info@hibrid.info
Opinion ligjor i një avokati paraqitet në titull si fakt i kryer
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve” është titulli që i është vendosur një artikulli të publikuar.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (29 maj) nga një medium në gjuhën shqipe, me emrin “BotaeLajmeve.info”.

Çka nuk shkon me titullin e përmbajtjes?

Pohimi se janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht të Thaçit dhe të tjerëve është paraqitur në titull si fakt i konfirmuar, ndonëse në përmbajtjen e artikullit ai buron nga një opinion i avokatit mbrojtës, diçka që nuk bëhet e ditur në mënyrë të qartë në titull.


Përmbajtja e njëjtë është shpërndarë edhe në faqen në Facebook të këtij mediumi (shih këtu).

Fotografia ilustruese që shoqëron artikullin paraqet ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët tjerë të Ushtrisë Çlirimtaret të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Titulli i lajmit është i rëndësishëm sepse përmban temën e tekstit (shih këtu).

Ndërsa në kreun e këtij lajmi (shih këtu), ku përmblidhet tema kryesore e lajmit shkruhet se “Të hënën, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me bashkëakuzuarit e tij, pritet të paraqesë mocionin për rrëzimin e disa prej pikave të aktakuzës në Dhomat e Specializuara në Hagë”.

Kjo tregon një mospërputhje ndërmjet mesazhit që përcjell titulli dhe asaj që paraqitet në kreun e artikullit.

Në paragrafin tjetër, ku është paraqitur materiali që mbështet kreun shkruan se “Në lidhje me këtë proces, avokati i licencuar në Gjykatën Speciale, Artan Çerkini, në emisionin “Info Plus” në RTK, theksoi se kjo procedurë përbën një hap të ri dhe të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë ku përfshihen shtetasit e Kosovës”.

Pra, në këtë paragraf sqarohet se informacioni i paraqitur në kre, ka ardhur nga një deklaratë e një avokati, pjesë e mbrojtjes së të akuzuarve në gjykimin në Hagë. Pjesa tjetër e artikullit është e ndërtuar nga tre deklarata të cituara drejtpërdrejtë nga avokati Çerkini.

Deklarata e dytë e avokatit Çerkini, e cituar drejtpërdrejtë thotë: “Mendoj që tani janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht, ngase paraburgimi është masa më e rreptë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Përveç paraburgimit, ekzistojnë edhe masa të tjera alternative. Sa më shumë të avancojë procedura, aq më shumë duhet të zbuteshin masat e sigurisë,”.

Këtu sqarohet se informacioni që përmban titulli, paraqet një opinion apo interpretim ligjor të ardhur nga avokati në fjalë.


Hibrid.info ka gjetur se sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 23, në paragrafin 4, sqarohet se: Gjyqtari i procedurës paraprake është kompetent për të përcaktuar në mënyrë të pavarur nëse shqiptimi apo vazhdimi i privimit të lirisë së të pandehurit është proceduralisht apo kushtetutshmërisht i lejuar. Gjyqtari i procedurës paraprake ka për detyrë që të urdhërojë lirimin e të pandehurit, heqja e lirisë të së cilit nuk është proceduralisht apo kushtetutshmërisht e lejuar (shih këtu).

Bazuar në faktin se Dhoma e Specializuara veprojnë në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, lirimi me kusht për të akuzuarit në këtë proces varet nga vendimi i gjykatës së këtij tribunali. Që do të thotë se, mos saktësimi i informacionit në titull si një opinion, në këtë rast mund të bëjë që audienca ta lexojë informacionin si fakt të konfirmuar.

Bazuar në faktin se Dhoma e Specializuara funksionon brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, vendimi për lirimin me kusht të të akuzuarve në këtë proces i takon vetëm gjykatës së këtij tribunali. Prandaj, mospasqyrimi i qartë i informacionit si opinion në titull mund ta shtyjë audiencën ta interpretojë atë si fakt të konfirmuar.

Hibrid.info ka gjetur artikuj të publikuar nga media tjera, ku sqarohet qysh në titull, se informacioni për plotësimin e kushteve për lirim me kusht të Thaçit dhe të tjerëve, vjen si deklaratë e avokatit Çerkini (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza

Titulli “Janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve” nuk është i përshtatshëm, pasi paraqet një opinion subjektiv si fakt të konfirmuar.

Ky titull e paraqet pohimin e një avokati të mbrojtjes si konstatim gjyqësor, pa e bërë të qartë se bëhet fjalë për një deklaratë individuale, e jo për vendim zyrtar të gjykatës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e paraqitur në këtë formë, “Clickbait”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others