Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh ku shihet avokati Lluka Mishetiq, kurse anash është vendosur një rreth brenda së cilit është vendosur një fotografi e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Fotografia e publikuar të mërkurën (11 shkurt) në Facebook, nga llogaria me emrin “Bekim Hoti”, ka edhe mbishkrimin “Hashim Thaçi nuk ishte në UÇK, ai punonte për Shërbimin Sekret Francez si kontraktues i interesave serbe”.
Mishetiq është avokat i Thaçit në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Mbishkrimi i vendosur në imazh, nuk është paraqitur si deklaratë e Mishetiq për Thaçin, por teksti i vendosur mbi figurën e tij gjatë seancës së fjalës së mbrojtjes së të akuzuarve para përfundimit të gjykimit, lë të nënkuptohet se pretendimi i atribuohet atij.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info gjeti se një pretendim i tillë nuk ka ardhur as nga mbrojtja e Thaçit e as nga palët e tjera në procesin gjyqësor.

I njëjti postim është shpërndarë edhe nga faqja në Facebook që ka emrin “Specbuk” dhe që numëron mbi 44 mijë ndjekës, si dhe është postuar nga një llogari tjetër me emrin “Refiqe Hamiti” (shih këtu dhe këtu).
Përmbajtjet e komentuesve në këto postime janë përqendruar në pohimin e paraqitur me anë të këtij mbishkrimi, pa e diskutuar burimin e këtij informacioni.
Për shkak se imazhi është shkrepur gjatë fjalës së Mishetiq në deklaratën përmbyllëse si avokat mbrojtës i Thaçit, hibrid.info ka hulumtuar në faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special.
Deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit para Dhomave të Specializuara në Hagë kanë filluar të paraqiten nga e hëna (9 shkurt) dhe do të vazhdojnë deri më 18 shkurt (shih këtu).
Por, në këtë burim informacioni të këtyre institucioneve, nuk është gjetur e publikuar asnjë transkriptë e deklaratave të kësaj faze të gjykimit (shih këtu).
Për shkak të mungesës së të dhënave, hibrid.info ka hulumtuar në mediat kredibile të cilat kanë raportuar për zhvillimet atje. Mediumi që ka raportuar më hollësisht për këtë fazë të procesit është “Radio Evropa e Lirë”.
Në tre artikujt e këtij mediumi ku janë paraqitur raportimet për deklaratën e prokurorisë, mbrojtjes së viktimave dhe avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, nuk është hasur asnjë fakt që do vërtetonte se pretendimi i mbishkrimit të përmbajtjes që trajtohet në këtë artikull, është deklaruar në këto tre ditë të kësaj faze të gjykimit (shih këtu, këtu dhe këtu).
Pra, pretendimi se “Hashim Thaçi nuk ishte në UÇK dhe se ai i punonte për Shërbimin Sekret francez si kontraktues i interesave serbe”, nuk është deklaruar as nga avokati i tij mbrojtës dhe as nga prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave.
Hibrid.info kontrolloi edhe me anë të makinës së kërkimit “Google” me fjalët që paraqesin mbishkrimin e pretendimit.
Rezultatet e shfaqura nga kërkimi nuk kanë treguar asnjë burim kredibil të ketë raportuar pretendimin në fjalë, qoftë si pohim faktik apo si citim deklarate (shih këtu).
Në Rregullën 135 “Deklaratat përmbyllëse” të Rregullores së Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës (shih këtu), në pikën e parë thuhet se “Prokurori i Specializuar është i pari që bën deklaratën përmbyllëse e pas tij vijojnë me deklaratat e tyre mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtësi i specializuar”.
Në pikën e dytë thuhet se “Në deklaratat përmbyllëse mund të përmenden dëshmitë e pranuara dhe besueshmëria e tyre, besueshmëria e dëshmitarëve, dokumentacioni i procesit dhe dispozitat ligjore përkatëse. Mund të përdoret edhe material ilustrues dhe përmbledhje të dëshmive, në qoftë se janë të bazuara në provat e pranuara”.
Pika 1 e Rregullës 136 “Mbyllja e çështjes gjyqësore” përcakton se “Pas deklaratave përmbyllëse, kryegjykatësi i trupit gjykues e deklaron të mbyllur çështjen gjyqësore”.
Tutje, në pikën 1 të Rregullës 137 “Dispozita të përgjithshme” thuhet se “Palët mund të parashtrojnë prova që kanë lidhje me çështjen. Në pajtim me rregullën 132, trupi gjykues mund të urdhërojë paraqitjen e provave, ose thirrjen e dëshmitarëve që gjykohen të nevojshme për përcaktimin e të vërtetës”, kurse në pikën 2 “Një trup gjykues vlerëson lirisht të gjitha provat e paraqitura për të përcaktuar pranueshmërinë dhe rëndësinë e tyre”.
Rregulla 138 “Pranueshmëria e provave “, në pikën 1, thotë se “Në rast se nuk janë kundërshtuar ose përjashtuar proprio motu, provat e paraqitura trupit gjykues, pranohen vetëm në qoftë se kanë lidhje me lëndën, kanë vlerë provuese dhe vlera provuese e tyre nuk zhbëhet prej efektit dëmtues të tyre”.
Pas mbylljes së çështjes, Rregulla 158 “Kuvendimet në lidhje me vendimin e gjykimit” thotë se “trupi gjykues tërhiqet për të kuvenduar in camera, për shqiptimin e vendimit të gjykimit në lidhje me akuzat në aktakuzë”. Në pikën 2 thotë se “Trupi gjykues vendos veçazi për secilën akuzë, përfshirë edhe secilën formë përkatëse të përgjegjësisë penale. Në rastin e gjykimeve të përbashkëta, për çdo të akuzuar nxirren përfundime më vete”, kurse në pikën 3 “Përfundimi i fajësisë nxirret vetëm në qoftë se shumica e trupit gjykues bindet se fajësia është vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm”.
Ndërsa, Rregulla 159 “Shqiptimi i vendimit të gjykimit”, në pikën 1 tregon se vendimi gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136.
Prandaj, edhe nëse një pretendim do të ishte përmendur gjatë deklaratave përmbyllëse, ai nuk do të mund të merrej si fakt i vërtetuar, pasi deklaratat përmbyllëse paraqesin qëndrime dhe argumente të palëve, ndërsa vërtetësia juridike e pretendimeve përcaktohet ekskluzivisht nga vendimi i trupit gjykues.
Analiza:
Disa llogari në Facebook kanë publikuar një imazh nga seanca gjyqësore në Hagë, ku shihet avokati Lluka Mishetiq, me një mbishkrim që pretendon se Hashim Thaçi “nuk ishte në UÇK dhe se punonte për Shërbimin Sekret francez”, duke lënë të nënkuptohet se ky pretendim është deklaruar në gjykatë.
Pas verifikimit në burime zyrtare dhe në raportime mediatike kredibile, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë dëshmi që një deklaratë e tillë të jetë bërë nga mbrojtja, prokuroria apo palët e tjera në proces. Gjithashtu, kërkimet online nuk rezultojnë me asnjë burim të besueshëm që ta ketë raportuar këtë pretendim.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



