Të fundit | Rifat Jashari nuk e ka bërë deklaratën e pretenduar ndaj Edi Ramës Të fundit | Titulli e paraqet lirimin e Thaçit si të konfirmuar Të fundit | Rama s’ka thënë se mbështetësit e protestave nga Kosova e Maqedonia e Veriu… Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a…
[ ARTIKULLI ]

Petkoviqi konspiron se Kurti synon krijimin e një Kosove etnikisht të pastër dhe formimin e “Shqipërisë së madhe”

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjatë një interviste për mediumin informativ Newsmax Balkans në gjuhën serbe, ka folur ndër të tjera edhe mbi politikat e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë deklaratë, ai theksoi se interesi i kryeministrit Kurti, sikurse edhe i politikës së Vetëvendosjes, është krijimi i një Kosove etnikisht të pastër dhe formimi i “Shqipërisë së madhe”.

Çka tha saktësisht Petkoviqi?

“Ajo që i intereson Kurtit, dhe është pjesë e politikës së partisë Lëvizja Vetëvendosje, është një Kosovë e pastër etnikisht dhe krijimi i ‘Shqipërisë së madhe’. Kurti e demonstron këtë me të gjitha politikat dhe veprimet në terren”.

“Është e qartë se Kurti dëshiron ta dëbojë popullin serb nga Kosova dhe Metohia. Në një vit e gjysmë të fundit, rreth 20 për qind e serbëve nga veriu i kanë braktisur shtëpitë e tyre stërgjyshore me familjet e tyre”, është shprehur Petkoviqi, sipas “kosovo-online”.

A qëndron ky pretendim i tij?

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petkoviq, këto pretendime i ka bërë pa asnjë bazë.

Deklarimi i tij se interesi i Kurtit është një Kosovë e pastër etnikisht, nuk ka kurrfarë baze. Ndonëse në të kaluarën, Kurti fliste për bashkimin kombëtar, në këtë fushatë, së paku në deklaratat publike të deritashme, në asnjë rast nuk ka folur për këtë projekt e as për “Shqipërinë e madhe”. Gjithashtu, edhe pretendimi tjetër se Kurti po dëshiron ta dëbojë popullin serb nga Kosova, dhe se për një vit rreth 20 për qind e serbëve nga veriu i kanë braktisur shtëpitë e tyre, është i pabazuar.

Sipas hulumtimit të bërë nga hibrid.info, nuk ka shifra zyrtare se sa serbë janë larguar nga Kosova në periudhën për të cilën flet Petkoviqi.

Çka tha Kurti disa ditë më parë?

Kryeministri Albin Kurti, pak ditë më parë, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, njoftoi për hapjen e degës së një banke në Leposaviq. Me këtë rast, ai deklaroi se afër 500 qytetarë nga komuniteti serb janë punësuar në veri gjatë vitit 2024.

“Mbi 300 biznese janë hapur dhe afër 500 qytetarë nga komuniteti serb janë punësuar në veri të Kosovës gjatë vitit 2024. Sot, Banka Ekonomike e hapi degën e 33-të të saj në Kosovë, kësaj radhe në Leposaviq, duke ofruar shërbime moderne për biznese dhe qytetarë, e të cilat i ofron edhe në secilën pikë tjetër në Kosovë, vetëm se këtu tash me pajisje të reja të teknologjisë së fundit. Banka aktualisht ka pesë punëtorë, tre serbë e dy shqiptarë”, u shpreh kryeministri Kurti në një postim në Facebook (16 janar).

Narrativi i “Shqipërisë së madhe” shpesh përdoret nga mediat në gjuhën serbe dhe zyrtarët serbë për të kritikuar apo portretizuar si kërcënim çdo ngjarje, festë apo iniciativë që ata interpretojnë si një përpjekje për bashkimin e territoreve shqiptare në një shtet të vetëm. Ky narrativ shfaqet veçanërisht në kontekste që lidhen me simbolet dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Pretendimet e fundit për “Shqipërinë e madhe” dhe spastrim etnik

Pretendime të ngjashme për kërcënim ndaj serbëve dhe përqafim të idesë për “Shqipërinë e Madhe” janë publikuar së fundmi edhe nga media ruso-serbe dhe janë shprehur nga zyrtarë serbë.

Sipas një artikulli të publikuar rishtazi në RT (Russia Today), shërbimi në gjuhën serbe, në kuadër të fushatës zgjedhore në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje po krijon një narrativ zgjedhor të mbështetur në retorikë të ashpër, të cilën RT e përshkruan si “thirrje për luftë dhe urrejtje ndaj serbëve”. (këtu)

Petar Petkoviq, edhe në fillim të fushatës për zgjedhjet në Kosovë, kishte pretenduar se kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërcënuar popullin serb dhe Serbinë në nisje të fushatës. (këtu)

Edhe Sputnik, shërbimi në gjuhën serbe i medias ruse, ka publikuar një artikull që pretendon se fushata parazgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje është e lidhur me idenë e “Shqipërisë së Madhe”. (këtu)


Analiza:

Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjatë një interviste për Newsmax Balkans, pretendoi se Albin Kurti po synon krijimin e një Kosove etnikisht të pastër dhe formimin e “Shqipërisë së Madhe.”

Megjithatë, prova që lidhin fushatën e Kurtit me këtë ide, zyrtari serb nuk ka ofruar. Krejt çka ka folur në këtë fushatë, së paku publikisht, është për bandat kriminale serbe dhe infiltrimin e Serbisë në Kosovë, pa kërcënuar serbët për spastrim etnik.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e Petkoviqit si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere