info@hibrid.info
Pretendimi i një burimi anonim të FAZ paraqitet në titull si deklaratë e presidentes Osmani
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar artikulli i titulluar “Kërcënimi i Osmanit ndaj Kurtit për mandatin e dytë: “Nëse s’më bëni presidente, do keni telashe me SHBA-në””.

Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (4 shkurt) nga mediat si “Paparaci.com”, “Veriu.info”, “Mitropol.net” dhe “GazetaPapirus.com“.

Çka nuk shkon me titullin?

Pretendimi për “kërcënimin” e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, buron nga një artikull i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), por kjo nuk bëhet e qartë në titull. Mungesa e sqarimit për burimin e informacionit e paraqet pretendimin sikur të ishte një deklaratë e drejtpërdrejtë e Osmanit.

Hyrja e artikujve fillon me formulimin: “Ngjitja e Vjosa Osmanit në skenën e ceremonisë së nënshkrimit të Bordit të Paqes, të inicuar nga Donald Trump, fsheh prapa një qëllim më të madh politik.

Në vijim të këtij formulimi, ndryshe nga titulli, në brendësi të artikujve sqarohet burimi i informacionit, duke u theksuar se “Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka ngritur akuza serioze se presidentja e Kosovës po e përdor këtë afërsi (me Trump) për të siguruar një mandat të dytë në krye të shtetit.

Pretendimi i FAZ-it është paraqitur në mënyrë të zgjeruar në brendësi të këtyre teksteve, duke sqaruar se ai bazohet në burime anonime.

Pjesë nga teksti:

“Sipas burimeve të cituara nga FAZ, kjo strategji shoqërohet edhe me një kërcënim të tërthortë ndaj skenës politike. FAZ ka thënë se një bashkëbisedues i mirë informuar në Prishtinë ka treguar se si Osmani në mënyrë indirekte “kërcënon” me Trumpin.

““Kërcënimi është: ‘Nëse nuk më rizigjdhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në”, ka shkruar FAZ. “Disa vite më parë një kalkulim i tillë edhe mund të kishte funksionuar”.”

Artikujt përmbajnë edhe imazhin e artikullit të paraqitur në gazetë, të titulluar “Die Trump-Keule”, të shkruar nga gazetari Michael Martens.

Hibrid.info ka verifikuar faqen e këtij mediumi dhe ka gjetur të njëjtin artikull, i cili mban titullin: “Ist Osmani Trumps Kandidatin?”, që në shqip do të thotë: “A është Osmani kandidate e Trump?

tekstin origjinal të FAZ është gjetur pjesa ku pretendohet se Vjosa Osmani po përpiqet ta paraqesë veten si “kandidaten e Trumpit” për të kompensuar mungesën e mbështetjes brenda vendit, duke shfrytëzuar rëndësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Kosovën si një faktor që mund të sigurojë rizgjedhjen e saj të pasigurt.

Në artikull shkruan se sipas një burimi të mirëinformuar në Prishtinë, Osmani sillet si favoriti i Trumpit ndaj publikut dhe deputetëve dhe, në mënyrë tërthore, përdor lidhjet e saj me SHBA-në si mjet presioni, duke “kërcënuar” se “nëse nuk më rizgjedhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në.”

Pjesa e tekstit të FAZ e përkthyer me “ChatGPT”:

“Për të kompensuar mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh përpiqet ta paraqesë veten si ‘kandidaten e Trumpit’. Llogaritja pas kësaj është e qartë: SHBA-ja është një faktor vendimtar për Kosovën, jo vetëm për shkak të bazës ushtarake Camp Bondsteel në jug, por edhe për shkak të gjithë historisë së shtetit të ri. Ky etiketim mund t’i siguronte rizgjedhjen, që përndryshe do të ishte shumë e pasigurt. Osmani sillet ndaj publikut dhe deputetëve të parlamentit si favoriti i Trumpit dhe, sipas një burimi të mirëinformuar në Prishtinë, ajo kërcënon indirekt me kontaktet e saj (sipas pretendimeve) të mira me “klan-in” e Trump, si një lloj presioni. Kërcënimi është: ‘Nëse nuk më rizgjedhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në.’”

Kjo do të thotë se bëhet fjalë për interpretim të veprimeve të Osmanit, të bazuar edhe në një burim anonim, por jo për një deklaratë të drejtpërdrejtë të saj.

Po ashtu, FAZ nuk e ka përmendur kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në pretendimin për kërcënim.

Hibrid.info ka hasur edhe artikuj të tjerë në gjuhën shqipe që kanë raportuar për këtë dhe për pretendime të tjera të përmendura në tekstin e FAZ, në titujt e të cilëve është theksuar se gazeta gjermane është burim i këtyre pretendimeve (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Analiza:

Pretendimi se Vjosa Osmani po kërcënon tërthorazi politikën në Kosovë me “telashe me SHBA-në, nëse nuk rizgjedhet presidente” është raportuar nga FAZ.

Megjithatë, disa media në gjuhën shqipe e kanë paraqitur këtë pretendim si një kërcënim ndaj Kurtit, pa sqaruar burimin e informacionit, duke lënë përshtypjen se bëhet fjalë për një deklaratë të drejtpërdrejtë të Osmanit.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta tituj si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others