[email protected]
Pretendohet rrejshëm se lideri i ri sirian ka paralajmëruar çnjohjen e Serbisë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes postimeve në Facebook është pretenduar se udhëheqësi i ri i Sirisë ka paralajmëruar shfuqizimin e njohjes së shtetit të Serbisë.

Pretendimi u bë në faqet “Lajme Nga Bota”, “Xhamitë e Shqipërisë” dhe “newsalbania.al” prej 5 deri më 9 janar.

Çka nuk shkon me postimet?

Sipas publikimeve, lideri i ri sirian, Ahmed Al Sharaa, ka thënë për mediat vendase se pas formimit të qeverisë, Siria do ta tërheqë njohjen ndaj Serbisë. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info del se një gjë e tillë nuk është e bazuar në burime kredibile dhe nuk ka pasur raportime për deklaratë të tillë.

Hibrid.info ka përdorur fjalët kyçe “Ahmed Al Sharaa – Serbia” në motorin e kërkimeve “Google” për të kërkuar artikuj që lidhen me deklaratën e pretenduar. Rezultatet nuk kanë gjetur artikull në ndonjë medium kredibil apo edhe përmbajtje që mund të lidhen me pretendimin në fjalë. Po ashtu edhe në faqet që tregojnë historikun e raporteve Siri-Serbi, nuk japin rezultate që mund të lidhen me pretendimet.


Çka përmbajnë postimet?

“Udhëheqësi i ri i Sirisë paralajmëroi tërheqjen e njohjes së Serbisë: Udhëheqësi dhe kryeministri i ardhshëm i Sirisë Ahmed Al Shaara, paralajmëroi se pas formimit të qeverisë, Siria do ta tërhjekë njohjen ndaj Serbisë pasi që ajo është shtet gjenocidial dhe njëkohësisht Siria do ta njohë Kosovën, deklaroi Ahmed Al Shaara për mediat vendase”, shkruan në postimin e “Lajme Nga Bota”

“Udhëheqësi i ri i Sirisë paralajmëroi shfuqizimin e njohjes së Serbisë. Udhëheqësi dhe kryeministri i Sirisë Muhammed Al Joulani, paralajmëroi se pas formimit të qeverisë, Siria do ta shfuqizojë njohjen ndaj Serbisë pasi që ajo është shtet gjenocidial dhe njëkohësisht Siria do ta njohë Kosovën, deklaroi Ahmed Al Shaara për mediat vendase”, thuhet në postimin e “Xhamitë e Shqipërisë”.

“Udhëheqësi dhe kryeministri i ardhshëm i Sirisë Ahmed Al Sharaa, paralajmëroi se pas formimit të qeverisë, Siria do ta tërhjekë njohjen ndaj Serbisë pasi që ajo është shtet gjenocidial dhe njëkohësisht Siria do ta njohë Kosovën, deklaroi Ahmed Al Shaara për mediat vendase”, thuhet në postimin e “newsalbania.al”.


Çka ka ndodhur në Siri?

Pas një kryengritjeje të shpejtë nga forca rebele në Siri, presidenti Bashar al-Assad është larguar nga shteti duke i dhënë fund drejtimit prej më shumë se 50 vjetësh të shtetit nga familja e tij (detajet: BBC)

Ahmed al-Sharaa është lideri de facto i Sirisë që nga 8 dhjetori 2024 (detajet).


Siria vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur. Që nga ardhja e Al-Sharaas ka pasur pretendime në rrjete sociale se tani kjo do të ndryshojë.

Hibrid.info ka trajtuar në disa raste pretendime që ndërlidhen me Al-Sharaan dhe Kosovën (Shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Tri faqe në Facebook kanë pretenduar se lideri i ri sirian Ahmed al-Sharaa ka paralajmëruar në deklaratë për mediat siriane tërheqjen e njohjes për Serbinë.

Hibrid.info ka kërkuar mbi këtë pretendim, në gjuhën shqipe dhe angleze, në motorin online të kërkimit “Google”, por rezultatet nuk kanë çuar në asnjë artikull me burim kredibil.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »