Shkroi: Festim Rizanaj
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar të enjten mbrëma (9 tetor) ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se ka formë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë.
Në një postim në platformën “X” (ish-Twitter), Petkoviq ka reaguar ndaj deklaratës së Osmanit, duke e quajtur atë dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti “sinonim të vjedhjes së zgjedhjeve”.

Ky pretendim është publikuar në disa media në gjuhën serbe me titullin: Petkoviq: Osmani i Kurti sinonim za krađu na izborima (“Petkoviq: Osmani dhe Kurti sinonim i vjedhjes së zgjedhjeve”). (këtu, këtu, këtu)
Pretendimi i Petkoviqit nuk mbështetet në fakte konkrete që do ta vërtetonin atë.
Çka pretendon Petkoviq dhe çka tha Osmani?
Petkoviq e akuzoi Osmanin dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se janë “sinonim i vjedhjes së zgjedhjeve”, duke përmendur një rast të pretenduar në Gjakovë për blerje votash.
“Vjosa Osmani guxon të thotë se Beogradi po blen vota në Kosovë dhe Metohi, ndërkohë që ajo dhe Kurti janë sinonim i vjedhjes së zgjedhjeve! Duket se ajo e ka harruar padinë e të ashtuquajturës prokurori në Gjakovë kundër Xhem Hoxhës, i cili i pagoi 50 euro për çdo votë Kurtit”, shkroi Petkoviq.
Petar Petkoviq e përdori rastin e Xhem Hoxhës në Gjakovë si argument për të spekuluar se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë “sinonim i vjedhjes së zgjedhjeve”. Por në fakt, rasti i Hoxhës lidhet me një veprim individual – ai e pranoi fajësinë dhe u pendua për postimin në Facebook në nëntor 2024, ku premtonte 50 euro për çdo votë për Kurtin në fshatin Ngucat të Malishevës, për çka është gjykuar për veprën penale “dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin”. (këtu)
Reagimi i Petkoviqit pasoi një deklaratë të presidentes Vjosa Osmani, e cila në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, gjatë një takimi me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, kishte ngritur shqetësime për “ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga Serbia” në procesin zgjedhor.
Në një postim në Facebook, Osmani theksoi se “ndërhyrjet e tilla përfshijnë blerjen e votave, ndikimet e jashtme, frikësimet dhe dhunën”, duke shtuar se kjo është “një praktikë që përsëritet prej vitesh”.
“Është thelbësore që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe me integritet, si themel i demokracisë dhe i besimit të qytetarëve në institucione”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e bëri deklaratën e saj pas komenteve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në një paraqitje televizive në kanalin “Pink” premtoi hapjen e 400 vendeve të reja të punës për serbët në Kosovë. Osmani e cilësoi këtë veprim si një formë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Prandaj, ndërlidhja e Petkoviqit me deklaratën e Osmanit dhe rasti individual i Xhem Hoxhës nuk i japin kredibilitet pretendimit të tij, duke e lënë atë në nivelin e një konspiracioni politik.
Analiza:
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, reagoi ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke e quajtur atë dhe kryeministrin Albin Kurti “sinonim të vjedhjes së zgjedhjeve”.
Por që, ndërlidhja që Petkoviq bëri me deklaratën e presidentes Osmani, si dhe përmendja e rastit të Xhem Hoxhës, nuk i japin asnjë kredibilitet pretendimit të tij.
Rasti i Hoxhës është një veprim i izoluar individual, i trajtuar nga drejtësia kosovare, ndërsa interpretimi i tij nga Petkoviq mbetet në nivelin e një konspiracioni politik.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.






