[email protected]
Deklarata të paqëndrueshme nga Zaharova për intervenimin e NATO-s më 1999 dhe “trazirat e marsit  2004”
shape
shape
shape

Në mediat ruse shërbimet në gjuhën serbe është publikuar një deklaratë e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, lidhur me përvjetorin e intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe trazirat e marsit në Kosovë më 2004.

Lidhur me intervenimin e NATO-s, Zaharova pretendon se janë hedhur 3000 raketa dhe 80000 ton bomba.

Ndërsa, për trazirat e marsit 2004, Zaharova deklaron se viktima ka pasur vetëm nga ana e serbëve dhe etnive jo shqiptare.

Bazuar në faktet e publikuara në raportet ndërkombëtare lidhur me ngjarjet e mësipërme, del që pretendimet e Zaharova-s nuk qëndrojnë.


Vegëza e deklaratës publikuar të Zaharovës në mediat ruse në gjuhën serbe:

https://lat.sputnikportal.rs/20240320/zaharova-rusija-nikad-nece-zaboraviti-da-je-kosovo-deo-srbije-1169549170.html

https://lat.rt.rs/rusija/81446-zaharova-rusija-nato-agresija/

Pjesë të deklaratës së Zaharovës të përkthyera në shqip:

“Këtë vit, më saktë, 17 marsi shënon 20 vjetorin e masakrës etnike në Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Ajo ditë nuk është vetëm një nga faqet më tragjike në historinë moderne të rajonit serb, por edhe një nga manifestimet më të tmerrshme të dhunës ndëretnike dhe intolerancës fetare në historinë e pasluftës. Viktimat e pogromit ishin civilë të kombësive serbe dhe të nacionaliteteve të tjera joshqiptare që jetonin në rajon”.

‘Në 11 javë, duke filluar nga 24 mars 1999, 3,000 raketa u gjuajtën në republikën sovrane evropiane dhe u hodhën 80,000 ton bomba, duke përfshirë granata thërrmuese dhe municione me uranium të varfëruar.”


Lidhur me përvjetorin e intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllavi dhe trazirave të marsit të vitit 2004 në Kosovë është deklaruar, Maria Zaharova, zëdhënëse e ministrisë së Punës së Jashtme të Rusisë.

Edhe pse dihet se qëllimi i intervenimit të NATO-s ishte së pari të ndalte spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, në këtë deklarim publik, Zaharova ka përsëritur narracionin e rremë për intervenimin e NATO-s, ku tha se ai u bë me pretekst të akuzave të pabaza.

Krahas kësaj, Zaharova në deklaratën e saj, paraqet të dhëna ku pretendon pa bazë numrin e bombave dhe raketave të hedhura nga NATO gjatë fushatës ajrore kundrejt caqeve të ushtrisë jugosllave/serbe në vitin 1999.

Revista Evropiane për të Drejtën Ndërkombëtare “European Journal of International Law” (EJIL), në një raport të publikuar në vitin 2001 (shih këtu), shkruan se numri i bombave dhe raketave të të gjitha llojeve të lëshuara nga NATO në fushatën ajrore të vitit 1999, arrin në 23 mijë.

Në raporte tjera kredibile, nuk përmendet fare totali i numrit të bombave/raketave të hedhura nga NATO në atë fushatë. Në raportin e “Amnesty International” (AI) jepen të dhëna tjera të dobishme për ngjarjet në Kosovë dhe fushatën e NATO-s, por nuk paraqitet ndonjë numër total i raketave/bombave të hedhura nga Aleanca Euro-Atlantike (këtu).Edhe në raportet e NATO-s për zhvillimet e asaj kohe në Kosovë, nuk jepen shifra të tilla (këtu).

Raporte për fushatën e vitit ’99 të NATO-s kanë publikuar edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) (shih këtu), e “Human Rights Watch”, organizatë kjo që i është dedikuar në veçanti hedhjes së bombave thërrmuese (shih këtu).

Megjithatë, totali i numrit të bombave/raketave të hedhura, nuk është arritur të gjendet në asnjërën nga këto raporte.


Sa i përket pretendimit të Zaharova-s se gjatë trazirave të marsit 2004 viktima kanë qenë civilë serbë dhe të nacionaliteteve të tjera joshqiptare, nuk qëndron.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, 15 shqiptarë dhe 12 serbë kanë vdekur në dhunën etnike më 17 dhe 18 mars 2004.

Human Rights Watch raporton se nëntëmbëdhjetë persona – tetë serbë të Kosovës dhe njëmbëdhjetë shqiptarë të Kosovës – u vranë gjatë trazirave të marsit.

Pra, të dy raportet e cituara më sipër japin të dhëna se gjatë trazirave të marsit 2004 viktima ka pasur si nga ana e serbëve po ashtu edhe nga ana e shqiptarëve.


Analiza:

Deklarata e Zaharova-s se gjatë intervenimit të NATO-s kundrejt caqeve të ushtrisë jugosllave/serbe në vitin 1999 janë hedhur 3000 raketa e 80000 ton bomba është e paqëndrueshme, për faktin që raportet ndërkombëtare nuk japin shifra, përveç raportit të publikuar nga “European Journal of International Law” (EJIL), ku jepet një shifër prej 23000 bomba dhe raketa të hedhura nga NATO.

Edhe deklarata se gjatë trazirave të marsit 2004 vetëm civilët serbë dhe të nacionaliteteve të tjera joshqiptare kanë qenë viktima, nuk qëndron, për faktin se në këto trazira kanë humbur jetën civilë serbë dhe shqiptarë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info deklaratat e Zaharova-s i vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi/përkufizimi: Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik

Share With Others