info@hibrid.info
Pretendim i rremë për vdekjen e të miturës që dyshohet se u dhunua
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok të premten (30 janar) është pretenduar për vdekjen e një 13-vjeçareje e cila dyshohet se u dhunua nga një 55-vjeçar.

Pretendimi u publikua nga llogaria “LajmetEDites”. “Kryesisht lëndime traumatike të cilat janë fatale dhe nuk mund të kenë gjasa për mbijetesë. Ka pasur lëndime në rajonin e kraharorit duke përfshirë edhe organet e brendshme”, thotë një person në videon e publikuar.

“Vdes 13 Vjeqarja E Cila U Dhunua Nga 55 Vjeqari”, është mbishkrimi i videos.

Që nga publikimi e deri te momenti i trajtimit nga hibrid.info, videoja ka marrë më shumë se 90 mijë shikime, më shumë se 630 reagime e 35 komente, në mesin e të cilëve vërehen komente që e kanë marrë si të vërtetë pretendimin.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info del se videoja është e vjetër dhe nuk lidhet fare me pretendimin në TikTok. Në video, siç citohej nga mediat, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, kishte folur për një rast që ka ndodhur në tetor të vitit 2025, kur një e mitur kishte humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi.

Rasti i dyshuar i dhunimit:

Të premten (30 janar) Policia e Kosovës njoftoi se më 29 janar e ka arrestuar në Istog një person nën dyshimin se e ka kryer veprën penale të dhunimit.

Raporti policor:


Ndërkaq më vonë, Prokuroria Themelore në Pejë konfirmoi se i dyshuari është kapur në flagrancë dhe se i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “dhunimi” (shih këtu).

Të shtunën (31 janar) Gjykata Themelore në Pejë njoftoi se është caktuar masa e paraburgimit për një muaj ndaj të pandehurit.

“Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri T.P. ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1, si dhe lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore në Pejë (shih këtu).


Ky paragraf i nenit 227 në Kodin Penal të Kosovës specifikon se bëhet fjalë për raste kur vepra dyshohet të jetë kryer ndaj një personi nën moshën 14-vjeçare. Aty thuhet se në rast se shpallet fajtor, kryerësi dënohet me burgim prej së paku 10 vjet (shih këtu).


Pra që nga fillimi i raportimit të rastit, asnjë nga tri institucionet – Policia, Prokuroria e Gjykata – nuk kanë raportuar se viktima ka humbur jetën.

Hibrid.info ka kërkuar në Google edhe me fjalët që pretendohen në TikTok. Gjetjet nuk rezultuan në ndonjë raportim kredibil (shih këtu).


Rasti real në videon e shkëputur në TikTok:

Në videon e publikuar në TikTok shfaqet edhe logoja e mediumit “KlanKosova”. Pas verifikimit të pamjeve, hibrid.info ka gjetur se videoja është shkëputur nga një raportim i 10 tetorit 2025 nga disa media në Kosovë. Personi që dëgjohet në videon në TikTok është cituar nga mediat si ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, Endrit Piraj, tek ka folur për vdekjen e një 13-vjeçareje si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Pretendimi se ka vdekur 13-vjeçarja për të cilën më 30 janar u raportua se është dhunuar nga një burrë, është i pavërtetë.

Në TikTok ky pretendim është bërë nëpërmjet manipulimit duke publikuar video të një rasti të vjetër, kur një e mitur pati humbur jetën si pasojë e shpërthimit të në bombole gazi.

Asnjë institucion zyrtar nuk ka konfirmuar vdekjen e viktimës në rastin e fundit të dhunimit në Istog.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Manipulim i fakteve”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others