Në dy llogari në Facebook (shih këtu dhe këtu) u gjet e publikuar një përmbajtje me pretendimin se paraqet një deklaratë që i atribuohet ish-ministrit britanik për Evropën, Denis MacShane dhënë për mediumin kroat “Index.hr”.
Në këtë përmbajtje, pretendohet se MacShane ka thënë se autoritetet amerikane prej kohësh e kanë nën vëzhgim gjyqtarin Charles Smith, nën dyshimin se ai ka marrë 3 milionë euro nga Serbia në Maltë, përmes bankës Satabank. Në postim pretendohet gjithashtu se paratë dyshohet se i ka tërhequr nipi i tij, Robert Smith, ndërsa thuhet se ky informacion ka qarkulluar prej kohësh mes diplomatëve.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Hibrid.info ka kërkuar burimin e kësaj deklarate në Google, duke përdorur kombinime të emrave dhe pretendimeve në shqip, anglisht dhe kroatisht.
Kërkimet me emrat Denis MacShane, Charles Smith dhe Robert Smith, si dhe termat Satabank, Serbia, Malta dhe 3 million euros, nuk kanë nxjerrë ndonjë artikull, intervistë apo deklaratë të besueshme që përmban pretendimet e publikuara në Facebook.
Po ashtu, kërkimi specifik në Index.hr nuk ka nxjerrë publikimin e pretenduar.
Në Index.hr ekzistojnë artikuj ku përmendet Denis MacShane. Për shembull, një artikull i vitit 2003 e përmend atë si ministër britanik për çështjet evropiane gjatë një aktiviteti në Londër. Një tjetër publikim i Index.hr, nga viti 2014, e përmend MacShane si ish-ministër britanik për Evropën.
Megjithatë, nuk është gjetur në Index.hr ndonjë publikim që përmban deklaratën për Charles Smith, 3 milionë euro, Serbinë dhe Satabank-un.
Megjithatë, ekziston një fakt real lidhur me shumën prej rreth 3 milionë eurosh dhe Satabankun.
Në korrik 2019, Satabank u gjobit me 3 milionë euro nga autoritetet malteze për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave. The Malta Independent raportoi se gjoba ishte vendosur pas një hetimi të Autoritetit të Shërbimeve Financiare të Maltës dhe Njësisë së Analizës së Inteligjencës Financiare (shih këtu).
Pra, shifra prej 3 milionë eurosh lidhet me një gjobë ndaj Satabankut, jo me një pagesë të dokumentuar ndaj Charles Smithit.
Charles Smith ishte kryetar i Trupit Gjykues në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara e paraqet përbërjen e trupit gjykues si: Charles Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor si gjyqtar rezervë (shih këtu).
Më 16 shtator 2026, ishte pikërisht ky trup gjykues që shpalli aktgjykimin e shkallës së parë. Dhomat e Specializuara njoftuan se të katër të akuzuarit u gjetën penalisht përgjegjës për arrestim dhe ndalim të paligjshëm/arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje (shih këtu).
Analiza
Kërkimet e Hibrid.info në Google, në shqip, anglisht dhe kroatisht, nuk kanë gjetur burimin e deklaratës që i atribuohet Denis MacShane.
Po ashtu, deklarata nuk është gjetur në Index.hr, mediumi që paraqitet si burimi i saj.
Ndërkohë, ekziston një fakt real që lidhet me një pjesë të përmbajtjes. Satabank është gjobitur me rreth 3 milionë euro për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave. Megjithatë, nuk është gjetur dëshmi kredibile që Smith ka marrë 3 milionë euro nga Serbia përmes Satabankut, se paratë janë tërhequr nga Robert Smith apo se Denis MacShane ka bërë deklaratën e publikuar në Facebook.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “ Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.