Shkroi: Etrit Rexhepi
Në media sociale është publikuar një përmbajtje me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar që për çdo të porsalindur nga ky muaj do të ofrohen 2,176 euro gjatë vitit të parë.
Kjo përmbajtje me këtë pretendim është publikuar (5 qershor) në Facebook nga faqet “Kosova Report” dhe “Gazeta 17 Shkurti”.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pretendimi është i pasaktë, pasi nuk ekziston asnjë deklaratë zyrtare e kryeministrit Albin Kurti që konfirmon pagesën e pretenduar për të porsalindurit.

Pasi që pretendimi është publikuar më datën 5 qershor, hibrid.info ka hulumtuar në llogarinë e kryeministrit Kurti në Facebook dhe ka kontrolluar për postimet e kësaj date. Në bazë të disa përmbajtjeve të hasura, është kuptuar se në këtë datë, kryeministri ka mbajtur një mbledhje të qeverisë.
Në njërin prej postimeve tregohet se në këtë mbledhje janë rritur shtesat për nënat lehona nga 170 euro në 325.9 euro, është rritur pagesa e qeverisë për pushimin e lehonisë nga 223 euro në 319.5 euro dhe janë ndarë mjetet për rritjen e dytë të pagës prej 55 euro për zyrtarët publikë (shih këtu).
Çka do të thotë se vendimi i pretenduar nuk figuron në listën e vendimeve të publikuara gjatë kësaj date.
Në një postim tjetër ku kryeministri Kurti sqaron rritjen e mbështetjes për nënat e reja, ai përmend edhe shtesat mujore për fëmijë, për të cilat thekson se janë së paku 20 euro në muaj apo 120 euro për gjashtë muajt e parë (shih këtu).
Hibrid.info tutje ka hulumtuar po në këtë llogari, për postimet pas kësaj date, për të hasur në ndonjë njoftim nga Kurti, ku konfirmohet rritja e shtesave për fëmijë, por diçka e tillë nuk është gjetur (shih këtu).
Vendimi i fundit i hasur, ku konfirmohej nga kryeministri Kurti, rritja e shtesave për fëmijë, daton më 18 korrik të 2024 (shih këtu).
Analiza
Pretendimi se kryeministri Albin Kurti ka deklaruar që për çdo të porsalindur nga muaji qershor do të jepen 2,176 euro gjatë vitit të parë, nuk qëndron.
Një deklaratë apo vendim i tillë nuk figuron në komunikimet apo dokumentet zyrtare të qeverisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.