[email protected]
Rishikimi i javës: Gabime nga portalet informative, dezinformata nga portalet e dyshimta, publikime mashtruese në Facebook
shape
shape
shape

Përmbajtjet dezinformuese dhe clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi.

Dezinformata nga portale të dyshimta lidhur me tërmet në Shqipëri, ngjarjen tragjike në Bon Vivant, si dhe për mbylljen e një barnatoreje në vend të një ordinance stomatologjike për shkak të vdekjes së një 35 vjeçareje. Përmbajtje dezinformuesë në Facebook lidhur me vaksinat mRNA Covid. Dezinformatë nga portal informativ lidhur me një deklaratë të deputetit Avdullah Hoti.

Clickbait artikuj nga portale informative lidhur me vdekjen e disa personave nga mushkonjat me virusin e Nilit, për aksident me të vdekur, për vdekjen e personave pas infektimit me bakterin Legionela, për ndalimin e skuterave elektrikë.

Publikime mashtruese nga faqe në Facebook për lojë shpërblyese dhe kredi personale.

Përmbajtje e rremë në TikTok lidhur me një deklaratë të deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi.

Gabime nga portalet informative lidhur me të hyrat në buxhetin e Kosovës, rreth arrestimit të personave zyrtarë të dyshuar për korrupsion, si dhe për luftën në Ukrainë.

Dezinformatë

Portali informativ “Kosova Sot” bazuar në një deklarim në Facebook, të Avdullah Hotit, deputet i Kuvendit të Kosovës, ka publikuar një artikull me titull “Hoti: Me rezervat shtetërore është bërë pazar, ky pushtet duhet larguar sa më parë”. Mirëpo pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se në mbishkrimin e këtij postimi në Facebook, është shtuar deklarata se ish-kryeministri Hoti është deklaruar se “ka ardhur koha e LDK-së”, deklarim të cilin nuk e gjejmë as në artikullin e publikuar në ueb-faqen e “Kosova Sot” e as në postimin e Hotit në Facebook. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “newz1.com” ka publikuar një artikull me titull “E FUNDIT / Zot na mbaj doren…Lëkundje tërmeti në Shqipëri”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër. Tërmeti 2.6 ballë u regjistrua rreth orës 21:56 minuta me datën 20 gusht, 9 km larg Elbasanit. Pra, portali i lartcekur është munduar që tërmetin e ndodhur më 20 gusht ta paraqesë si aktual, duke i shtuar në titull cilësimin “e fundit”. (këtu)

Portali i dyshimtë “promakale.com” ka publikuar një artikull me titull “Perveq Dukes, edhe ky person tjeter i dyshuar ne arrati per tragjedin ne Bon Vivant”. Titulli i artikullit ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur në fillim të këtij muaji, ku në lokalin “Bon Vivant” nga një incident ku mbeti i vdekur një person e katër të tjerë të lënduar dhe 17 të plagosur. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se bëhet fjalë për vetëm një person të arratisur dhe jo ashtu siç pretendohet në titull, si dhe po ashtu përmbajtja e artikullit të publikuar nga portali i dyshimtë, është marrë nga një artikull që ka të bëjë me një ngjarje tërësisht tjetër. (këtu)

Portali i dyshimtë “Promakale.com” ka pretenduar rrejshëm përmes titullit për mbylljen e një barnatore si shkak për vdekjen e një 35 vjeçare. Ndërsa në përmbajtje të artikullit bëhet e ditur se Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur përkohësisht një ordinancë ku një qytetare kishte vdekur pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në këtë klinikë. (këtu)

“Investiguesi Shkrimor”, një llogari me përmbajtje propaganduese në gjuhën shqipe në Facebook, ka publikuar një postim ku pretendohet se ‘Ligjvënësit në Florida kanë njoftuar planet për të përcaktuar zyrtarisht vaksinat mRNA Covid si “armë bio’ që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”. Postimi është shoqëruar edhe me një video-material marrë nga “CBS12”, televizion amerikan në shtetin e Floridas – SHBA, në studion e të cilit diskutohet pretendimi i shfaqur nga llogaria e lartcekur. Megjithatë, hibrid.info ka gjetur se pretendimi nga kjo faqe është i pasaktë. Në bazë të gjetjeve është bërë e qartë se bëhet fjalë për kërkesë nga disa anëtarë të Partisë Republikane nga qarku Lee (vend në shtetin e Floridas), për ndalimin e këtyre vaksinave dhe jo nga ligjvënësit e këtij shteti, siç pretendohet në artikull. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “sot.com.al” ka publikuar artikullin me titull “Ngrihet alarmi/ U infektuan nga mushkonjat me virusin e Nilit, ndërrojnë jetë tre persona”. Pas verifikimit e fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se portali “sot.com.al” ka publikuar një artikull lidhur me vdekjen e tre personave në Rumani, si pasojë e infektimit nga mushkonjat me virusin e Nilit, por në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Kjo bën që titulli përgjithësues të lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)

Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar artikull mbi një aksident me të vdekur dhe të lënduar. Në titujt e artikujve të publikuar nga mediat në fjalë nuk është saktësuar se ku ka ndodhur ngjarja. Hibrid.info ka vërejtur se vendi i ngjarjes në këto artikuj sqarohet në përmbajtje, ku tregohet se bëhet fjalë për aksident tragjik të ndodhur në Turqi. Në rastin konkret, mos specifikimi i vendit të ngjarjes krijon pa qartësi dhe keqkuptime se bëhet fjalë për lajm të ndodhur në hapësirat shqip-folëse. (këtu)

Dy portale në gjuhën shqipe kanë publikuar artikull mbi vendimin e marrë, që ndalon skuterat elektrikë në Paris, por që në titullin e artikullit nuk specifikohet se në qytetin e cilit shtet bëhet fjalë. Nga të dhënat e gjetura mbi mediat në fjalë, fakti që këto dy portale veprojnë në hapësirat shqip-folëse, mund t’i dezinformojë lexuesit se bëhet fjalë për ndonjë qytet në hapësirat ku këto media bëjnë detyrën. (këtu)

Portali “gazeta-shqip.com” ka publikuar artikull mbi një dhunim të ndodhur në Itali, por që në titullin e artikullit nuk saktësohet vendi i ngjarjes. Nga të dhënat e gjetura mbi mediumin në fjalë, tregohet se fakti që ky portal vepron në Shqipëri, mund t’i dezinformojë lexuesit se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Shqipëri. (këtu)

Gazeta online “Bota Sot” ka publikuar një artikull lidhur me vdekjen e 7 personave në Poloni pas infektimit me bakterin Legionela, i cili rritet në ujë ose në kondicionerë dhe shkakton probleme serioze në frymëmarrje. Mediumi në fjalë nuk e ka qartësuar në titull vendin se ku ka ndodhur ngjarja. (këtu)

Mashtrim

Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar një postim dhe imazh me mbishkrim të datës 19 gusht, ku pretendohet se ofrohet kredi deri në 50 mijë euro për StartUp biznese. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vërejtur se faqja “Kredi personale” në Facebook. ka përdorur kampanjë të bankës ProCredit, duke e publikuar si ofertë dhe mundësi për kredi nga kjo faqe. (këtu)

Një faqe në Facebook me emrin “Conad Albania” që numëron 12 ndjekës, ka publikuar lojë shpërblyese të rreme me pretendimin se fituesit do të shpërblehen. Veprimtarinë e faqes në fjalë e bën të dyshimtë fakti që në seksionin “About” nuk ka asnjë informacion, adresë apo kontakt. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se faqja e lartcekur ka përdorur logon e rrjetit të marketeve italiane në Shqipëri “Conad Albania”, duke u munduar që të paraqitet si faqe zyrtare e kësaj kompanie. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok me emrin “lagraqsaqi” ka publikuar një video-material me imazhin e Arben Gashit, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së dhe një mbishkrim si deklaratë e tij. Në mbishkrim pretendohet se Gashi është deklaruar se do ta votonte Listën Serbe para Lëvizjes Vetëvendosje. Hibrid.info ka hulumtuar dhe nuk ka gjetur dëshmi që provojnë se një deklaratë e tillë është bërë nga deputeti Gashi. (këtu)

Gabim

Portali informativ “Veriu.info” ka publikuar një artikull me titull “Rekord: Një milionë euro të hyra në buxhetin e Kosovës”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli është i shkruar gabim. Në përmbajtje të artikullit, duke iu referuar njoftimit nga Dogana e Kosovës, përmes së cilit sqarohet se deri më 22 gusht janë mbledhur 1 miliard euro, duke tejkaluar vitin e kaluar me 71 milionë euro apo 7.62%. (këtu)

Portali informativ “nacionale.com” ka publikuar një artikull në titullin e së cilës pretendohet se persona zyrtarë të dyshuar për korrupsion, janë arrestuar. Megjithatë, hibrid.info ka verifikuar se ndaj të dyshuarve për korrupsion është ngritur aktakuzë, por nuk ka vendim për arrest, nga Prokuroria Speciale e Kosovës. (këtu)

Mediumi online “Kosovapost.net” ka publikuar një artikull lidhur me sulmet ajrore me raketa dhe drone ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, të cilit i ka vënë fotografi jo adekuate. Pas hulumtimit të hibrid.info përmes makinave digjitale të kërkimit, është vërtetuar se në këtë artikull është vënë fotografi jo adekuate, pasi e njëjta nuk paraqet agresionin rus që aktualisht po ndodhë në Ukrainë, por është realizuar në protestat e vitit 2014 në Kiev. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Portali “Botapress.info” ka pretenduar pa saktë se në një kopsht të fëmijëve në Prishtinë dyshohet se u keqtrajtua një fëmijë 3 vjeçar. Mirëpo, prindërit e fëmijës, në një prononcim për portalin informativ “Sinjali.com” kanë sqaruar se ngjarja ka ndodhur në një kopsht të fëmijëve në Ferizaj. (këtu)

Share With Others

Translate »