Është publikuar një artikull i titulluar “Miliona për luksin institucional: Qeveria blen edhe 104 vetura të reja në vlerë 2.4 milionë euro”.
Përmbajtja me këtë titull është publikuar të enjten (20 gusht) nga mediumi “frontonline.net”.
Madje artikulli është paraqitur me një imazh, ku shfaqet kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pranë një veture zyrtare.
Por, çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Titulli i atribuon pasaktë blerjen e veturave vetëm Qeverisë, ndërkohë që tenderi përfshin edhe institucione që nuk janë pjesë e ekzekutivit.

Përmbajtja është publikuar edhe në mediat tjera si “jepize.com”, “paparaci.com” dhe “demokracia.com”.
Në kreun e artikullit shkruan “Derisa qytetarët përballen me kosto të lartë të jetesës dhe institucionet publike vazhdojnë të ankohen për mungesë buxheti në shumë sektorë, shteti po përgatitet të furnizohet me 104 vetura të reja, përmes një tenderi të Agjencisë Qendrore të Prokurimit me vlerë mbi 2.4 milionë euro”
Artikulli ka edhe një imazh, ku paraqitet një tabelë zyrtare që tregon listën e autoriteteve kontraktuese dhe sasinë e modeleve të ndryshme të veturave që secili institucion ka të drejtë t’i porosisë përmes kontratës kornizë. Në të përfshihen ministri, agjenci, inspektorate, komuna, SHSKUK dhe Këshilli Prokurorial, të cilat së bashku përbëjnë totalin prej 104 automjetesh të ndara në pesë modele.

Hibrid.info ka hulumtuar në platformën “e-prokurimi” dhe ka gjetur dosjen e tenderit në fjalë, nga ku është nxjerrë imazhi i mësipërm. Dokumenti konfirmon se shifrat dhe të dhënat teknike të paraqitura në artikull përputhen me dokumentacionin zyrtar të AQP-së.
Megjithatë, problemi qëndron në mënyrën se si titulli e paraqet këtë prokurim. Pavarësisht se të dhënat për numrin e veturave dhe vlerën e tenderit janë të sakta, formulimi “Qeveria blen” krijon përshtypjen se të 104 veturat po blihen ekskluzivisht për Qeverinë. Dokumentacioni zyrtar tregon se kontrata kornizë u mundëson porosi një numri institucionesh publike, përfshirë ministri, agjenci, komuna, inspektorate, SHSKUK-në dhe Këshillin Prokurorial.
Sipas neneve 94 dhe 95 të Ligjit për Prokurimin Publik, Ministri i Financave ka autoritetin ta caktojë AQP-në si autoritetin kontraktues përgjegjës për kryerjen e një aktiviteti të caktuar prokurimi për një listë të miratuar mallrash apo artikujsh të përdorimit të përbashkët.
Përmes këtij delegimi të përgjegjësisë, autoritetet kontraktuese, që mund të jenë edhe institucione të tjera, nuk kryejnë vetë aktivitet prokurimi për ato mallra, por i drejtohen AQP-së për sasinë që u nevojitet sipas kushteve të kontratës.
Kjo nënkupton se AQP-ja vepron si autoritet kontraktues i centralizuar për këtë prokurim. Autoritetet kontraktuese të përfshira në kontratë mund të bëjnë porosi sipas nevojave dhe kushteve të saj.

Analiza:
Përmbajtja që pretendon se “Qeveria blen edhe 104 vetura të reja në vlerë 2.4 milionë euro” nuk e paraqet saktë atë që ka ndodhur me këtë tender.
Titulli krijon përshtypjen se 104 veturat do të blihen vetëm nga Qeveria.
Në fakt, dokumentet e tenderit tregojnë se në këtë kontratë përfshihen edhe institucione të tjera publike, si agjenci, komuna, inspektorate, SHSKUK dhe Këshilli Prokurorial.
Bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.