Në median sociale Facebook, ish-kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, dhe kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Niq Krasniqi, kanë publikuar një përmbajtje që shfaq portretin e koordinatores së komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali.
Në këtë material pretendohet se ajo ka dhënë një deklaratë për “ORA News”. Aty i atribuohet thënia: “Nëse SHBA-të insistojnë për pranimin e gazit të tyre, mund të ballafaqohen me protesta si në Tiranë. Ne e respektojmë SHBA-në, por interesat tona i njohim më mirë”.

E vërteta?
Pas hulumtimit online nga hibrid.info, kjo deklaratë nuk është gjetur e publikuar në portalin e televizionit “ORA News” e as në ndonjë medium tjetër.
FAKTET
Hibrid.info fillimisht ka kërkuar përmes opsionit “search” në ueb-faqen “oranews.tv”, ku rezultatet nuk tregojnë asnjë publikim të tillë nga Mihali në këtë televizion.

Gjithashtu, është bërë kërkim në Google me fjalët kyçe të deklaratës së pretenduar, por as aty nuk rezulton ndonjë publikim në media apo burime kredibile që ta konfirmojnë atë. (shih këtu).
Këtë e ka mohuar edhe Lëvizja Vetëvendosje përmes zëdhënësit Arlind Manxhuka (shih këtu).
Deri në shkrimin e këtij artikulli, postimi i publikuar nga Demhasaj ka arritur të grumbullojë 200 reagime, 428 komente e 30 shpërndarje (shih këtu). Ndërsa postimi i Krasniqit ka grumbulluar 18 reagime, 2 komente e 2 shpërndarje (shih këtu).
Nga komentet e lexuesve vërehet se një numër i konsiderueshëm i tyre e kanë perceptuar këtë përmbajtje si të vërtetë.
Më 4 qershor, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, nëpërmjet një opinioni ka bërë thirrje që Kosova t’i bashkohet një projekti amerikan për gazin (shih këtu).
Analiza
Në Facebook është shpërndarë një përmbajtje ku i atribuohet Dejona Mihalit një deklaratë e pretenduar për “ORA News” lidhur me gazin amerikan dhe protesta të mundshme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hibrid.info ka verifikuar se kjo deklaratë nuk gjendet në “ORA News”, në asnjë medium tjetër, e as në Google. Ajo nuk mbështetet në burime kredibile. Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka mohuar këtë pretendim përmes zëdhënësit të saj.
Pavarësisht mungesës së verifikimit, postimet kanë marrë qindra reagime, komente dhe shpërndarje, ndërsa një pjesë e madhe e komentuesve e kanë marrë përmbajtjen si të vërtetë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.