Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Edhe tri sondazhe të rreme lidhur me zgjedhjet lokale

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Fenomeni i publikimit të sondazheve të rreme po vazhdon të shfaqet në media sociale, ku përmbajtje të këtij lloji publikohen pothuajse çdo ditë.

Hibrid.info që nga 13 shtatori kur nisi fushata zgjedhore, ka trajtuar 13 sondazhe të rreme mbi kandidatët për kryetar të komunave.


Hibrid.info identifikoi një sondazh të dyshimtë të publikuar në TikTok të martën më 7 tetor për komunën e Pejës me përshkrimin “Përmbyset gjithçka në Pejë”. Përmes kësaj grafike pretendohet se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës prijnë me nga 35%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 20% dhe Partia Demokratike e Kosovës me 10%.

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info gjeti se nuk rezulton që së fundmi të jetë kryer ndonjë sondazh mbi kandidatët për kryetar të komunës së Pejës. (këtu)

Në këtë postim në TikTok nuk specifikohet se cila kompani ka realizuar sondazhin, ndërsa përmbajtja nuk përmban as të dhëna mbi kohën apo periudhën e realizimit të tij.


Një grafikë me pretendimin se paraqet sondazh të realizuar mbi kandidatët për kryetar të Vitisë, është postuar nga një faqe në Facebook me emrin “Gazetaria”.

Kjo faqe pretendon se në bashkëpunim me një kompani prestigjioze, ka publikuar rezultatet e një sondazhi për Komunën e Vitisë, të zhvilluar nga 15 shtatori deri më 4 tetor 2025, duke shtuar se në këtë sondazh kanë marrë pjesë mbi 1,200 qytetarë nga qyteti dhe fshatrat e komunës, me një margjinë gabimi prej ±1%.

Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “Sondazh për Komunën e Vitisë”, e që rezultatet nuk shfaqin asnjë sondazh kredibil të publikuar së fundmi në media mbi kandidatët për kryetar të Vitisë. (këtu)

Diçka tjetër që e bën këtë sondazh të dyshimtë, është edhe fakti se faqja “Gazetaria” nuk ishte aktive që nga data 7 janar, për t’u rikthyer me 7 tetor me publikimin e kësaj grafike. (shih këtu)

Ndërsa, të mërkurën 8 tetor, kjo faqe publikoi disa të dhëna me pretendimin se ky sondazh është zhvilluar përmes intervistave shtëpi më shtëpi dhe formës online të krijuar posaçërisht për këtë proces. Por, faqja nuk tregoi se cila është ajo “kompani prestigjioze” që i kreu këto matje e as formën online të pretenduar se është përdorur për këtë sondazh.

Në seksionin “About” (Për ne) në këtë faqe gjendet edhe një vegëz e një ueb-faqeje me emrin “gazetaria.com”, mirëpo pas klikimit të saj shfaqen përmbajtje për të rritur e në gjuhën kineze. (këtu)


Tjetër grafikë me pretendimin se paraqet sondazh të kryer mbi kandidatët për kryetar të Prishtinës, u gjet i publikuar në Facebook nga faqja “Lajme Flash”, përmes së cilit pretendohet se kandidati nga PDK-ja, Uran Ismaili prin me 37%.

Gjatë hulumtimit rreth kësaj faqe, vërehet se e njëjta ishte pasive nga 6 marsi. Ndërsa u rikthye me postime me 23 shtator. Tjetër fakt rreth kësaj faqe është se që nga 1 tetori, kjo faqe ka publikuar pesë postime në përkrahje të Uran Ismailit. (shih këtu)

Pas një hulumtimi të kryer nga hibrid.info, u konstatua se nuk ekziston asnjë sondazh publik së fundmi që mat mbështetjen për kandidatët për kryetar të Prishtinës. (shih këtu)


Përveç këtyre përmbajtjeve të lartcekura, hibrid.info që nga 13 shtatori ka arritur të identifikoi edhe 13 sondazhe të rreme të publikuara nga llogari e faqe në media sociale. (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Rreth sondazheve

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 


Analiza:

Gjatë datave 7–8 tetor, hibrid.info ka identifikuar disa grafikë të publikuar në media sociale që pretendojnë të paraqesin rezultate sondazhesh për komunat Pejë, Viti dhe Prishtinë.

Në TikTok u shpërnda një video me përshkrimin “Përmbyset gjithçka në Pejë”, ku paraqiteshin përqindje të partive politike, por pa ndonjë burim apo kompani që e ka realizuar sondazhin.

Një tjetër rast u gjet në Facebook nga faqja “Gazetaria”, e cila publikoi një grafikë për komunën e Vitisë, duke pretenduar bashkëpunim me një “kompani prestigjioze”, megjithëse nuk ofroi asnjë dëshmi për ekzistencën e një sondazhi të tillë. Faqja kishte qenë joaktive që nga janari dhe u rikthye me publikimin e kësaj përmbajtjeje, ndërsa lidhja e ueb-faqes së saj çon në përmbajtje për të rritur e në gjuhën kineze.

Në rastin e Prishtinës, faqja “Lajme Flash” publikoi një grafikë ku pretendohej se kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, printe me 37%, megjithatë nuk ekziston asnjë sondazh i besueshëm që mbështet këtë pretendim.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Lajme të rreme”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere