[email protected]
Nuza do të ndajë drejtësi në Ligën e Kampionëve për grupmoshat e reja (U19)
shape
shape
shape

Portalet informative “Indeksonline.net” dhe “GazetaEnigma.com” kanë publikuar dje (7 tetor) një artikull me titull “Genc Nuza do të jetë gjyqtar në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, Plzen – Bayern Munich”.

Nga verifikimi i fakteve, kuptohet se këto portale në këtë artikull kanë vendosur titull jo adekuat, i cili nuk qartëson përmbajtjen.

Në përmbajtje bëhet e ditur se gjyqtarët nga Kosova do të referojnë ndeshjen e grupmoshave të reja nën 19 vjeç (U19), e cila zhvillohet ndërmjet Victoria Plzen dhe Bayern Munchen.

Ndërsa në titull lë të kuptohet se gjyqtari nga Kosova, Genc Nuza, do të ndajë drejtësinë e ndeshjes së ekipeve të para të këtyre dy skuadra në kuadër të Ligës së Kampionëve.


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalet “Indeksonline.net” dhe “GazetaEnigma.com”:

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA vazhdon t’i besojë ndeshje të rëndësishme gjyqtarit më të mirë kosovar Genc Nuza.

Nuza do të ndajë drejtësinë në sfidën e Champions Leagues për U19 ku ndeshën Viktoria Plzen – Bayern Munich.


Vegëzat e artikullit të publikuar në portalet “Indeksonline.net” dhe “GazetaEnigma.com”:

https://indeksonline.net/genc-nuza-do-te-jete-gjyqtar-ne-ndeshjen-e-liges-se-kampioneve-plzen-bayern-munich-1/


Në postimin e këtij artikulli në Facebook nga portali “IndeksOnlinet.net”, vërehet se lexuesit kanë rënë pre e këtij titulli, të cilët duket se janë keqinformuar duke menduar se gjyqtarët kosovarë do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen ndaj ekipeve të para të këtyre dy skuadrave, e jo të grupmoshave të reja nën 19 vjeç. (shih këtu)


Për ta qartësuar edhe më shumë faktin se gjyqtarët nga Kosova, Genc Nuza, Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj do të referojnë ndeshjen Plzen (u19) – Bayern Munchen (u19), hibrid.info ka gjetur këtë informacion në ueb-faqen e UEFA Youth League (UEFA – Liga e të rinjëve). (shih këtu)


Analiza:

Portalet “Indeksonline.net” dhe “GazetaEnigma.com” kanë publikuar një artikull lidhur me gjyqtarët e futbollit nga Kosova, të cilët do të referojnë në ndeshjen Victoria Plzen – Bayern Munchen për grupmoshat nën 19 vjeç (U19).

Ndërsa në titullin e këtij artikulli, këto portale nuk kanë qartësuar se gjyqtarët nga Kosova do të referojnë ndeshjen e këtyre grupmoshave të reja, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për ndeshjen e ekipeve të para ndërmjet këtyre dy skuadrave.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others