[email protected]
Mustafa nuk i quajti “budallenj” ata që kundërshtuan marrëveshjen në Washington
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë “Fjalët.com” ka publikuar një lajm ku thuhet se Isa Mustafa i ka quajtur “budallë”, ata që menduan se Kosova ka humbur nga marrëveshja në Washington.

Me titullin “Isa Mustafa: Budallët kosovarë që smarrin vesh në politikë mendojnë se Kosova humbi në Washington”, ky portal i ka ndryshuar fjalët e kryetarit të LDK-së, pasi në përmbajtjen e këtij teksti nuk përmendet asnjëherë fjala “budallët”.

Deklarata e Mustafës është shkëputur nga një intervistës për Gazetën Express, ku ka folur rreth marrëveshjes së Washingtonit. Mustafa, ndër të tjera ka thënë se “ata që kanë pritur se me një takim do të kthehet delegacioni ynë nga SHBA, me njohje reciproke Kosovë -Serbi, kanë pasur ambicje joreale, ose nuk merren vesh në politikë”.


Titulli origjinal i lajmit të publikuar në portalin “Fjalët.com”:

“Isa Mustafa: Budallt kosovar që smarrin vesh në politikë mendojnë se Kosova humbi në Washington?”


Në fakt, kreu i LDK-së për Express tha se njohja reciproke nga Serbia nuk vjen me një takim të vetëm dhe ata që kanë pritur një gjë të tillë nuk merren vesh në politikë.

“Jam shprehur edhe para këtij takimi se nuk pres ndonjë befasi të veçantë. Befasia tepër e këndshme ishte njohjave shtetit të Kosovës nga Izraeli. SHBA kishin paralajmëruar marrëveshje në fushat ekonomike. Ata që kanë pritur se me një takim do të kthehet delegacioni ynë nga SHBA, me njohje reciproke Kosovë -Serbi, kanë pasë ambicje joreale, ose nuk merren vesh në politikë”.


Analizë:

Artikulli i portalit “Fjalët.com” përmban titull të rremë, i cili nuk ka të bëjë me përmbajtjen brenda tekstit, me të cilin synohet që të përfitohen klikime dhe shpërndarje në rrjete sociale. Ky publikim karakterizohet si “Clickbait”.

Arsyetimi:

Clickbait – “Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others