info@hibrid.info
Pa asnjë burim kredibil, në media sociale qarkullon një “sondazh” për partitë politike
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në disa formate të ndryshme është publikuar në media sociale një grafikon që pretendon se paraqet sondazh për partitë politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

I publikuar si video dhe fotografi në TikTok e Facebook, por edhe si komente në postime të ndryshme, pretendimi është se në nëntor është bërë një matje e opinionit publik për katër partitë më të mëdha parlamentare në Kosovë.

Sipas imazhit të shfaqur në të gjitha përmbajtjet në fjalë, grafiku e paraqet si subjekt të parë Lëvizjen Vetëvendosje (VV) me 55 për qind, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) si të dytën me 19%, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me 15% dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si të katërtën me 5%.


Pretendimet dhe e vërteta?

Publikimi u has fillimisht në Facebook në faqen “Mindpol” (arkivuar). E publikuar si “reels” me imazhin i cili pretendon sondazh për partitë politike, videoja përmban mbishkrimin “një sondazh i bërë nga një kompani private sllovene”, pa specifikuar se kush saktësisht ka kryer matjen e pretenduar.

Duke shfrytëzuar kërkimin me fotografi në “Google”, hibrid.info ka gjetur imazhin të shpërndarë edhe në të tjera llogari e rrjete sociale. Ndër të parat në të cilat u has ishte llogaria “nardi_leo1” në TikTok. Në këtë imazh mbi përqindjet e partive shkruan “Sondazhet e fundit Nëntor 2025”. I ngjashëm ka qenë po atë ditë edhe postimi nga llogaria “kodra_04”.

Në të njëjtën ditë përmbajtja u has edhe në llogarinë “D I A M A N T” në TikTok. Postimi i kësaj llogarie ka edhe mbishkrimin “Ky rezultat eshte pa mergaten tone”.

Për dallim nga këto pretendime, llogaria “Selvije Berisha” e ka shpërndarë imazhin në Facebook duke shtuar pretendimin se bëhet fjalë për sondazh të porositur nga LDK-ja, por që “kjo parti nuk po e publikon”. “Sondazhi i fundit nga kmpania që e ka porosit LDK por nuk po e qesin në publikë. Infot kan dal nga vet njerzit e LDK-së ,kjo është arsya pse është qart LDK”, thuhet në pretendimin e kësaj llogarie.

Pretendim të ngjashëm se është sondazh i porositur nga LDK-ja ka bërë edhe llogaria “worldksinfo WKI” në Facebook. “Sondazhi i fundit që po supozohet se e ka porosit LDK porë nuk po e bëjn publike”, është mbishkrimi në imazhin e kësaj llogarie.

Imazhi u shpërnda edhe në grupin “>>Qeveria Kurti ll, 22 Mars 2021<<” në Facebook. (shih këtu)

E pas shpërndarjes si postim në llogari e faqe në Facebook dhe TikTok, imazhi me pretendimin se bëhet fjalë për sondazh është publikuar edhe në formë komentesh në postime të ndryshme të faqeve të mediave në Facebook. (Shih këtu dhe këtu)


Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët “Sondazh në nëntor” si dhe “VV 55%, PDK 19%, LDK 15%, AAK 5%”. Asnjëri kërkim nuk rezultoi në ndonjë burim kredibil të informacionit se bëhet fjalë për sondazhe reale.

Për më shumë asnjë nga këto publikime nuk ka përmendur ndonjë prej kritereve që do të bënte të besueshëm pretendimin. Ato nuk kanë përmendur as kush është burimi i matjes, kur është publikuar dhe statistikat tjera që përmbushin kriteret për të qenë sondazh i besueshëm.


Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 

Sondazhet si fenomen i mediave sociale para zgjedhjeve:

Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në këtë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme. Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese.

Zgjedhjet më 28 dhjetor

Presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor vendosi për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalli 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

E me afrimin e këtyre zgjedhjeve, është vënë re rritje edhe e publikimit të videove dhe imazheve të gjeneruara me inteligjencë artificiale që përmbajnë narrativa politike të manipuluara. (Shih këtu)

Share With Others