Shkroi: Fatbardh Dema
Tri përmbajtje që pretendojnë se paraqesin sondazhe zgjedhore në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës, janë publikuar në llogarinë me emrin “albinicilini” në Tiktok.
Të nisura nga 24 nëntori, tri publikimet kanë marrë rreth 20 mijë shikime në këtë media sociale.
Cilat janë pretendimet?
- Më 24 nëntor, kjo llogari publikoi grafikun e parë, me të cilin pretendonte sondazhet e asaj date. Sipas grafikut, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) printe me 50 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte 21 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 për qind.
- Më 3 dhjetor, llogaria e njëjtë publikoi grafikun e ardhshëm, që sipas pretendimit, i paraqiste sondazhin e fundit, atë të 3 dhjetorit, pa përfshirjen e mërgatës. Në grafik, LVV-ja mbërriti në 51.2%, e ndjekur nga PDK-ja me 19.8%, LDK-ja me 16.7%. Grafiku tani përmbante edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.02% dhe Nisma Socialdemokrate me 3.1%. Përmbajtja e njëjtë është publikuar edhe më 6 dhjetor, duke e kombinuar me një video në të cilën shfaqet kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, nga fushata e zgjedhjeve të shkurtit.
E vërteta?
Hibrid.info ka verifikuar të dy pretendimet dhe sipas rezultateve, ato dolën të jenë të rreme.
Hibrid.info ka verifikuar në “Google” me fjalët “Sondazh për zgjedhjet e 28 dhjetorit”, “LVV 50%, PDK 21%, LDK 18%” dhe “LVV 51.2%, PDK 19.8%, LDK 16.7%, AAK 5.02%, Nisma 3.1%”. Asnjë nga këto tri kërkimet nuk rezultoi të jetë publikuar në ndonjë media apo burim tjetër kredibil.
Hibrid.info ka verifikuar edhe përmes fotografive. Grafiku i parë u has i publikuar edhe në llogarinë “Mbreti Agron” në Facebook, po ashtu më 24 nëntor.
Ndërsa grafiku i dytë nuk rezultoi në asnjë publikim tjetër.
Çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Publikimet nga kjo llogari, përmbajtjet e së cilës po trajtohen, nuk i përmban asnjë nga këto informata. Ndonëse nuk kanë asnjë nga këto informata, përmbajtjet kanë nxitur debate bazuar në komente. Janë mbi 150 komente në të tri postimet, ndërsa përmbajtjet i kanë marrë edhe mbi 1000 pëlqime.
Sondazhet si fenomen i mediave sociale para zgjedhjeve:
Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në këtë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme. Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese. Ritmi i publikimeve të sondazheve të rreme u vazhdua edhe për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor dhe 9 nëntor. (shih këtu)
Presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor vendosi për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalli 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Analiza:
Llogaria me emrin “albinicilini” në TikTok ka publikuar tri përmbajtje që paraqiten si sondazhe zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Verifikimi i Hibrid.info ka treguar se këto sondazhe janë tërësisht të rreme: nuk gjenden në asnjë burim kredibil dhe mungojnë të gjitha të dhënat bazike të një sondazhi.
Publikimet kanë marrë mijëra shikime e komente, duke nxitur debat të pabazuar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.


