Portali informativ “ntv.al” ka publikuar sot (1 mars) një artikull të titulluar, “Erdogan fut duart në dialog/ Vjen mbështetja e madhe nga Ankaraja”.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se në përmbajtje të këtij artikulli, informatat e paraqitura në titull janë bazuar nga deklaratat e një profesori turk, gjë e cila nuk sqarohet në titull.
Mos saktësimi i informatës në titull se ajo paraqet një deklaratë apo citim, nënkuptohet dhe lexohet si një informacion i ndodhur.
Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “ntv.al”:
Pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se përmbajtja e artikullit paraqet deklarime të Prof. Dr. Irfan Kaja Ulger nga Universiteti Kocaeli i Turqisë.
Deklaratat e drejtpërdrejta të Prof. Irfan Kaja Ulger marrë nga artikulli i “ntv.al”
“Nga njëra anë BE-ja dhe SHBA-ja, nga ana tjetër Rusia dhe madje edhe Kina duan të vendosin dominim në ketë zonë. Turqia është e vetëdijshme për të gjitha këto dhe duke përdorur këto marrëdhënie dhe ndikimin e saj në Serbi, kërkon të parandalojë thellimin e konfliktit. Erdogan ka marrë një ose dy herë iniciativën në këtë kontekst. Ai ia ka bërë të qartë veçanërisht Aleksander Vuçicit se duhet të respektojë integritetin territorial të Kosovës. Dhe nëse Serbia mbështet separatistët në Kosovë apo Bosnje dhe Hercegovinë, Turqia është kundër ketij plani”
“Njëra pas tjetrës vendet e rajonit po hyjnë në NATO nga njëra anë dhe në BE nga ana tjetër. Në keto rrethana, politika e balancuar e Turqisë nuk duhet të shqetësojë askënd, por është në interes të nacionalizmit serb, i cili ka ambicie ekspansioniste, të marrë parasysh faktorin turk”
Hibrid.info me anë të makinave të kërkimit ka gjetur të publikuar dje (29 shkurt) të njëjtin artikull nga portali informativ në gjuhën serbe “kosovo-online.com”, me titullin e vendosur, “Ulger: Marrëdhëniet e ngushta të Turqisë me Shqipërinë dhe Kosovën nuk përbëjnë kërcënim për Serbinë”, nga i cili qysh në fillim bëhet e qartë se bëhet fjalë për artikull të bazuar në deklarime publike (shih këtu).
Hibrid.info për të vërtetuar se nuk ka të dhëna për informatat e publikuara së fundi në titullin e artikullit të “ntv.al”, ka hulumtuar mbi qëndrimet e fundit institucionale të Turqisë mbi dialogun Kosovë-Serbi.
Artikujt e gjetur tregojnë për shprehje të mbështetjes dhe gadishmëri për të ndërmjetësuar në dialog nga presidenti turk, Erdogan (këtu), në takimet që kishte zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti (2023) dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq në vitin 2022 (këtu).
Po ashtu edhe artikujt e gjetur të publikuar (19 shkurt) nga media në gjuhën shqipe, të cilat kanë raportuar deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, i cili ka informuar se nuk pritet raund i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dëshmojnë se BE vazhdon të mbetet ndërmjetëse e këtij dialogu (shih këtu, këtu dhe këtu).
Analiza:
Titulli që pretendon se Erdogan do të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, nuk është i qëndrueshëm.
Hibrid.info ka verifikuar se informacioni i paraqitur në titull është bazuar nga deklaratat e një profesori turk dhe veprimet e deklarimet e mëhershme të presidentit Recep Tayip Erdogan.
Gjetjet tjera tregojnë se BE vazhdon të mbetet ndërmjetësuese e dialogut ndërmjet Kosovë – Serbi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Vlerësimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.