info@hibrid.info
Netanyahu nuk ka thënë se “pas Iranit radhën e ka Turqia për kohë të shkurtër”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh ku shihet kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, me një mbishkrim që pretendon se ai ka deklaruar: “Pas Iranit radhën e ka Turqia për kohë të shkurtër”.

Kjo përmbajtje është publikuar të dielën (1 mars) në Facebook, nga një faqe me emrin “Lajme”.

Postimi gjithashtu ka një vegëz të bashkangjitur në hapësirën për komentim dhe bën të ditur se artikulli përmban video, e cila thuhet se mbështet deklaratën e paraqitur në mbishkrimin e imazhit.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info gjeti se artikulli në vegëz nuk përmban deklaratë të Netanyahut dhe as video-material. Gjithashtu, nga burimet kredibile, nuk është gjetur se lideri izraelit ka bërë deklaratën që pretendohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Izraeli, nga 28 shkurti, kanë nisur sulme ushtarake ndaj Iranit (shih këtu).

Paraqitja e këtij pretendimi në këtë mënyrë nënkupton se bëhet fjalë për një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe të konfirmuar nga kryeministri Netanyahu, ku paralajmërohet një veprim apo përshkallëzim i ngjashëm ndaj Turqisë.

Kjo mund të vlerësohet edhe në bazë të përmbajtjes së komenteve në postim.


Hibrid.info ka kontrolluar përmbajtjen e tekstit të bashkangjitur. Aty nuk paraqitet asnjë citim i tillë i drejtpërdrejtë nga Netanyahu. Artikulli flet në mënyrë të përgjithshme për disa zyrtarë dhe analistë izraelitë, raportime në mediat izraelite, komente në shtypin izraelit dhe thekson se nuk ka një deklaratë zyrtare që e shpall Turqinë si kërcënim në të njëjtin nivel me Iranin.

Artikulli po ashtu nuk përmban as video.

Përmbajtja e tekstit:

“Pas përshkallëzimit të tensioneve me Iran, disa zyrtarë dhe analistë izraelitë po e konsiderojnë Turqin si sfidën e ardhshme strategjike për sigurinë e shtetit hebre.

Sipas raportimeve në mediat izraelite, shqetësimet lidhen me rritjen e ndikimit rajonal të Ankarasë, politikën e saj më të ashpër ndaj Izraelit dhe ambiciet për rol më të madh në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor. Disa komente në shtypin izraelit e përshkruajnë Turqinë si “fronti i ardhshëm strategjik”, megjithëse nuk ka një deklaratë zyrtare që e shpall atë si “kërcënim ekzistencial” në të njëjtin nivel me Iranin.”

Pra, nga kjo vërehet një mospërputhje mes titullit (që paraqet një deklaratë direkte të Netanyahut) dhe përmbajtjes (që flet për analiza dhe komente mediatike, jo për një deklaratë të tij të konfirmuar).


Hibrid.info gjithashtu ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “netanyahu turkey”. Rezultatet nga kërkimi, për përmbajtjet e publikuara në shtatë ditët e fundit, nuk kanë shfaqur asnjë burim kredibil që do të konfirmonte ndonjë deklaratë të Netanyahut për çfarëdo veprimi të mundshëm ndaj Turqisë.


Faqja që ka publikuar pretendimin numëron 38 mijë ndjekës (shih këtu). Nga të dhënat publike, faqja ka të publikuar një domain “koranews.24”, i cili nuk duket të jetë akti. Por, kjo faqe nuk rezulton të jetë medium i regjistruar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) (shih këtu).

Në transparencën e faqes tregohet se vendndodhja e personave që menaxhojnë këtë faqe është Maqedonia e Veriut.

Kjo faqe në Facebook shpërndan artikuj të cilat si bazë kanë domainin “24news.us”. Faqja duket të jetë e programuar që të shfaqë artikujt vetëm nëse vjen nga një vegëz në Facebook. Nëse tentohet të hyhet direkt në faqen kryesore (Home), e njëjta nuk tregon artikujt dhe tregon përmbajtje tjera në gjuhën angleze.

Pas kontrollit përmes “urlscan”, platformë që analizon URL-të e uebfaqeve, nuk është konfirmuar që domaini “24news.io” të jetë i rrezikshëm.

Megjithatë, përmes “Gemini”, chatbot i “Google” i bazuar në inteligjencën artificiale (IA), është vlerësuar se në këtë rast, faqja në fjalë përdorë teknikën “cloaking” për të shfaqur përmbajtje përmes vegëzave direkte, ndërsa fsheh lajmet nga navigimi normal i faqes kryesore.

“Cloaking” (në shqip maskim ose fshehje) është një teknikë e rrezikshme që përdorin mashtruesit për t’ju drejtuar në faqet e internetit të “phishing” (shih këtu).

Analiza:

Imazhi i publikuar ku shihet kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, me një mbishkrim që pretendon se ka deklaruar: “Pas Iranit radhën e ka Turqia për kohë të shkurtër”, nuk është i vërtetë.

Artikulli i bashkangjitur postimit nuk përmban citim të drejtpërdrejtë dhe as video që do të përputhej me pretendimin e imazhit. Teksti flet vetëm për analiza të mediave dhe disa zyrtarëve izraelitë.

Gjithashtu, burimet kredibile nuk konfirmojnë se Netanyahu ka bërë ndonjë deklaratë të tillë.

Faqja që e publikoi përdor një domain të dyshimtë dhe teknikën e “cloaking”, duke fshehur përmbajtjen dhe duke shfaqur vetëm lajmet për vizitorët nga Facebook.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Leave a Reply