info@hibrid.info
Identifikimi i keqinformatave ekonomike gjatë fushatës zgjedhore
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Duke marrë për bazë trajtimet e përmbajtjeve keqinformuese në proceset zgjedhore, hibrid.info do të bëjë prebunking në nivel narrativash, për keqinformatat e mundshme në fushën e ekonomisë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Këto zgjedhje pasojnë ato parlamentare, të cilat u zhvilluan më 9 shkurt të po këtij viti. Në bazë të monitorimit ditor është parashikuar se zgjedhjet lokale janë ngjarje që mund të prodhojnë keqinformata të mundshme që kanë të bëjnë me zhvillime ekonomike.

Për të rritur vetëdijen ndaj keqinformatave të këtij lloji, hibrid.info ka përdorur disa qasje të kombinuara siç janë: numërimi i keqinformatave të evidentuara në të kaluarën dhe informimi me fakte të vërteta (fact-based) para se të shfaqen pretendimet e rreme; shpjegimi i gabimeve logjike dhe promovimi i të menduarit kritik në raste të tilla (logic-based); si dhe evidentimi i burimeve jo të besueshme për të rritur dyshimet ndaj akterëve të dezinformatave (source-based). Kjo qasje e kombinuar ndihmon lexuesit të kuptojnë jo vetëm çfarë është e pasaktë, por edhe si dhe nga vijnë keqinformatat, duke i pajisur me mjete për të vlerësuar informacionin në mënyrë kritike.

Çka është prebunking?

Prebunking është strategji komunikimi parandaluese dhe e bazuar në fakte, që synon t’i përgatisë individët të rezistojnë ndaj manipulimit përpara se të përballen me keqinformata. Duke u mbështetur në “teorinë e vaksinimit”, ajo funksionon duke i paralajmëruar qytetarët për manipulimet e pritshme, duke i ekspozuar ndaj një versioni të dobësuar të tyre në një mjedis të kontrolluar dhe duke i pajisur me kundërargumente paraprake.

Dezinformatat nga e kaluara

Hibrid.info, gjatë aktivitetit të vet deri më tani, ka trajtuar përmbajtje keqinformuese në katër procese zgjedhore: zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe 2025, zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës në vitin 2023, si dhe zgjedhjet lokale të vitit 2021. Para nisjes dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit 2021, hibrid.info ka analizuar katër raste të keqinformimit ekonomik lidhur me këtë ngjarje. Tri prej tyre, të cilat u vlerësuan si “Dezinformata”, kishin në qendër kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Dy publikime paraqisnin në mënyrë të rreme premtime ekonomike të Kurtit, ndërsa tjetri pretendonte gabimisht se ai kishte blerë një shtëpi me vlerë milionëshe (shih këtu, këtu dhe këtu). Trajtimi i katërt hodhi poshtë një pretendim mbi përfitimet nga një skemë sociale në Kosovë (shih këtu).

Pretendime të ngjashme mbi këtë temë janë trajtuar edhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kur hibrid.info kishte vlerësuar si keqinformuese dy publikime që i atribuonin Avdullah Hotit, kandidatit për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), premtime që nuk ishin bërë realisht (shih këtu dhe këtu).

Ndërsa para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, hibrid.info kishte trajtuar shpërndarjen e ndihmave financiare duke vlerësuar si keqinformuese dhe lajme të rreme dy postime në TikTok që pretendonin se Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të shpërndarë 100 euro për secilin qytetar, ndërkohë që vendimi i vërtetë i datës 22 dhjetor 2024 (i cili ishte publikuar edhe njëherë si lajm i vjetër) ishte vetëm për pensionistët dhe për fëmijët deri në moshën 16 vjeç (shih këtu dhe këtu).

Faktet reale

Më 22 dhjetor të vitit 2024, Qeveria kishte njoftuar shpërndarjen e shtesave financiare për fëmijët dhe nënat lehona. Gjithashtu ishte njoftuar rimbursimi vjetor i taksave për minimumin jetik dhe vazhdimi i pagesës së 100 eurove për çdo fëmijë 0–16 vjeç, si dhe shpërndarja e mbështetjes shtesë për pensionistët, e njohur si pensioni i 13-të dhe pagesa shtesë prej 500 eurosh gjatë mandatit, duke shpërndarë përfitime të tilla për të pestën herë gjatë mandatit (shih këtu).

Ndërsa më 29 tetor, 2024, Qeveria kishte njoftuar për rritjen e pagave në sektorin publik duke filluar nga janari 2025, e cila do të bëhej në dy faza: 55 euro bruto nga janari dhe 55 euro tjera nga korriku. Kjo rritje ishte bërë për herën e tretë, pasi që në vitin 2023 me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave ishte bërë rritja me koeficient 105, ndërsa në vitin 2024 koeficienti u ngrit në 110 euro (shih këtu).

Kosova ende nuk ka formuar institucionet e saj, pasi Kuvendi nuk është konstituuar ende, një hap ky i domosdoshëm edhe për krijimin e qeverisë. Qeveria në detyrë ka të drejtë të vazhdojë shpërndarjen e shtesave që janë të parashikuara në buxhet për këtë vit ose vendime të miratuara më parë, por nuk mund të krijojë programe të reja financiare që kërkojnë aprovime të reja buxhetor, pa miratimin e Kuvendit.

Sa i përket zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,420 për anëtarë të kuvendeve komunale (shih këtu).

Duke qenë se kemi të bëjmë me zgjedhje lokale, ku do të votohet për kryetar dhe kuvend komunal, secila komunë konsiderohet si një zonë e vetme, ku zgjedhja do të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes votave të votuesve të cilët janë të regjistruar në komunën ku mbahen zgjedhjet.

Të gjitha subjektet politike janë të lira për të bërë fushatë dhe të bëjnë marketing zgjedhor në media, përmes mbajtjes së ngjarjeve politike dhe duke botuar dhe shpërndarë materiale për fushatë në çfarëdo mënyre ligjore në përputhje me rregullat e vendosura sipas legjislacionit të zbatueshëm (shih këtu).

Logjika dhe burimet e dezinformatave

Publikimet që shpërndahen në rrjete sociale apo portale online dhe pretendojnë se do të ketë shpërndarje të reja të parave “për të gjithë”, pa pasur një vendim zyrtar të Qeverisë, janë të dyshimta dhe duhet të trajtohen me kujdes. Shpesh, përmbajtje të vjetra mbi shtesa financiare, ndihma sociale apo mbështetje për kategori të caktuara të qytetarëve rishfaqen dhe qarkullojnë si lajme të reja, duke krijuar huti dhe pritje të rreme. Për këtë arsye, kontrollimi i datës së publikimit dhe burimit të informacionit është hap i domosdoshëm për të dalluar nëse një lajm është i aktualizuar apo i ricikluar.

Po ashtu, gjatë periudhave zgjedhore mund të hasen premtime për rritje të reja pagash, krijim të skemave të reja sociale apo masa të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën ekonomike të qytetarëve. Nëse këto premtime nuk gjenden të dokumentuara në programet zgjedhore të partive politike, ose nuk janë shpallur publikisht nga kandidatët që garojnë, ato duhet të konsiderohen si të pasakta dhe të pabazuara. Për këtë arsye, qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kërkojnë gjithmonë burime zyrtare dhe deklarata të verifikueshme, para se të besojnë apo të shpërndajnë informacione të tilla.

Përfundimi

Në bazë të këtyre shembujve mund të parashikohet se përmbajtje të tilla mund të publikohen gjatë fushatës zgjedhore lokale nga publikues jokredibilë. Andaj, në raste të tilla duhet kontrolluar burimi duke vlerësuar kredibilitetin e tij dhe duke u konsultuar me më shumë se një burim, si dhe duke marrë parasysh kontekstin dhe rrethanat, pasi shpesh lajmet e vjetra qarkullojnë si të reja. Gjithashtu, është e rëndësishme të krahasohen informacionet me burime zyrtare, duke shfletuar vendimet qeveritare, njoftimet e ministrive ose programet zgjedhore me të cilat kandidatët garojnë.

Ky artikull u përgatit në vitin 2025 për projektin “Prebunking at Scale”, me mbështetje nga Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN).

Share With Others