info@hibrid.info
Kurti nuk ka thënë se Palestina është tokë izraelite dhe se Kosova nuk do ta njohë kurrë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një fotografi që paraqet një artikull informativ që pretendon se kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar: “Palestina është tokë izraelite – Kosova nuk do ta njohë kurrë!”

Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (22 shtator) në TikTok nga një llogari me emrin “karlmartineli”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se Kurti nuk është deklaruar publikisht asnjëherë për këtë çështje.

Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja ka marrë mbi 100 mijë shikime edhe mbi 800 komente.


Hibrid.info ka hulumtuar me anë të motorit të kërkimit “Google” duke e përdorur si fjalë kyçe titullin e artikullit të paraqitur në fotografi.

Rezultatet nga kërkimi nuk kanë shfaqur artikuj që do të konfirmonin pretendimin (shih këtu).

Edhe pas hulumtimit në llogarinë e Kurtit në Facebook, nuk u gjet asnjë postim ku do të mund të vërtetohej se deklarata e pretenduar ka ardhur nga kryeministri në detyrë (shih këtu).


Qeveria e drejtuar nga Kurti gjatë këtij viti më 31 janar kishte marrë vendim për ndarjen e 500 mijë eurove ndihmë humanitare për popullin palestinez në Gaza (shih këtu).

Ndërsa në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 1 gusht, Kurti kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësim për krizën humanitare në Gaza dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, ndihma humanitare dhe një zgjidhje të qëndrueshme mes izraelitëve e palestinezëve (shih këtu).

Deklarata e Kurtit për situatën në Gaza nga kjo mbledhje:

“Gjithashtu, në këtë adresim, më lejoni që të shprehim shqetësimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krizën humanitare në Gaza. Sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën, ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve – të cilët po përballen me pasoja të rënda pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën. Qeveria jonë tashmë ka ndarë gjysmë milionë euro nga buxheti i saj si mbështetje për popullin palestinez në Gaza. Ne e mbështesim çdo përpjekje të partnerëve tanë për të arritur një armëpushim të menjëhershëm, që do të krijonte mundësitë për dërgimin e rregullt dhe të mjaftueshëm të ndihmave, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve.”

Kosova në raport me Izraelin dhe Palestinën

Në mars të vitit 2021, Kosova kishte hapur ambasadën e saj në Jeruzalem, duke e njohur atë si kryeqytet të Izraelit. Vendim që kishte ardhur në Marrëveshjen e 4 shtatorit (2020), kur Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të amerikan, Donald Trump.

Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, ishte paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin (shih këtu).

Ndërkaq Palestina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në disa raportime të mediave në gjuhën serbe është raportuar se ambasadori e sapoemëruar i Palestinës në Serbi, Muhamed Al Namur, gjatë një takimi me kryetarin e Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orlić, është shprehur se Palestina e konsideron Serbinë një vend mik dhe se mosnjohja e Kosovës është një qëndrim nga i cili nuk do të devijojë (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar: “Palestina është tokë izraelite – Kosova nuk do ta njohë kurrë!” nuk është i saktë.

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim ose deklaratë publike nga Albin Kurti që do të konfirmonte këtë pretendim, dhe qëndrimet e tij zyrtare tregojnë përkrahje humanitare për Palestinën pa bërë deklarata politike mbi sovranitetin e saj.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others