[email protected]
Pretendim i rremë: Nuk ka fakte se Policia e Kosovës ka plan për aksion në veri
shape
shape
shape

Mediumi serb “Novosti.rs” ka publikuar një artikull duke pretenduar pa fakte se Policia e Kosovës po përgatit një operacion në veri me forca speciale.

Sipas këtij mediumi, Policia e Kosovës po qëndron në bazën e policisë speciale Belvedere me diku 100 pjesëtarë të armatosur që janë në gjendje gatishmërie, si dhe tri makina të policisë speciale janë duke qëndruar gati teksa një njësi tjetër është dërguar nga Prishtina.

Gjatë kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, pretendimi i bërë nga ky medium serb rezulton të mos jetë i argumentuar.

Gjithashtu, edhe fotografia e përdorur në këtë artikull nuk e paraqet pretendimin, pra nuk është aktuale, por i takon ngjarjeve të shtatorit të këtij viti, atëherë kur Policia e Kosovës ka shkuar në mbrojtje të policëve kufitarë në pikat Jarinjë e Bërnjak në veri, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e futjes së automjeteve me targa të Serbisë.

Pjesë të artikullit të publikuar nga Novosti.rs i përkthyer në shqip:

Pjesëtarë të njësisë speciale Rosu që nga mëngjesi i sotëm janë në gatishmëri në pjesën jugore të Mitrovicës.

Sipas informacioneve në tere, ata gjenden në bazën Belvedere, ku janë vendosur afro 100 forca speciale të armatosura, të gatshme për aksion.

Sipas informacioneve operative, nga njësitet e dislokuara, njëra prej tyre është dërguar edhe nga Prishtina, e armatosur plotësisht.

Deri më tani nuk ka informacione të detajuara, por stacionime të tilla të njësiteve Rosu ka pasur edhe gjatë sulmit në veri më 13 tetor të këtij viti.

Vegëza e artikullit të publikuar nga “Novosti.rs”:

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1064714/rosu-sprema-upad-sever-albanski-specijalci-stanju-pripravnosti?fbclid=IwAR2NoXOJDRtcIK6kJDcUOi-a6V-WWqsg5WFVvRHI7joSm_p45xbs78QYMs8


Pas këtij artikulli të publikuar nga mediumi serb, ka reaguar Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i këtij institucioni, Baki Kelani, ka mohuar për Express pretendimet e tilla të mediave serbe, duke i quajtur të pavërteta, dhe me tendencë dezinformimi të opinionit publik.

“Referuar shkrimeve dhe publikimeve të bëra sot 10/12/2021 nga disa mediume kryesisht serbe, se kinse njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë përforcuar në jug të Mitrovicës dhe po përgatitet të hyjnë në veri të Mitrovicës, ju informojmë se informacionet dhe shkrimet e tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në baza ditore kryen aktivitete dhe punë rutine policore”, ka deklaruar Kelani.

Vegëza e deklaratës së Kelanit dhënë për “GazetaExpress.com”:

Kelani: Janë të pavërteta raportimet se Njësia Speciale është mbledhur për të ndërhyrë në veri


Hibrid.info ka arritur të identifikojë fotografinë që është përdorur për ilustrim të këtij lajmi. Në hulumtimin e bërë përmes makinave kontrolluese online, është gjetur se kjo fotografi është bërë nga agjencia e Lajmeve “Asociated Press”, gjatë ngjarjeve të shtatorit në veri të Kosovës. (Shih këtu, këtu)


Analiza:

Media serbe “Novosti.rs” ka publikuar këtë artikull me përmbajtje të fabrikuar, përmes së cilës janë munduar ta ngritin një pretendim të rremë.

Pretendimi i ngritur në titull se po përgatiten aksione të njësive speciale në veri të Kosovës, nuk argumentohet me asnjë fakt, pra del të jetë tërësisht i sajuar.

Bazuar në këtë kontroll të fakteve, ky artikull rezulton të jetë tërësisht i sajuar dhe, si rezultat i kësaj, ai vlerësohet si “lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others