Të fundit | Me fotografi nga trajtimi i ushtarëve të UÇK-së pretendohet rrejshëm për “s… Të fundit | Takimi Kurti-Barbano përdoret për të ngritur pretendime të pabazuara për ba… Të fundit | Ripublikohet pretendimi i pabazë për pasuri qindramilionëshe në Qipro të is… Të fundit | Lushtaku nuk ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja, bëhet fjalë për paralajmërim në… Të fundit | Pretendim i pabazë se zyra e UÇPMB-së në Preshevë përdoret për “aktivitete… Të fundit | Televizioni slloven nuk raportoi se Martin Berishaj është shtetas i Serbisë Të fundit | PDK s’ka paraqitur ndonjë qëndrim të ri për koalicion me LVV-në Të fundit | Manipulimet e bazuara në të vërteta Të fundit | Arrestimet për dyshime për krime lufte paraqiten pa prova si ndëshkim ndaj… Të fundit | Rishikimi i javës: Teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Se…
[ ARTIKULLI ]

Me fotografi nga trajtimi i ushtarëve të UÇK-së pretendohet rrejshëm për “shtëpinë e verdhë”

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Pretendim i rremë për trafik organesh në Burrel. Fotografitë janë nga Kosova dhe tregojnë UÇK-në në mjekim të të plagosurve.

Kanali në gjuhën serbe në Telegram “Српска Спарта- Инфо” ka publikuar dy fotografi, përmes së cilave ka pretenduar se “në Burrel (Shqipëri), në shtëpinë e uzurpuar të familjes Katuçi, persona të afërt me Hashim Thaçin kanë improvizuar në vitin 1999 një klinikë ku të burgosurve u nxirreshin organet, të cilat më pas shiteshin ilegalisht te blerës të pasur në Evropën Perëndimore, SHBA, Kanada dhe vendet e Lindjes së Mesme”.

Sipas këtij pretendimi, në këtë aktivitet kriminal kanë qenë të përfshirë edhe disa politikanë evropianë, ndërsa fitimet arrinin rreth 50 mijë dollarë për viktimë dhe transporti i organeve kryhej shpesh me fluturime komerciale përmes aeroportit “Nënë Tereza”.

E vërteta?

Pretendimi se në të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë” janë kryer operacione për trafikimin e organeve të serbëve nuk është vërtetuar asnjëherë nga hetimet ndërkombëtare. Po ashtu, fotografitë e përdorura në publikim nuk janë realizuar në Burrel dhe nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet për trafikim organesh.

Në fakt, fotografitë janë shkrepur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–1999 dhe paraqesin personel mjekësor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke ofruar trajtim shëndetësor për pjesëtarët e saj.

FAKTET

Përmes përdorimit të mjetit për verifikim të imazheve “InVID”, Hibrid.info ka identifikuar burimin origjinal të fotografive të publikuara në Telegram.

Fotografia e parë rezulton të jetë publikuar nga agjencia britanike e fotografive “Alamy” dhe është realizuar në maj të vitit 1999 (shih këtu).

Në përshkrim të kësaj fotografia thuhet “Spitali Fushor i UÇK-së në Kosovë, maj 1999. Doktoresha Iliriana Hasaj, 29 vjeç, në punë në spitalin e improvizuar fushor duke trajtuar të plagosurit e parë këtu, nxori një shiringë”.


Fotografia e dytë u gjet e publikuar në një artikull të mediumit online “insajderi.com” në vitin 2018 (shih këtu). Në përshkrim të fotografisë thuhet Time Kadrijaj (djathtas në fotografi) duke mjekuar komandantin Agim Ramadani gjatë luftës në Kosovë”.

Hibrid.info ka gjetur edhe një intervistë të ish-pjesëtares së UÇK-së, Time Kadrijaj, e cila në emisionin “OXYGEN” ka deklaruar se fotografia në fjalë është realizuar në Koshare, gjatë luftës (shih këtu).

Bazuar në burimet origjinale të fotografive dhe në mungesën e provave që mbështesin pretendimet për trafikim organesh, rezulton se pretendimi i publikuar nga kanali në gjuhën serbe në Telegram është i rremë dhe se fotografitë janë paraqitur jashtë kontekstit të tyre real.


Hetimet e deritanishme për “shtëpinë e verdhë”

Hetimet e zhvilluara në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në një fshat afër Burrelit në veri të Shqipërisë nuk kanë mundur të vërtetojnë pretendimet se në këtë shtëpi janë hequr organe të njerëzve për qëllime tregtie.

Një raport i marsit të vitit 2004 i hartuar nga pesë ekspertë ndërkombëtarë të Tribunalit të Hagës dhe Kombeve të Bashkuara thotë se bazuar në ekzaminimet, nuk ka dëshmi bindëse se është derdhur gjak në këtë shtëpi si rezultat i akteve kriminale. (këtu)

“Shtëpia e verdhë” fillimisht është përfolur në librin e ish-prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare Carla del Ponte, “The Hunt: Me and the War Criminals ”, dhe më pas në raportin e senatorit të atëhershëm zviceran, Dick Marty, e që u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 2010.

Kujtojmë se pikërisht Gjykata Speciale në Hagë, e njohur edhe si “Dhomat e Specializuara” ishte krijuar me pretendimet e raportit të Dick Martyt për “shtëpinë e verdhë” (këtu). Megjithatë, këto pretendime nuk u vërtetuan asnjëherë, dhe në aktakuza nuk ka asnjë element të trafikimit të organeve (këtu).

Mungesa e provave ishte konfirmuar edhe nga shefi i Task Forcës Hetimore të EULEX-it, Clint Williamson, që kishte thënë se nuk është vërtetuar asnjëherë një pretendim i tillë (këtu).


Analiza

Kanali në Telegram “Српска Спарта – Инфо” ka pretenduar rrejshëm se dy fotografi paraqesin një klinikë të improvizuar në Burrel ku në vitin 1999 janë kryer nxjerrje dhe trafikim organesh nga persona të lidhur me Hashim Thaçin, me përfshirje të politikanëve evropianë dhe shitje të organeve në tregje ndërkombëtare.

Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se këto pretendime nuk qëndrojnë, pasi “shtëpia e verdhë” nuk është vërtetuar asnjëherë si vend i trafikimit të organeve, ndërsa fotografitë janë realizuar në Kosovë gjatë luftës dhe paraqesin personel mjekësor të UÇK-së në mjekimin e të plagosurve.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere