Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një video-material që shfaq momentin kur zyrtarë të Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat në SHBA (ICE), arrestojnë një person.
Ky video-material u publikua më 2 gusht nga llogaria me emrin “VukFeNix” me pretendimin se i arrestuari është një person i kombësisë shqiptare dhe se i njëjti ka të kaluar kriminale.
Por, cila është e vërteta?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u gjet se bëhet fjalë për një person nga Vietnami, e jo shqiptar.

Përshkrimi i video-materialit të publikuar në X, i përkthyer në shqip:
Një migrant i paligjshëm nga Shqipëria përpiqet të godasë DHS-në me një automjet për t’i shpëtuar ndalimit dhe deportimit. Autori i krimit është i njohur për policinë dhe ka dënime të shumta për posedim droge me qëllim shpërndarjeje, sulm, vjedhje dhe vjedhje me thyerje. Ai më në fund po shkon në shtëpi.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes programit të automatizuar të kërkimit, “InVID” dhe ka gjetur video-materialin autentik të publikuar në Youtube nga kanali zyrtar i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE). (këtu)
Në përshkrimin e kësaj videoje, sqarohet se personi i arrestuar është nga Vietnami.

Përshkrimi i video-materialit të publikuar në kanalin zyrtar të ICE-së:
Krimineli vietnamez Thuc Ho përplasi makinën pas tij duke u përpjekur t’i shmangej oficerëve të ICE në San Diego.
Për llogarinë “VukFeNix”
Llogaria “VukFeNix” në platformën X (ish-Twitter) është krijuar në vitin 2022 dhe ka mbi 900 ndjekës, me përmbajtje kryesisht në gjuhën angleze dhe serbe. Ajo ka një prirje pro-serbe dhe pro-ruse, dhe shpesh përmbajtjet e saj kanë mesazhe anti-perëndimore, anti-islamike dhe anti-shqiptare. Llogaria publikon video të rreme që lidhin veprime kriminale me shqiptarët, pa prova të mjaftueshme. Hibrid.info ka trajtuar në disa raste video të tilla, duke i vlerësuar varësisht nga metodologjia e vlerësimit, të cilën e përdorë (shih këtu).
Analiza
Pretendimi me anë të një video-materiali se personi që u arrestua në SHBA është shqiptar me të kaluar kriminale, është i rremë.
Hibrid.info gjeti se burimet kredibile tregojnë se ai ishte nga Vietnami.
Bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.