Keqinformimi për çështjet ekonomike bëhet kryesisht në katër mënyra të përsëritura, bazuar në rastet e trajtuara nga Hibrid.info gjatë periudhës korrik 2025 – qershor 2026. Duke qenë se ekonomia lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, ajo mbetet një nga fushat më të ndjeshme ndaj manipulimit, ku faqe jokredibile dhe llogari në rrjete sociale përhapin përmbajtje keqinformuese për të nxitur klikime, reagime emocionale ose narrativa të caktuara.
Gjatë fushatës zgjedhore, Hibrid.info publikoi një artikull prebunking kushtuar dezinformatave ekonomike. Megjithatë, monitorimi njëvjeçar tregon se manipulimi me tema ekonomike nuk kufizohet vetëm në periudhat zgjedhore. Përkundrazi, ai ndjek modele të përsëritura që shfaqen edhe gjatë zhvillimeve të tjera politike, ekonomike apo sociale. Analiza e 22 rasteve të verifikuara të keqinformimit me temë ekonomike tregon se përmbajtjet manipuluese nuk lidhen aq me temën në vetvete, sa me përdorimin e teknikave të shtrembërimit logjik.
Duke u mbështetur në këto raste, ky artikull synon të ofrojë një formë prebunking (imunizim paraprak), duke u shpjeguar lexuesve modelet më të zakonshme të manipulimit ekonomik, në mënyrë që t’i identifikojnë ato përpara se të ndikojnë në perceptimin e tyre.
Situatat që nxisin keqinformimin ekonomik
Ekonomia prek drejtpërdrejt xhepin dhe mirëqenien e qytetarëve, duke e bërë këtë fushë me ndjeshmëri të lartë emocionale. Çdo periudhë tranzicioni politik, ndryshimi sezonal apo diskutimi për buxhetin krijon një terren ku faqe jokredibile ose llogari në rrjete sociale shpërndajnë shifra të pakontekstualizuara për të gjeneruar klikime (clickbait), ose për të nxitur pakënaqësi artificiale.
Por, cilat janë katër format kryesore përmes të cilave manifestohet keqinformimi për çështjet ekonomike?
Paraqitja e premtimeve elektorale dhe parashikimeve ekonomike si “fakte të kryera”
Monitorimi vjetor tregon se deklaratat politike, parashikimet e organizatave ndërkombëtare për zhvillimet e ardhshme ekonomike, si dhe premtimet për rritje pagash, pensionesh apo ndihmash sociale, shpesh publikohen jashtë kontekstit kohor. Ato paraqiten sikur bëhet fjalë për vendime zyrtare që tashmë kanë hyrë në fuqi, duke krijuar një perceptim të rremë te publiku.
Në këtë kategori përfshihet edhe riciklimi i lajmeve të vjetra për pako mbështetëse, shtesa sociale apo masa të tjera ekonomike, të cilat ripublikohen pa sqaruar se i përkasin një periudhe të kaluar (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Keqinterpretimi i termave dhe statistikave zyrtare
Një tjetër formë e zakonshme e keqinformimit ekonomik është keqinterpretimi ose paraqitja e pjesshme e statistikave dhe termave ekonomikë. Shifrat për punësimin, inflacionin, shpenzimet publike apo tregues të tjerë ekonomikë shpesh publikohen pa kontekstin e nevojshëm ose pa u krahasuar me të dhënat zyrtare, duke krijuar përshtypje të gabuara. Në raste të tjera, raportet e organizatave ndërkombëtare citohen vetëm pjesërisht, duke u përzgjedhur vetëm ato të dhëna që mbështesin një narrativë të caktuar, ndërsa gjetjet e tjera të raportit lihen jashtë (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Përgjithësimi i një rasti të izoluar
Në këtë formë të keqinformimit, një rast i vetëm paraqitet si dëshmi e një dukurie që prek të gjithë vendin. Për shembull, rritja e çmimit të një produkti në një biznes të vetëm ose shpenzimet specifike të një institucioni të caktuar përdoren për të krijuar përshtypjen se i njëjti fenomen po ndodh në shkallë vendi. Ky përgjithësim i pajustifikuar krijon perceptime të gabuara për gjendjen e tregut ose për efektet e politikave publike (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Mungesa e kontekstit gjeografik
Një nga format më të shpeshta të keqinformimit ekonomik është paraqitja e zhvillimeve që ndodhin në vende të tjera sikur të kishin ndodhur në Kosovë. Lajmet për rritjen e çmimeve të produkteve bazë, ndryshimet në paga apo vendimet për çmimet e derivateve, të cilat i referohen shteteve të rajonit ose vendeve të tjera evropiane, publikohen me tituj të paqartë ose pa specifikuar vendndodhjen. Si rezultat, lexuesi mund të krijojë përshtypjen se këto zhvillime i referohen Kosovës, edhe pse ato kanë ndodhur në një shtet tjetër (shih këtu dhe këtu).

Rekomandimet për lexuesit (Si të shmanget ndikimi)
Për të identifikuar dhe shmangur më lehtë keqinformimin ekonomik, lexuesit mund të ndjekin disa hapa të thjeshtë verifikimi:
- Mos u besoni titujve që përgjithësojnë shifra: Kur shihni një titull për rritje apo ulje çmimesh, kontrolloni nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për një vendim që prek tërë tregun.
- Kontrolloni vendndodhjen dhe datën: Sigurohuni që lajmi po flet për vendin tonë dhe se ngjarja ka ndodhur në kohën aktuale, e nuk është riciklim nga vitet e kaluara.
- Dalloni premtimin nga vendimi zyrtar: Çdo ndryshim në paga, shtesa apo pensione duhet të jetë i zyrtarizuar përmes vendimeve dhe rregulloreve të publikuara në burimet zyrtare institucionale.
- Drejtohuni te burimet primare: Për çdo statistikë mbi punësimin, inflacionin apo rritjen ekonomike, referojuni vetëm të dhënave dhe raporteve të institucioneve zyrtare përgjegjëse.
Ky artikull u përgatit në vitin 2026 për projektin “Prebunking at Scale”, me mbështetje nga Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN).