Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Narrativa e pabazë në Serbi se me dronët turq për Kosovën po rrezikohet stabiliteti rajonal

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” nga Turqia më 8 tetor. Lajmi u bë i ditur nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Në komunikatën zyrtare të publikuar në uebfaqen “kryeministri.rks-gov.net”, Kurti është cituar të ketë thënë se “sot është një ditë e gëzuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe e jashtëzakonshme për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

Por udhëheqës politikë e institucionalë në Serbi e kanë interpretuar si destabilizim të rajonit furnizimin e Kosovës me dronët nga Turqia. Ata kanë akuzuar edhe Turqinë se “nuk do stabilitet” dhe se “ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane”. Sipas tyre, armatosja e Kosovës është “kërcënim për paqen dhe për popullin serb”.

Narrativi: “Turqia po nxit tensione e po përpiqet të rikthejë ndikimin osman në Ballkan”

Lidhur me këtë zhvillim reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në një postim në platformën “X” e interpretoi këtë si një veprim kërcënues ndaj Serbisë dhe rajonit, duke akuzuar Turqinë se po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe po synon, siç tha ai, “rikthimin e ndikimit të Perandorisë Osmane”.

“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe armatosjen e vazhdueshme të autoriteteve të Prishtinës. Tani është krejtësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe edhe njëherë po ëndërron për rikthimin e Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne qartë e kemi kuptuar mesazhin”.

Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq u shpërnda gjerësisht në disa media në gjuhën serbe. Shumica e tyre raportuan me tituj që theksonin pretendimin e Vuçiqit për “shkelje të Rezolutës 1244” nga ana e Turqisë dhe Kosovës, ndërsa disa portale e theksuan pjesën ku ai akuzon Turqinë se po synon “rikthimin e Perandorisë Osmane” (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Në disa raste të tjera, mediat e paraqitën furnizimin e Kosovës me dronë si “përgatitje për luftë”, duke nxitur një narrativë alarmuese për tensione të mundshme në rajon (shih këtu dhe këtu).


Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në platformën “X” ndaj deklaratave të Aleksandar Vuçiqit, duke theksuar se Turqia po mbështet Kosovën në ruajtjen e paqes dhe se veprimet e Kosovës kanë karakter mbrojtës. Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mbrojtës sipas standardeve të NATO-s për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për qytetarët.

“Në të njëjtën ditë kur presidenti Trump lavdëroi Turqinë dhe presidentin Erdogan për lidershipin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e paqes botërore dhe të sigurisë, Vuçiqi paturpësisht sulmon Turqinë, një shtet që, si shtet anëtar i NATO-s, po na ndihmon të ruajmë paqen”.

“Do të vazhdojmë të forcojmë lidhjet me aleatët e NATO-s, duke modernizuar kapacitetet tona mbrojtëse bazuar në standardet e NATO-s, duke siguruar paqe e stabilitet për njerëzit tanë dhe duke kontribuuar aktivisht në sigurinë e përgjithshme”.

Po ashtu, autoritetet kosovare kanë theksuar vazhdimisht se Forca e Sigurisë së Kosovës ka qëllime mbrojtëse dhe jo sulmuese. Kryeministri Albin Kurti ka nënvizuar se çdo blerje e pajisjeve ushtarake bëhet për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të shtetit dhe për të siguruar paqe e stabilitet për qytetarët e Kosovës. (shih këtu)

Narrativi: “Armatosja e Kosovës, kërcënim për paqen dhe për popullin serb”

Ndaj presidentes Osmani, ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Nëpërmjet një postimi në X, Petkoviq ka pretenduar se kjo armatosje nuk ka qëllime mbrojtëse apo demokratike, por për të frikësuar dhe kërcënuar serbët.

“Prapa sofizmave të pakuptimtë të Vjosa Osmanit rreth arsyeve të armatosjes turke, Prishtina fsheh një të vërtetë të thjeshtë. Kurti nuk po blen sisteme armësh për shkak të demokracisë dhe të sigurisë, por për të frikësuar dhe kërcënuar. Agresioni është e vetmja politikë ndaj së cilës separatistët në KeM janë angazhuar vazhdimisht”.

Pos shkrimit në X, edhe në uebfaqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është publikuar një reagim i Petkoviqit. Edhe aty është akuzuar Turqia për shkelje të Kartës së OKB-së dhe se po bëhet “partnere e Kurtit në minim të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Në komunikatë, Petkoviq pretendon se armatosja e institucioneve të Kosovës dhe furnizimi me dronë luftarakë janë të drejtuara kundër popullit serb, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po përdor këto pajisje për ta frikësuar dhe për ta shtypur komunitetin serb. Ai pretendon se dorëzimi i dronëve pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë nuk është rastësi, por për mbështetje politike për Kurtin që, sipas tij, synon të vazhdojë “terrorin ndaj serbëve”.

Reagimet e Petkoviqit u shpërndanë në media të ndryshme në gjuhën serbe (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Ai ka dhënë edhe intervista ku ka ripërsëritur këto pretendime, duke pohuar se Turqia po e furnizon fuqishëm Kosovën dhe duke lidhur këtë me “rrezik për rajonin”, përfshirë edhe marrëveshjen ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci (shih këtu). Qëndrime ndërlidhur pa bazë me këtë marrëveshje ushtarake ndërshtetërore dhe furnizimin e Kosovës me dronë, kanë dhënë edhe opinionistë politikë në Serbi (shih këtu).

Përmes këtij pretendimi ripërsëritet narrativa se shtetet përreth Serbisë nuk synojnë stabilitet në rajon dhe bashkëpunojnë mes tyre, duke u furnizuar me armë nga palë të tjera. (këtu)


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar në X duke shkruar se “vendimi i autoriteteve turke për të furnizuar me armë vdekjeprurëse regjimit të Kurtit përbën hedhje benzinë zjarrin dhe shembull të qartë të ndërhyrjes keqdashëse në çështjet rajonale me pasoja destabilizuese”. Sipas tij, veprimi i Turqisë “inkurajon politikat e agresionit ndaj serbëve dhe komuniteteve të tjera joshumicë në Kosovë”.

Edhe ky reagim u publikua në disa media në gjuhën serbe (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Ngjashëm ka pretenduar edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Mbrojtje dhe Çështjet e Brendshme, Milovan Drecun. Ai ka thënë se “dronët mund të përdoren vetëm ndaj popullit serb dhe janë si përgatitje për një konflikt” me forcat serbe të sigurisë (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Danijela Nikoliq, kryetare e Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovën, ka thënë se “ata që duan luftë dhe konflikte janë Prishtina dhe Albin Kurti”. Sipas saj, kjo “është luftë e të mëdhenjve”. Ajo ka pretenduar se ndikimi amerikan do të bjerë në disa pjesë të botës dhe se Turqia po mundohet të shtrijë ndikimin e saj (shih këtu dhe këtu).

Furnizimi me dronë i Kosovës ka nxitur edhe reagime të tjera me akuza brenda politikanëve në Serbi. Lideri i lëvizjes “Kreni-Pormeni (Lëviz-Ndrysho)”, Savo Manojloviq, ka thënë se Kosova po armatoset nga “miku i madh i Vuçiqit”, referuar Erdoganit (shih këtu dhe këtu).

Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjeneral Milan Mojsiloviq, ka protestuar ndaj furnizimit të Kosovës me dronët turq, në një bisedë me komandantin e KFOR-it, gjeneral majorin Ozkan Ulutash. Në bisedë, që është quajtur urgjente, ai ka thënë furnizimi me armë për Kosovën “është sinjal shumë i keq dhe kërcënon jo vetëm gjendjen e sigurisë në Kosovë, por edhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Edhe ai e ka akuzuar Turqinë për shkelje të Rezolutës së OKB-së (shih këtu).

Zyrtarë si Petar Petkoviq, Marko Gjuriq, Milovan Drecun dhe Danijela Nikoliq pretendojnë se furnizimi me dronë ka karakter agresiv dhe se do të përdoret kundër komunitetit serb në Kosovë. Mesazhi i zyrtarëve serbë është që të forcohet perceptimi se Kosova po armatoset për frikësim të serbëve dhe si e tillë është faktor destabilizues në rajon.

Analiza e fakteve mbi narrativat dominuese të zyrtarëve serb

Dy narrativat kryesore të zyrtarëve serb lidhur me dronët nga Turqia janë: shkelja e Rezolutës 1244 të OKB-së dhe prezantimi i armatosjes së Kosovës si kërcënim për paqen dhe serbët në rajon.

Rezoluta 1244 nuk e pengon furnizimin me armë të Kosovës. Megjithëse ajo ruan kornizën e përkohshme ndërkombëtare të sigurisë, Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë dhe ka siguruar njohje ndërkombëtare, si dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe ushtarake dhe për armatim me shtete anëtare të NATO-s. (shih këtu dhe këtu).

Blerja e dronëve nuk e cenon mandatin e KFOR-it dhe nuk përbën militarizim të ndaluar. Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK-ja ka disa kompetenca dhe disa parime. Në to përfshihen vetëm aspektet e mbrojtjes së sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të interesave të Kosovës.

Kosova ka arritur marrëveshje për blerje armësh edhe me shtete të tjera të NATO-s dhe këtë e ka bërë tash e sa vjet, qëkur u miratuan tri ligje në dhjetor të vitit 2018 për transformimin e FSK-së në ushtri. Pak pas miratimit të ligjeve për transformim më 2018, Kosova u furnizua me automjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë kishin ardhur disa automjete të tipit “Humvee”. Qeveria pati nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane “AM General”. 27 automjete ushtarake ishin donacion nga SHBA-ja e 24 ishin blerë nga Kosova. (shih këtu)

Në gusht të vitit 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës edhe 55 automjete të tipit ASV (Armoured Security Vehicle) (shih këtu). E ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në një shkrim në Facebook të enjten (9 tetor) ka thënë se për blerjen e kapaciteteve strategjike është shfrytëzuar sistemi i blerjes “shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s” (shih këtu).

Asnjëherë nuk ka pasur raportime në mediat ndërkombëtare se Forca e Sigurisë së Kosovës ka cenuar stabilitetin në rajon.

KFOR-i është misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë. Trupat e tij kanë për mandat të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (Shih këtu).

Pas tranzicionit të FSK-së në ushtri nëpërmjet ligjeve, kryeministri i atëkohshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in” e se FSK-ja është e gatshme të shërbejë bashkë me forcat e KFOR-it.

SHBA-ja e pati konsideruar të drejtë sovrane të Kosovës transformimin e FSK-së në forcë “me mandat për mbrojtje territoriale” (shih këtu).


Faktet tregojnë se pretendimet e zyrtarëve serb lidhur me furnizimin e Kosovës me dronë nga Turqia nuk mbështeten në realitet. Rezoluta 1244 nuk ndalon furnizimin e Kosovës me armë, ndërsa Kosova, që nga shpallja e pavarësisë në 2008, ka siguruar njohje ndërkombëtare dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe ushtarake me shtete anëtare të NATO-s. Për më tepër, qëllimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë mbrojtëse dhe jo sulmuese, siç e kanë theksuar autoritetet kosovare dhe presidentja Vjosa Osmani. Në këtë kontekst, narrativat e Serbisë që e paraqesin furnizimin me dronë si shkelje të Rezolutës 1244 ose si kërcënim për rajonin mbeten të pabazuara dhe në nivelin e një narrativi politik pa argumente faktike.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere