Shkroi: Fatbardh Dema
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Serbi, Millovan Drecun, në një intervistë dhënë për Radio Televizionin e Serbisë, ka deklaruar se “militarizimi i Prishtinës është kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e serbëve në Kosovë”.
Drecun ka komentuar pajisjen e Kosovës me sistemin raketor anti-tank OMTAS, duke shtuar se këto nuk janë kapacitete mbrojtëse, por ofensive. Sipas tij, Prishtina po përgatitet për një zbarkim ushtarak dhe dëshiron ndërveprim me anëtarët e NATO-s, mbi të gjitha me Kroacinë dhe Shqipërinë.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Drecun në asnjë rast nuk ofron fakte që do ta mbështesnin këtë pretendim.

Në këtë intervistë ai shton se Kosova po punon për krijimin e industrisë së saj ushtarake, duke përfshirë prodhimin e paralajmëruar të municioneve, dronëve dhe automjeteve të blinduara, duke shtuar se beson që e gjithë kjo bëhet fjalë për përgatitje për veprime ofensive.
“Këto nuk janë kapacitete mbrojtëse, por ofensive. Prishtina po përgatitet për një zbarkim ushtarak dhe dëshiron ndërveprim me anëtarët e NATO-s, mbi të gjitha me Kroacinë dhe Shqipërinë”, theksoi ai.
Armatimin e Kosovës, Drecun vazhdon ta quajë kërcënim të drejtpërdrejtë për mbijetesën e popullit serb.
“Mesazhi është – qëndroni larg Kosovës dhe Metohisë. Ekziston një rrezik real që në rrethana të caktuara gjeopolitike ata të përpiqen të hyjnë në veri të Kosovës, gjë që do të thoshte një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe mbijetesën e popullit serb”, shtoi ai.
Faktet
Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK-ja ka disa kompetenca dhe disa parime. Në to përfshihen vetëm aspektet e mbrojtjes së sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të interesave të Kosovës.
Kosova ka arritur marrëveshje për blerje armësh edhe me shtete të tjera të NATO-s dhe këtë e ka bërë tash e sa vjet, qëkur u miratuan tri ligje në dhjetor të vitit 2018 për transformimin e FSK-së në ushtri. Pak pas miratimit të ligjeve për transformim më 2018, Kosova u furnizua me automjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë kishin ardhur disa automjete të tipit “Humvee”. Qeveria pati nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane “AM General”. 27 automjete ushtarake ishin donacion nga SHBA-ja e 24 ishin blerë nga Kosova. (shih këtu)
Asnjëherë nuk ka pasur raportime në mediat ndërkombëtare se Forca e Sigurisë së Kosovës ka cenuar stabilitetin.
KFOR-i është misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë. Trupat e tij kanë për mandat të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (Shih këtu).
Pas tranzicionit të FSK-së në ushtri nëpërmjet ligjeve, kryeministri i atëkohshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in” e se FSK-ja është e gatshme të shërbejë bashkë me forcat e KFOR-it.
Po ashtu, autoritetet kosovare kanë theksuar vazhdimisht se Forca e Sigurisë së Kosovës ka qëllime mbrojtëse dhe jo sulmuese. Kryeministri Albin Kurti ka nënvizuar se çdo blerje e pajisjeve ushtarake bëhet për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të shtetit dhe për të siguruar paqe e stabilitet për qytetarët e Kosovës. (shih këtu)
Hibrid.info edhe më herët (3 shkurt 2025) ka trajtuar pretendim të ngjashëm të bërë nga mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs”, i cili përmes një artikulli pati pretenduar se Kurti, gjatë fushatës elektorale ka kërcënuar me luftë. Premtimi për investime një miliard euroshe nga Kurti, qe interpretuar nga mediumi serb “Informer.rs” si kërcënim për luftë dhe gjakderdhje dhe se me ato armë do të dëbohen serbët nga Kosova. Por pas verifikimit nga hibrid.info atë kohë, ishte vërtetuar se Kurti nuk ka kërcënuar se Kosova do t’i dëbojë serbët. Ai ka thënë se Kosova armatoset për të mbrojtur veten.
Analiza:
Drecun ka pretenduar se pajisja e Kosovës me armatim, përfshirë sistemin anti-tank OMTAS, paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për serbët në Kosovë dhe se Prishtina po përgatitet për veprime ofensive.
Megjithatë, Drecun nuk paraqet asnjë fakt apo dëshmi që do t’i mbështesnin akuzat për “zbarkim ushtarak” apo plane sulmuese ndaj veriut të Kosovës.
Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, misioni i FSK-së është mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave të Kosovës. Që nga viti 2018, Kosova ka blerë ose pranuar pajisje ushtarake në bashkëpunim me shtete të NATO-s, në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri, pa pasur raportime ndërkombëtare për cenim të stabilitetit.
Për më tepër, prania e KFOR-it në Kosovë garanton sigurinë për të gjitha komunitetet, ndërsa autoritetet kosovare kanë theksuar vazhdimisht se FSK-ja ka rol mbrojtës dhe bashkëpunon me NATO-n për paqe dhe stabilitet, duke hedhur poshtë pretendimet për qëllime sulmuese.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë deklaratë si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



