info@hibrid.info
Incidentet në Gorazhdec paraqiten pa fakte si pjesë e një strategjie për dëbimin e serbëve dhe heshtja ndërkombëtare etiketohet si bashkëfajësi
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 25 prill 2025, u raportua për grafite që supozohet se lavdërojnë UÇK-në në fshatin Gorazhdec, duke i quajtur ato “provokative” dhe “kërcënuese” për komunitetin serb lokal. Ndërsa incidenti paraqitej si pjesë e një fushate të qëllimshme për të frikësuar serbët në vendbanimet e tyre. (këtu)

Po ashtu, më 28 prill 2025, u raportua për një incident në fshatin Gorazhdec, ku thuhet se është gurëzuar një shtëpi në fshat. Incidenti u paraqit si “etnikisht i motivuar” dhe si pjesë e një vale më të gjerë provokimesh ndaj serbëve. (këtu)

Pra, të dy rastet Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i ka interpretuar si plan i Qeverisë së Kosovës për “spastrim etnik” të serbëve nga vendbanimet tyre.

Mbishkrimet “UÇK” dhe gjuajtja me gurë e një shtëpie në Gorazhdec

Mëngjesin e 25 prillit 2025, në fshatin Gorazhdec janë shfaqur grafite që, sipas raportimeve në disa media dhe reagimeve zyrtare serbe, “glorifikojnë UÇK-në” dhe cilësohen si provokim i qëllimshëm ndaj komunitetit serb në Kosovë. Më tej thuhet se edhe pse incidenti është raportuar te “e ashtuquajtura Polici e Kosovës”, autoritetet nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur.

Megjithatë, në raportet ditore të Policisë së Kosovës për atë ditë nuk figuron ndonjë njoftim zyrtar për këtë incident.

Ndërsa, më 28 prill 2025, disa media dhe burime zyrtare serbe raportuan për një incident në fshatin Gorazhdec, ku një shtëpi fshati iu thyen xhamat pas gjuajtjeve me gurë. Ky veprim u përshkrua si “incident i ri me motive etnike kundër serbëve” dhe u paraqit si pasojë direkte e “politikës ekstremiste të Prishtinës”, si dhe e “heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare”, e cila, sipas tyre, nuk ka dënuar asnjë nga incidentet e ndodhura në këtë zonë.

Pretendimi sugjeron se ky sulm është pjesë e një serie veprimesh të qëllimshme dhe të organizuara për të frikësuar komunitetin serb në Kosovë, dhe se mungesa e reagimit ndërkombëtar përbën një “njollë të përhershme” në qëndrimin e tyre ndaj sigurisë së serbëve në enklava.

Të dy incidentet përshkruhen si pjesë të një skenari të organizuar, pa ofruar prova të verifikueshme apo burime të pavarura që mbështesin një lidhje të drejtpërdrejtë mes grafiteve dhe gjuajtjes me gurë të një shtëpie në Gorazhdevc dhe ndonjë politike të centralizuar për “spastrim” të enklavave serbe. Mungesa e informacioneve të konfirmuara nga autoritetet vendore apo ndonjë institucion ndërkombëtar, e bën këtë narrativë të mbështetet më shumë në interpretime politike sesa në fakte të vërtetuara.

Hibrid.info ka trajtuar më parë pretendime të ngjashme dhe teori konspirative që lidhen me incidente në vendbanime me shumicë serbe, si dhe me grafite apo mbishkrime me emra si “UÇK”. Në shumicën e rasteve, autorët e këtyre veprave nuk janë identifikuar, ndërsa mungojnë prova konkrete që ato lidhen me ndonjë strukturë të organizuar apo me politikë zyrtare të institucioneve të Kosovës. (këtu, këtu, këtu, këtu, këtu)

Share With Others