[email protected]
Lista Serbe, pa asnjë dëshmi, fajtor për shqyerjen e gomave të veturës së Kostiqit e bën Albin Kurtin
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Lista Serbe, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në mbrëmjen e 1 shkurtit i janë shqyer gomat veturës private të Millan Kostiq, kryetar i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Vushtrrisë dhe kandidat për deputet nga kjo parti.

Lista Serbe pretendon se pas këtij akti qëndrojnë grupet e lidhura me Albin Kurtin dhe Nenad Rashiqin, të cilët, sipas tyre, janë të nervozuar për shkak të humbjes së shpresës për fitore në zgjedhje.

Megjithatë, ky subjekt politik nuk ofron asnjë dëshmi konkrete për të mbështetur pretendimin e bërë, duke e lënë atë pabazë.

Çka dihet për rastin?

Lista Serbe ka reaguar pas incidentit ku, sipas tyre, i janë shqyer gomat e veturës private të Millan Kostiqit, kryetar i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Vushtrrisë dhe kandidat për deputet nga kjo parti. Ata e cilësojnë këtë akt si një sulm me prapavijë politike, duke e lidhur ngjarjen me përfundimin e fushatës zgjedhore.

Sipas Listës Serbe, ky incident është një përpjekje për të frikësuar kandidatët dhe përfaqësuesit e tyre, të cilët, siç pretendojnë ata, janë në shënjestër të atyre që nuk ia dëshirojnë të mirën komunitetit serb. Ata akuzojnë drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, duke pretenduar se nervozizmi i tyre lidhet me pritjet për humbje në zgjedhjet e ardhshme.

Rasti i dëmtimit të veturës së Millan Kostiqit është raportuar edhe në Policinë e Kosovës. Sipas raportit 24-orësh të datës 2 shkurt, incidenti ka ndodhur më 1 shkurt 2025, në intervalin kohor ndërmjet 19:15-22:00, në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë. Sipas PK-së, ankuesi, një mashkull kosovar, ka raportuar se persona të panjohur kanë dëmtuar gomat e pasme të veturës së tij të parkuar duke përdorur një mjet të mprehtë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe hetimet janë në proces.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, dëmtimi i veturës është kryer nga persona të panjohur dhe rasti është aktualisht nën hetime. Kjo do të thotë se nuk ka ende prova apo të dhëna që lidhin incidentin me ndonjë motiv politik apo me ndonjë grup të caktuar, siç pretendon Lista Serbe. Hetimet janë duke u zhvilluar për të zbuluar autorët dhe motivin e mundshëm të këtij akti.


Analiza:

Lista Serbe ka njoftuar se mbrëmjen e 1 shkurtit i janë shqyer gomat veturës private të Millan Kostiqit, duke pretenduar pa ofruar prova se pas këtij akti qëndrojnë grupet e lidhura me Albin Kurtin dhe Nenad Rashiqin, për shkak të, siç thonë ata, humbjes së shpresës për fitore në zgjedhje.

Sipas Policisë së Kosovës, dëmtimi i veturës është kryer nga persona të panjohur dhe rasti është nën hetime, duke mos ofruar asnjë provë që e lidh incidentin me motive politike apo grupe të caktuara, siç pretendon Lista Serbe.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »