Shkroi: Etrit Rexhepi
Nga 16 – 19 nëntori janë hasur përmbajtje të publikuara në të cilat pretendohet për ardhjen së shpejti të helikopterëve “Black Hawk” në Kosovë. Sipas postimeve në mediat sociale, furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me këta helikopterë është meritë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përmbajtjet e publikuara janë hasur në Facebook nga llogari (këtu, këtu dhe këtu) në postimet e të cilave vërehet mbështetje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe nga faqe të cilat publikojnë përmbajtje informuese (shih këtu dhe këtu).





Përmbajtje me pretendim të njëjtë kanë qarkulluar edhe në media tjera sociale si Instagram (shih këtu) e TikTok (këtu).
Këto përmbajtje kanë gjeneruar relativisht numër të madh pëlqimesh dhe interaktivitet.
Në përmbajtje, këto postime nuk përmendin ndonjë burim konkret se kush ka njoftuar se furnizimi do të bëhet “së shpejti”. Disa prej tyre kanë thënë se “nga ShBA e bëjnë të ditur se helikopterët luftarakë amerikan të porositura nga qeveria e Kosovës, së shpejti do të arrijnë”. Megjithatë, një kërkim në “Google” me fjalët “Black Hawk së shpejti në Kosovë” nuk gjen ndonjë burim kredibil informacioni, pos postimeve të lartpërmendura në artikull.
Cila është e vërteta e blerjes së helikopterëve “Black Hawk”?
Ejup Maqedonci, ministri në detyrë i Mbrojtjes, kishte publikuar një postim në llogarinë e tij në Facebook më 15 janar 2025, ku në përmbyllje të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), tregonte se e kishte vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, përfshirë edhe ata “Black Hawk”, të cilët sipas asaj që thuhej tutje në postim, pritej të ishin pjesë e flotës së mbështetjes ajrore të Ushtrisë së Kosovës (shih këtu).
Pas kësaj vizite, blerja e këtij lloji të helikopterëve ishte përmendur nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, në disa tubime gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve qendrore të 9 shkurtit (këtu dhe këtu) dhe në një intervistë gjatë kësaj periudhe duke e theksuar si dëshmi të raporteve të mira të Kosovës me ShBA-në (shih këtu).
Disa muaj më vonë në mbledhjen e 254-të të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 26 mars, kryeministri në detyrë Albin Kurti, kishte paralajmëruar blerjen e helikopterëve “Black Hawk” (shih këtu).
Në po të njëjtën datë, ky paralajmërim u konfirmua edhe në llogarinë e ministrit Maqedonci në Facebook, i cili me anë të një fotografie i kishte renditur ato që ai i konsideronte si suksese në fushën e mbrojtjes, gjatë qeverisjes së subjektit politik që ai i takonte (shih këtu).
Nga kjo fotografi, blerja e helikopterëve “Black Hawk”, konsiderohej në proces.

Si argument për marrëdhëniet e mira me ShBA-në, Kurti i përmendi edhe një herë diskutimet për blerjen e helikopterëve “Black Hawk” nga ky shtet, gjatë qëndrimit në Washington D.C (29 shtator 2025), ku ai mori pjesë në diskutimin me temë “Partneriteti në rritje Kosovë – ShBA në mbrojtje dhe zhvillim” në Institutin Hudson (shih këtu).
Gati një muaj më vonë (26 tetor), kur Albin Kurti si mandatar për formimin e qeverisë së re, kërkoi besimin nga deputetët e Kuvendit, në fjalimin e tij përmendi se “si kurrë më parë, u trefishua buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, u dyfishua numri i ushtarëve tanë të cilët vijnë nga të gjitha komunitetet, u katërfishuan trajnimet jashtë vendit dhe u shumëfishuan investimet në blerjen e armatimit. Ndërkohë, kontraktuam sistemin antiraketor Javelin, dronët luftarakë Bayraktar, helikopterët Black Hawk, si dhe fabrikën e municionit (shih këtu)”.
Informata e fundit për këto pajisje është deklarata e ministrit në detyrë Maqedonci, i cili në një intervistë (30 tetor) për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), tha se janë në fazën e analizave e më pas do të kalohet në fazën e blerjes së helikopterëve Black Hawk (shih këtu).
Ministri Maqedonci dha një intervistë të premten (21 nëntor) në emisionin “KallxoPërnime”, ku tregoi se që nga fillimi i mandatit, janë shpenzuar 430 milionë euro për blerjen e sistemeve të armatimit. Për shkak të dinamikave të intervistës, pyetja e intervistueses ndaj Ministrit Maqedonci, për planifikimin e shpenzimeve për helikopterët Black Hawk, mbeti pa përgjigje. Prandaj, si qëndrim i fundit për këtë çështje, mbetet deklarata e ministrit për RTK-në, e cituar më herët.
Pse publikohen këto përmbajtje?
Një artikull kërkimor (2021) i titulluar “Democracy, external threat, and military spending” (në shqip, “Demokracia, kërcënimi i jashtëm dhe shpenzimet ushtarake”) nga Matthew Hauenstein, profesor në Universitetin e Notre Damit dhe Matthew Smith dhe Mark Souva, profesorë në Universitetin e Floridas, tregon se në demokraci, udhëheqësit janë më të përgjegjshëm ndaj preferencave të qytetarëve, sa u përket shpenzimeve. Zakonisht, qytetarët preferojnë shpenzimet për arsimin dhe shërbimet sociale mbi ushtrinë, por kjo vlen kur kërcënimi i jashtëm duket i ulët.
Studimi thotë se kur qytetarët mendojnë se ka një kërcënim të jashtëm të madh, ata mbështesin më shumë rritjen e shpenzimeve për mbrojtje. Kjo do të thotë që demokracitë me kërcënim të jashtëm të madh shpenzojnë ushtarakisht thuajse sa autokracitë.
Gjithashtu, shpenzimet ushtarake shërbejnë si e mirë publike për sigurinë kur ka kërcënime të jashtme. Faktorët ambientalë (kërkesa për siguri, kërcënimet) mund të kenë më shumë ndikim sesa institucionet politike në disa raste.
Një tjetër studim i publikuar (2023) në “Revistën Britanike të Shkencave Politike”, me titullin “Threats and the Public Constraint on Military Spending” (në shqip, “Kërcënimet dhe kufizimi publik mbi shpenzimet ushtarake”) tregon se në ekonomitë politike ekziston dilema “guns vs. butter” (ushtri vs. shërbime sociale). Edhe ky studim thotë se në demokraci, qytetarët zakonisht preferojnë “butter” (shërbime sociale) mbi “guns” (ushtri).
Studimi tregon se publiku mund të ndryshojë mendim kur i jepet informacion mbi kërcënime reale ndaj sigurisë kombëtare. Pra, mbështetja për shpenzime ushtarake rritet kur kërcënimet janë të perceptuara si reale dhe konkrete.
Në studim merret shembulli, në kontekstin e luftës Rusi–Ukrainë, ku mbështetja e opinionit publik evropian për ndihmë ndaj Ukrainës mund të varet nga mënyra si lidershipi e paraqet këtë luftë si kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit të tyre.
Fokusi duhet të jetë tek kërcënimet më afër gjeografikisht, ku opinioni publik ka më shumë gjasa të mbështesë shpenzime.
Si përfundim, në studim thuhet se opinioni publik nuk është statik. Ai mund të manipulohet ose të orientohet përmes informimit dhe kornizimit të kërcënimeve.
Rasti i Kosovës
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, por Serbia vazhdon ta refuzojë këtë akt, duke e cilësuar si “të njëanshëm”. Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani në mënyrë të vazhdueshme e kanë paraqitur Serbinë si rrezikun kryesor të sigurisë për shtetin më të ri në Evropë (shih këtu dhe këtu), duke e bërë përgjegjëse edhe për sulmin terrorist të shtatorit 2023, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku (shih këtu dhe këtu).
Edhe pse plani dhjetëvjeçar për transformimin e FSK-së, parasheh rritjen graduale të kapaciteteve luftarake tokësore atyre ajrore, Qeveria e Kosovës ka rritur dhe promovuar shpenzimet në fushën e mbrojtjes, duke marrë si bazë rrezikun të cilin ata e cilësojnë si real nga Serbia.
Marrë parasysh përceptimin ndaj këtij rreziku, ekzistojnë mundësitë që një pjesë e madhe e qytetarëve të përkrahin këto shpenzime në armatim. Andaj, publikimi i përmbajtjeve të tilla promovuese të shpenzimeve ushtarake, nga llogari proqeveritare, sidomos para zgjedhjeve, mund të ketë synim rritjen e mbështetjes publike.
Ndërsa faqet që i shpërndajnë këto materiale, mund të kenë qëllim rritjen e interaktivitetit, çka rrit gjasat për shtim të numrit të ndjekësve.
Më 19 nëntor, mandatari i dytë për kryeministër, Glauk Konjufca nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, gjë e cila hapi rrugën për zgjedhje (shih këtu).
Një ditë më vonë, presidentja Vjosa Osmani, caktoi 28 dhjetorin e këtij viti, si datën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore (shih këtu).
Analiza
Si përfundim, postimet se ardhja e helikopterëve “Black Hawk” do të ndodhë “së shpejti”, u bënë pa një konfirmim zyrtar për kohën e ardhjes së tyre, edhe pse ekziston informacion që blerja është në proces.
Ato shpërndajnë pretendime mbi blerjen e helikopterëve, duke e lidhur këtë çështje me figurën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pa dhënë detaje të sakta mbi afatet.
Publikimi i tyre në mediat sociale mund të ndikojë në perceptimin e publikut mbi shpenzimet ushtarake dhe sigurinë, duke rritur interaktivitetin dhe duke e paraqitur si një çështje të rëndësishme kombëtare.
Këto ndodhin në kohën kur Kosova po përgatitet për zgjedhjet e reja parlamentare, që do të mbahen më 28 dhjetor.



