe ne tentojmë t’i ndajmë këto përvoja dhe vizionin tonë. Mund të ju them personalisht se isha duke punuar në një ndërtesë federale në San Francisko në vitin 1991, kur po protestohej kundër Luftës së Gjirit. Dhe ishte mbyllur një ndërtesë federale në të cilën ndodheshin prokurorët, FBI-ja, dhe institucione të tjera federale. Ata thjesht kaluan në një ndërtesë tjetër, dhe e vazhduan punën. Dhe askush nuk tha se ne ia dhamë sovranitetin asaj turme. Jo, aspak. Andaj, një rrugë është shpërshkallëzimi, rruga e dytë është zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, dhe e treta duhet të lëvizim menjëherë drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që do të thotë se duhet të shohim një përpjekje të vërtetë të Kosovës për t’u angazhuar për asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa të ndërmarrë nga Serbia. Andaj, kjo duhet të bëhet tani dhe duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten, Miroslavi [Lajcak] dhe unë, pritet që të japim raporte te eprorët tanë, lidhur me atë se a ishim të suksesshëm apo jo.

Kjo deklaratë e Escobar-it e dhënë para gazetarëve gjatë takimit u interpretua si ultimatum dy-ditor për Kurtin nga disa media në gjuhën shqipe.


Por, çka nënkupton termi “ultimatum’, e që u përdor nga mediat në interpretimin e deklaratës së Escobarit.

Ka disa definicione në terminologjinë politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare për termin “ultimatum’, por një përkufizim i përgjithshëm do të nënkuptonte që një ultimatum është një ofertë ose kërkesë përfundimtare që sjellë pasoja të sjelljes për mospërpërputhje. (këtu)

Bazuar në këtë, interpretim i deklaratës Escobar-it, duke e përkufizuar afatin kohor për raportim si ultimatum, është i pasaktë.

Këtë e ka dëshmuar edhe vet ai, në një deklaratë të bërë gjatë vizitës që pati me partnerin e tij Lajçak në Beograd. I pyetur nga gazetarët në Beograd për një ultimatum, u përgjigj se pretendimi për një afat kohor ndaj kryeministrit Kurti, nuk qëndron.

Nuk dhashë një afat të fundit, çka u pyeta në Prishtinë ishte se çka ishin hapat e ardhshëm, që të dy edhe unë edhe zoti Lajcak thamë se pas kësaj vizite unë do të pyetem nga Shtëpia e Bardhë të premten që të jap një përditësim se çka po ndodh. Mua më duhet të raportoj nëse kemi progres ose jo. Ai duhet të shkoj dhe të raportoj te zoti Borrel, që  të jap raportin e njëjtë. Nuk është një afat, por këta janë hapat e ardhshëm për mua dhe bazuar në raportimin tim ne duhet të marrim disa vendime për të vazhduar përpara. Por nuk është afat i fundit për askënd”. (këtu min 2:25)

Mos-ekzistimin e një ultimatumi formal e konfirmoi edhe kryeministri Kurti. Në një prononcim për media bëri të ditur se nuk ka marrë një ultimatum nga emisarët e SHBA-së dhe BE-së.

Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi. U takuam me emisarët dhe u kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. Së pari është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”. (këtu)


Përderisa dy palët e përfolura në artikujt e mediave të trajtuara mohojnë ekzistimin e një ultimatumi, rezulton se pretendimi i bërë në tituj nuk është mjaftueshëm i argumentuar me përmbajtje.

Këtë e dëshmojnë edhe përkufizimet tjera të nocionit të termit “ultimatum”. Kuptimi i përbashkët ligjor, i cili ka ardhur me praktikën shtetërore në shekullin e 19-të, koncepton një ultimatum si një deklaratë të njëanshme nga një shtet ose një grup shtetesh që drejton një paralajmërim të detyrueshëm kundër një shteti tjetër se disa pasoja do të vijnë nëse nuk plotësohen kushtet e përcaktuara. Zakonisht, por jo domosdoshmërisht, një periudhë e caktuar kohore, sado e shkurtër që mund të jetë, caktohet për pajtueshmërinë. Një ultimatum mund të transmetohet me shkrim ose me deklaratë gojore. (këtu)

Gjithashtu, për të qenë formal një ultimatum, sipas fjalorit të drejtës ndërkombëtare publike të Oxford-it (shih pjesën Current Legal Situation) ai duhet të komunikohet zyrtarisht.

Në rastin që po trajtohet, nga faktet e verifikuara, rezulton se vet zyrtari i SHBA-ve mohon të ketë bërë një ultimatum.

Gjithashtu, sipas përkufizimeve moderne të këtij termi, të trajtuar në fjalorin e të drejtës ndërkombëtare publike të Oxford-it, ultimatumi është një instrument i kohërave të mëparshme, i përdorur rrallë në ditët tona, për shkak të kufizimeve të rrepta për përdorimin e forcës. 

Si një mjet i diplomacisë shtrënguese, ajo i ka lënë gjithnjë e më shumë vendin koncepteve të tjera, veçanërisht regjimeve të sanksioneve. Sanksionet që synojnë të nxisin një sjellje të përcaktuar nga shteti i synuar merren në mënyrë të njëanshme.


Analiza:

Nga kontrolli dhe verifikimi i fakteve të publikuara në artikujt e trajtuar, kuptohet se pretendimi për ekzistimin e një ultimatumi është i paqëndrueshëm. Titulli me këtë pretendim i bërë nga mediat, artikujt e të cilave u trajtuan, është bërë vetëm duke i bërë interpretim një pjese të përgjigjes së Escobar-it, kur thotë se afati kohorë për raportim tek eprorët e tij është deri më të nëntin e këtij muaji.

Megjithatë, ky zyrtarë i lartë amerikan nuk përmend termin “Ultimatum”. Përkundrazi, ai e mohon të ketë dhënë ndonjë ultimatum për autoritetet e Kosovës. Edhe kryeministri Kurti mohon të ketë pranuar ndonjë shkresë zyrtare apo mesazh të ndonjë forme tjetër që përmban ndonjë ultimatum.

Për këtë arsye, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “përmbajtje të pa verifikuara”. 


Vlerësimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others