info@hibrid.info
Petkoviq konspiron se Kurti kërcënoi serbët në nisje të fushatës
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka pretenduar se kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërcënuar popullin serb dhe Serbinë, në nisje të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Petkoviq: Kurti nisi fushatën e tij elektorale me kërcënime për popullin serb dhe Serbinë”, mban titullin përmbajtja e publikuar në uebfaqen e kësaj zyre më 11 janar.

Çka ka pretenduar tutje Petkoviq?

“Siç e kemi paralajmëruar disa herë, Albin Kurti e nisi fushatën elektorale sonte sërish me kërcënime për popullin serb dhe Serbinë, por siç do të thoshte populli ynë, me tytë të zbrazët!

Ajo që Kurti po përdor për hir të fushatës së tij elektorale nuk është një ushtri ose polici, por një e ashtuquajtur ushtri inekzistente e cila nuk lejohet të shkelë në veri të Kosovës dhe një bandë kriminale parapolicore karriera kulmore e të cilëve është ‘selfie’ në veri të Kosovës dhe intimidimi i grave serbe, siç është kulmi politik i Kurtit pirja e kafesë në veri të Kosovës, që i mungon gjithmonë, derisa ata me tyta të gjata e ruajnë në një kafene të zbrazur shqiptare.

Por kur kërcënimet vijnë nga një urrejtës i dëshmuar i serbëve, që ëndërron për të ashtuquajturën Shqipërinë e Madhe, atëherë këto kërcënime duhet të ngrenë alarm në komunitetin ndërkombëtar, sepse dikush që kërcënon me njëfarë lloji ushtrie a policie është një hap gati nga provokimi i konfliktit dhe një përshkallëzimi të ri, dhe me politikat e tij të çmendura, ai mund të jetë fajtor për shumë fatkeqësi për rajonin tonë.

Si kundërpërgjigje, Kurti i poshtëroi edhe më tej votuesit e tij në një tubim parazgjedhor dhe konfirmoi se “Kosova” është veç e ashtuquajtur, sepse përveç flamurit shqiptar, askund nuk kishte flamur të krijimit secesionist”

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Petkoviq nuk ka përdorur ndonjë bazë për pretendimet e tij. Ai po ashtu nuk ka ofruar fakte për çështjen e intimidimit të grave serbe nga Policia e Kosovës. Ai ka përsëritur pa bazë se prania e autoriteteve të sigurisë në veri është kërcënim për serbët.


Tubimin e parë qendror Lëvizja Vetëvendosje në fushatë e organizoi në Gjakovë në mbrëmjen e 11 janarit. Aty Kurti në fjalim ka përmendur Serbinë, por jo qytetarët serbë të Kosovës.

“Janë dy parti të cilët kanë qeverisur më së gjati, herë bashkë e herë ndaras. Por të cilat na e kanë bërë dëmin më të madh në raport me kojshinë tonë të keq. Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë dhe historinë, por mund ta ndryshojmë të ardhmen duke punuar qysh tash. Njëra prej këtyre partive, LDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘razumem’, e partia tjetër PDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘we are not problematic guys’. Por koalicioni jonë, Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa i thotë atij ashtu qysh është, ministër i Millosheviqit, aparati shtetëror e kriminal i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd cep më cep në Republikën e pavarur, demokratike e progresiste të Kosovës”, ka thënë ai.

“Të nderuar pjesëmarrës, të dashur të pranishëm, për rininë e kemi punësimin, për gratë e kemi barazinë, për fëmijët i kemi shtesat, për opozitën e kemi opozitën, për Serbinë e kemi Policinë e Ushtrinë e dialogun, për pleqtë e kemi pensionin dhe për të gjithë e kemi shëndetësinë”, ka thënë Kurti, që e akuzon Serbinë për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Ndërkaq më 12 janar, Kurti publikoi një fotografi në Facebook nga një kafene me përshkrimin: “Një 70-she dhe një embëlsirë në veri të lumit Ibër, pak para Tubimit të madh në Palestrën ‘Minatori’”.


Hibrid.info edhe në raste të tjera ka trajtuar deklarata të ngjashme të Petkoviqit dhe zyrtarëve të tjerë serbë, duke ndërlidhur ngjarje të ndryshme apo deklarata të kryeministrit Kurti me “kërcënim të serbëve” (shih këtu dhe këtu).


Analiza:

Pa u bazuar në fakte, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me “kërcënim për serbët dhe Serbinë”.

Hibrid.info ka përcjellë tubimin e parë të Vetëvendosjes në këtë fushatë. Aty Kurti nuk i ka përmendur serbët e Kosovës, ndërsa ka premtuar “ndjekje të aparatit shtetëror të Millosheviqit”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson deklaratën e Petkoviqit si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others