Në përmbajtje të publikuara në media dhe rrjete sociale në gjuhën (shih këtu, këtu dhe këtu ), projekti i resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner në Shqipëri është shndërruar në pikënisje për një seri narrativash që vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e projektit, pronësinë e tokës, rolin e investitorëve dhe të ardhmen e zhvillimit. Në qendër të këtyre narrativave janë hetimet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj një personi që shiti tokën, ngrirja e rreth 110 milionë eurove nga transaksioni dhe lidhja e projektit me familjen Trump.

Në diskursin e këtyre përmbajtjeve, një hetim që lidhet me pronësinë dhe transaksionet e tokës zgjerohet në një dyshim më të gjerë mbi vetë projektin. Veprimet e SPAK-ut interpretohen si një “goditje” ndaj resortit, ndërsa dyshimet për dokumentet e pronësisë përdoren për të krijuar përshtypjen se projekti është ndërtuar mbi një bazë të paligjshme. Lidhja e Jared Kushnerit me Donald Trumpin i jep kësaj narrative edhe një dimension politik, duke e paraqitur rastin si një përplasje mes autoriteteve shqiptare dhe një projekti me lidhje të fuqishme ndërkombëtare.
Nga hetimi ndaj shitësit të tokës te dyshimet ndaj vetë projektit
Një nga elementet më të dalluara të narrativës është paraqitja e veprimeve të SPAK-ut si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj projektit të Kushnerit. Ngrirja e fondeve dhe masat ndaj pasurive përdoren për të sugjeruar se projekti është vënë nën hetim dhe se e ardhmja e tij është në pikëpyetje.
Hibrid.info ka gjetur një raportim të mediumit ndërkombëtar “Reuters”, ku vendoset ky zhvillim në një kontekst më specifik. Sipas dokumenteve të SPAK-ut të të raportuar nga “Reuters”, hetimi lidhet me Artur Shehun, biznesmenin që në prill e shiti tokën për projektin kompanisë Albania Land Development. Prokurorët dyshojnë se Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përdorur dokumente të falsifikuara të pronësisë dhe fonde të përfituara në mënyrë të paligjshme. Rreth 110 milionë euro nga shitja janë ngrirë në një llogari noteriale, duke penguar që fondet t’i kalonin Shehut.

Megjithatë, “Reuters” thekson një dallim thelbësor. Dokumentet e SPAK-ut nuk përmbajnë akuza për shkelje ndaj Jared Kushnerit, Sazan Real Estate Development, Albania Land Development apo investitorëve të tjerë të projektit. “Reuters” gjithashtu nuk gjeti indikacione se investitorët ishin në dijeni të dyshimeve ndaj Shehut kur e blenë tokën.
Edhe SPAK-u, duke iu përgjigjur interesimit nga mediat ndërkombëtare, ka mohuar se Jared Kushner është subjekt i hetimit (shih këtu, këtu dhe këtu). Përmbajtjet që e lidhin drejtpërdrejt Kushnerin me hetimin mund të krijojnë një përshtypje të ndryshme nga ajo që thonë autoritetet dhe dokumentet e hetimit.
Por, fakti që SPAK po heton çështje që lidhen me tokën e projektit nuk nënkupton se po heton edhe Kushnerin apo investitorët e resortit.
Toka e kontestuar dhe dyshimet për dokumentet e pronësisë
Çështja e pronësisë është një tjetër pikë qendrore e narrativës. Dyshimet se dokumentet e tokës mund të jenë falsifikuar krijojnë përshtypjen se vetë baza pronësore e projektit është e paligjshme.
Sipas “Reuters”, SPAK dyshon se Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë krijuar ose përdorur dokumente të falsifikuara për të fituar pronësi mbi prona, për t’i zgjeruar ato artificialisht dhe më pas për t’i transferuar në mënyrë që të vështirësohej gjurmimi i tyre. Shehu i mohon të gjitha këto akuza përmes avokatit të tij, i cili pretendon se familja e tij e kishte në pronësi tokën prej më shumë se një shekulli.
Përveç hetimit të SPAK-ut, ekziston edhe një kontest gjyqësor i veçantë. Banorë të Zvernecit kanë kundërshtuar prej vitesh pretendimin e Shehut mbi tokën dhe i kanë treguar Reuters dokumente pronësie dhe të dhëna tatimore që, sipas tyre, dëshmojnë se ata janë pronarët e ligjshëm. Avokati i tyre ka deklaruar se çështja mbetet e hapur dhe se synojnë të kërkojnë ndalimin e projektit.
Pra, dyshimet mbi tokën janë reale dhe janë objekt i procedurave të ndryshme ligjore. Por pretendimi se këto dyshime provojnë se investitorët e resortit kanë kryer shkelje nuk mbështetet nga informacioni i raportuar nga “Reuters”.
Lidhja me Kushnerin dhe familjen Trump
Përmendja e Jared Kushnerit dhe Donald Trumpit luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si është ndërtuar narrativa. Duke qenë se Kushneri është dhëndër i Trumpit dhe investitor në projekt, përmbajtjet e paraqesin rastin si një projekt me peshë të veçantë politike dhe ndërkombëtare.
“Reuters” konfirmon se Kushner është investitor në projektin e zhvilluar nga Sazan Real Estate Development, por thekson se natyra e saktë e rolit të tij dhe madhësia e investimit nuk janë bërë publike. Mbi të gjitha, raportimi nuk identifikon ndonjë akuzë të SPAK-ut ndaj Kushnerit.
Kjo është e rëndësishme sepse lidhja reale e Kushnerit me projektin mund të përdoret për të krijuar një asociim më të gjerë, nga një hetim ndaj personit që shiti tokën, te ideja se vetë investitori amerikan ose familja Trump janë nën hetim. Reuters nuk e mbështet një përfundim të tillë.
Nga problemet ligjore te e ardhmja e projektit
Narrativat e paraqesin gjithashtu situatën si një goditje që mund ta çojë projektin drejt dështimit. Hetimi i SPAK-ut, fondet e ngrira dhe kontestet mbi pronësinë përdoren së bashku për të krijuar idenë se resorti është gjithnjë e më pranë bllokimit.
Faktet tregojnë se projekti përballet me pengesa reale. Përveç çështjeve që lidhen me tokën, ai është kundërshtuar për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe ka shkaktuar protesta të shumta. Reuters raporton se zona ku planifikohet resorti përfshin plazhe, pyje dhe një ligatinë ku jetojnë breshka deti dhe flamingo. Banorët dhe kundërshtarët e projektit kanë kundërshtuar zhvillimin e tij, ndërsa qeveria shqiptare vazhdon ta mbështesë projektin dhe deklaron se ai po zhvillohet në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato të BE-së.
Për rrjedhojë, hetimi i SPAK-ut është një zhvillim i rëndësishëm që mund të ndikojë në projekt, por nuk përbën në vetvete provë se projekti është anuluar ose se investitorët e tij janë nën hetim penal.
Në tërësi, narrativa rreth resortit ndërtohet duke bashkuar disa çështje reale, hetimin e SPAK-ut, dyshimet mbi dokumentet e tokës, kontestet pronësore, protestat mjedisore dhe lidhjen e projektit me Jared Kushnerin, duke i vendosur ato në një kornizë të vetme ku projekti paraqitet si i përfshirë në një skandal të gjerë. Gjetjet tregojnë se, megjithatë këto çështje duhet të dallohen nga njëra-tjetra. Hetimi penal i përshkruar lidhet me Artur Shehun dhe transaksionet e tokës, ndërsa nuk ka akuza të raportuara ndaj Kushnerit apo investitorëve të tjerë të resortit.