Shkroi: Fatbardh Dema
Në rrjetin social TikTok është publikuar një fotografi, për të cilën pretendohet se shfaq ish-presidentin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, së bashku me babanë e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe babanë e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Kjo fotografi me këtë pretendim u publikua të martën (12 gusht) nga llogaria “ajbat.ch”.
E vërteta?
Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, rezulton se personat që shihen në fotografi pranë Titos nuk janë ata që pretendon kjo llogari.

Pas hulumtimit të kryer online përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info gjeti se kjo fotografi ishte publikuar në vitin 2020 në një grup në Facebook të quajtur “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history” nga dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj.
Përshkrimi i fotografisë së publikuar nga Neziraj:
Beograd, 1952 – Tito me një grup nga Kosova, qytetarë e aktivistë politik të asaj kohe, ndër ta edhe Didare Dukagjini, Xhavit Nimani, Alush Gashi e Rame Kapllan Nikçi (ky me veshje kombetare). Do t’ishte interesant nëse mundemi me i identifiku edhe të tjerët.
Përveç këtij fakti, hibrid.info ka hulumtuar tutje, duke vërtetuar se në krahun e djathtë të Titos në fotografi, ishte Xhavit Nimani (ish-Kryetar i Kryesisë së Krahinës Kosovës), e jo babai i Ivica Daçiqit, Desimir Daçiq, siç pretendohet nga llogaria e lartcekur.
Ndërsa, personi tjetër që pretendohet se është babai i Albin Kurtit, Zaimi, del të jetë Ramë Kapllan Nikçi, themelues dhe udhëheqës i Ansamblit Folklorik ‘Rugova’.
Pse trajtohet kjo përmbajtje?
Duke hulumtuar përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info gjeti se kjo fotografi me pretendim të rremë është publikuar edhe në vitin 2023 në Facebook nga një faqe e quajtur UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ndërsa, me 5 shkurt 2025, kjo fotografi po ashtu me pretendim të rremë u gjet e publikuar edhe në faqen e portalit në gjuhën serbe në Facebook “TD portal”.

Në mediat sociale qarkullojnë dhe ripublikohen herë pas here përmbajtje fotografike të shoqëruara me pretendime të tilla të rreme.
Analiza:
Në TikTok u publikua një fotografi ku pretendohej se Josip Broz Tito shfaqej me babain e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe babain e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Verifikimi i hibrid.info vërtetoi se personat në foto janë figura të tjera historike nga Kosova, mes tyre Xhavit Nimani dhe Ramë Kapllan Nikçi.
Fotografia me pretendim të rremë ishte shpërndarë edhe më parë në Facebook gjatë viteve 2023 në gjuhën shqipe, si dhe në shkurt të vitit 2025 në atë serbe.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.