Mediumi informativ “Kosova-sot.nfo” ka publikuar dje (26 tetor) me titull “Shpëtohen mbi 1.000 mace, po transportoheshin për t’u shitur si mish qengji”. Ndërsa në postimin e bërë në Facebook këtij titulli i është shtuar mbishkrimi “Ç𝐤𝐚 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐞 𝐭𝐞𝐩ë𝐫𝐭 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐞 𝐭𝐞𝐩ë𝐫𝐭!”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues sepse nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja.
Lajmi sqarohet në përmbajtjen e artikullit, më saktësisht në kreun e tij, ku thuhet se, “policia në Kinë ka shpëtuar më shumë se 1,000 mace nga therja dhe shitja si mish derri apo qengji”.
Duke parë që ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) e shumica e lexuesve të tij janë shqip-folës (shih këtu), hibrid.info vlerëson se titulli si i tillë lë hapësirë për interpretim se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë.
Vegëza e artikullit të publikuar nga “Kosova sot”:
Për të vërtetuar se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Kinë, hibrid.info ka gjetur artikuj të publikuar nga mediat të huaja lidhur me ngjarjen. (këtu, këtu)
Analiza:
Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një artikull në lidhje shpëtimin e 1000 maceve të cilat planifikoheshin të shiteshin si mish qengji në Kinë, por në titullin e së cilit nuk sqarohet se ku ka ndodhur ngjarja.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë artikull e vlerëson si “clickbait”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.