Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar përmbajtje që pretendojnë se më 20 dhjetor organizohet pritje për Hashim Thaçin, ish-presidentin e Kosovës dhe Kadri Veselin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Pretendimi është dhënë me anë të dy imazheve të publikuara në TikTok nga një llogari me emrin “kadriveseliofficial_”.
Imazhi i parë paraqet një pamje nga aeroporti me mbishkrimin e vendosur që paraqet pretendimin, ndërsa imazhi i dytë paraqet një postim të faqes së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku konfirmohet pritja e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Cila është e vërteta?
Por, hibrid.info ka gjetur se ende nuk është marrë një vendim në procesin gjyqësor, që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit tё Specializuar të Kosovёs, ku në seksionin e emëruar “Lajme/Media”, nga njoftimet e ndara nga ky institucion, nuk është gjetur asnjë njoftim që tregon vendimin përfundimtar gjyqësor për Thaçin dhe Veselin.
Gjithashtu në ueb-faqen zyrtare të Speciales, në vegëzën për rastin “Thaçin dhe të tjerët ku përfshihet edhe Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi tregohet se ky rast është ende në fazë të gjykimit.
Ndërsa në vegëzën për informatat aktuale të procesit, thuhet se rasti për procesin “Thaçi dhe të tjerët”, do të fillojë të hënën (sot me 25 nëntor).
Për të konfirmuar vërtetësinë e këtij pretendimi, hibrid.info ka kontrolluar edhe faqen e “Prishtina International Airport – Adem Jashari”, në Facebook. Publikimi i fundit nga kjo faqe është i datës 11 nëntor, ndërsa në mesin e postimeve në këtë faqe, nuk është gjetur njoftimi i pretenduar për pritjen e organizuar për ish-krerët e UÇK-së.
Çka tregon se përmbajtja nga imazhi i dytë, është e manipuluar, e paraqitur si imitim i publikimeve nga faqja e aeroportit në Facebook.
Gjithashtu, as në faqen e PDK-së në Facebook, nuk ka konfirmim zyrtar për atë që pretendohet.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “ekonomiaonline.com”, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, kishte thënë se Prokuroria pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, deri në prillin e vitit të ardhshëm, duke e paralajmëruar edhe përfundimin e këtij gjykimi në vitin e ardhshëm.
Analiza:
Pretendimi për organizimin e një pritjeje për Thaçin e Veselin, ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga PDK, është i pasaktë.
Gjetjet e hibrid.info tregojnë se gjykimi është në proces, në pritje të marrjes së vendimit për ish-udhëheqësit shtetërorë, i cili pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, as nga aeroporti e as nga PDK nuk ka konfirmim për pretendimin.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrime”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.