Shkroi: Fatbardh Dema
Gjatë krizave ndërkombëtare, dezinformimi shpërndahet më shpejt dhe më gjerësisht sesa informacioni i vërtetë, veçanërisht kur përmban ngarkesë emocionale negative.
Postimet që nxisin frikë, panik ose alarm shpërndahen më shpejt, sepse njerëzit reagojnë emocionalisht dhe ndajnë informacion para se ta verifikojnë atë (shih këtu studimin “Diffusion of real versus misinformation during a crisis event”).
Pas nisjes së konfliktit SHBA/Izrael – Iran, disa faqe në gjuhën shqipe në Facebook nisën publikimin e përmbajtjeve keqinformuese.
Në këtë kontekst, pretendimet që po qarkullojnë në gjuhën shqipe aktualisht janë: mundësia që çmimi i naftës të arrijë 4 euro për litër ose supozimet për sulme nga Irani ndaj kampit ushtarak Bondsteel në Kosovë.
Artikujt që u verifikuan nga hibrid.info
Më 2 mars, disa faqe në Facebook pretenduan se çmimi i një litri naftë mund të rritet mbi 4 euro, pas raportimeve që thonë se Irani ka shkatërruar disa anije me naftë.
Megjithatë pas verifikimit nga hibrid.info, nuk u gjet asnjë raportim në media kredibile vendore apo ndërkombëtare që mbështet këtë shifër.
Raportimet e mediave ndërkombëtare si Reuters dhe CNN tregojnë se çmimi në ShBA ka qenë rreth 3 dollarë për gallon (1 gallon = rreth 3.78 litra), me pritje për rritje deri në 3.25 dollarë për gallon, shifër kjo që është shumë larg pretendimit për mbi 4 euro për litër. (shih këtu verifikimin nga hibrid.info)
Përmes disa postimeve të publikuara nga faqe në Facebook u pretendua se Irani ka publikuar një hartë me bazat amerikane që do të goditen, përfshirë edhe kampin Bondsteel në Ferizaj.
Verifikimi i fakteve nga hibrid.info vërtetoi se materiali është i vitit 2023 dhe buron nga një platformë amerikane që merret me analiza gjeopolitike dhe parashikime për zhvillimet botërore, e jo nga Irani. Harta ishte pjesë e një analize mbi raketën iraniane Khorramshahr dhe nuk përbën njoftim zyrtar për sulme. (shih këtu verifikimin nga hibrid.info)
Një rast tjetër i dezinformimit në gjuhën shqipe u has te një llogari tjetër në Facebook. Kjo llogari publikoi dy imazhe në të cilën shihen vetura duke pritur në që të furnizohen në pompa të derivateve.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se pamjet janë të vjetra. Ato u shkrepën në Rumani dhe Maqedoni të Veriut gjatë vitit 2022. (shih këtu verifikimin nga hibrid.info)
Çka thotë studimi për këtë fenomen?
Studimi “Diffusion of real versus misinformation during a crisis event: A big data-driven approach” (Përhapja e informacionit të vërtetë kundrejt dezinformatave gjatë një ngjarjeje krize: Një qasje e bazuar në të dhëna të mëdha) tregon se përmbajtjet me emocion negativ (panik, zemërim, alarm) shpërndahen më shpejt se informacionet reale. Postimet që krijojnë ndjesi urgjence ose kërcënimi kanë probabilitet më të lartë të bëhen virale.
Studimi tregon se gjatë krizave njerëzit ndajnë informacione për shkak të reaksionit emocional, jo domosdoshmërisht për shkak të besimit të plotë. Shpërndarja shpesh ndodh për shkak të ndjenjës së urgjencës (“duhet ta dinë edhe të tjerët”).
Studimi sugjeron se përmbajtjet e rreme gjatë krizave janë më dramatike, kanë narrativë më të thjeshtë, paraqesin një “armik” të qartë, si dhe japin skenar ekstrem.