Sipas vlerësimit që përdor “hibrid.info”, “Satirat” janë ato materiale informative të cilat përdorin mjetet letrare, si talljen dhe ironinë, për të interpretuar zhvillimet e ndryshme që ndodhin. Kjo në vetvete nuk përbën problem, përderisa bëhet e ditur se materiali në fjalë është satirik apo publikuesi njihet si publikues satirik.
Në Kosovë, një faqe në gjuhën shqipe në Facebook, me emrin “hibrid.ks”, publikon materiale të tilla (shih këtu). Faqja në fjalë nuk qartëson në çdo publikim se bëhet fjalë për satirë, por në të dhënat e profilit e ka përshkrimin për llojin e materialit që prodhon (shih këtu).



Megjithatë, ka situata të caktuara ku ky lloj materiali merret i mirëqenë, pa marrë parasysh faktin se është satirik. Pra, në raste të tilla, nëse një tekst nuk arrin të sqarojë se bëhet fjalë për satirë, mund të kuptohet si i vërtetë dhe, si rrjedhojë, mund të krijojë opinion të gabuar tek audienca.
Hibrid.info ka trajtuar në disa raste materiale të cilave u ka dhënë vlerësimin si “Satirë” (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).



Edhe fakti që një material është i identifikuar apo i etiketuar si satirë nuk nënkupton domosdoshmërisht se ai do të kuptohet si i tillë nga audienca. Organizata për kontrollin e fakteve “Snopes”, për shembull, vëren se materialet mund të mos njihen ose kuptohen si satirë, edhe kur krijuesi i tyre i ka përshkruar në këtë mënyrë. Kjo tregon se mënyra se si audienca e percepton një material nuk varet vetëm nga qëllimi i krijuesit, por edhe nga mënyra se si materiali paraqitet dhe interpretohet nga lexuesi (shih këtu).
Pse merret një satirë si e vërtetë?
Sipas studimit “Fake News or Truth? Using Satirical Cues to Detect Potentially Misleading News” (“Lajm i rremë apo i vërtetë? Përdorimi i shenjave të satirës për identifikimin e lajmeve potencialisht mashtruese”), nga Victoria L. Rubin, Niall J. Conroy, Yimin Chen dhe Sarah Cornwell, një material satirik mund të merret si i vërtetë nga audienca, edhe pse është krijuar me qëllim që të kuptohet si shaka (shih këtu).
Kjo mund të ndodhë sepse jo të gjithë lexuesit arrijnë t’i dallojnë shenjat e humorit, ironisë, ekzagjerimit apo absurditetit në material. Po ashtu, satira informative shpesh imiton formën dhe stilin e lajmeve të zakonshme, duke e bërë atë të duket si një raportim i mirëfilltë. Autorët theksojnë se problemi mund të jetë edhe më i madh në rrjetet sociale, ku një material satirik mund të shpërndahet pa burimin ose kontekstin fillestar. Në këtë rast, lexuesi mund të mos e kuptojë se materiali është satirik dhe ta marrë atë si informacion faktik.
Por, humori mund të përdoret edhe në mënyrë të qëllimshme për të përqeshur, diskredituar ose dëmtuar imazhin e një personi, institucioni apo grupi të caktuar. Një shembull të tillë përbën ajo që është quajtur “hahaganda”.
“Hahaganda”
Një raport i NATO-s i vitit 2017, shpjegoi se si mediat ruse dhe ato pro-Kremlinit përdorin humorin për të diskredituar liderët politikë perëndimorë.
Një nga autoret e raportit, studiuesja letoneze Solvita Denisa-Liepniece, ka propozuar termin “hahaganda” për këtë formë të veçantë të dezinformimit, e cila bazohet në përqeshjen e institucioneve dhe politikanëve.
Tipari më problematik i hahagandës është se është e vështirë të kundërshtohet, pikërisht sepse përmbajtja paraqitet si humor apo shaka dhe jo si pretendim faktik. Kur dikush e kritikon ose e kundërshton një përmbajtje të tillë, krijuesi mund të mbrohet duke thënë se ajo ishte vetëm shaka dhe se nuk duhet marrë seriozisht.
Qëllimi i hahagandës nuk është që audienca të bindet për vërtetësinë e një shakaje të caktuar. Në vend të kësaj, synimi është të dëmtohet besueshmëria dhe reputacioni i një personi ose institucioni përmes përqeshjes dhe poshtërimit të vazhdueshëm (shih këtu).
Një shembull të përdorimit të përqeshjes si mjet dezinformues e paraqet EUvsDisinfo në analizën “Key Narratives in Pro-Kremlin Disinformation: ‘The Hahaganda’” (“Narrativat kryesore në dezinformimin pro-Kremlinit: ‘Hahaganda’”).
Sipas analizës, mediat pro-Kremlinit përdorin humorin, sarkazmën dhe përqeshjen për të diskredituar politikanë, institucione dhe procese demokratike. Për shembull, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është bërë vazhdimisht objekt i pretendimeve dhe materialeve përqeshëse, përmes të cilave ai paraqitet si i paaftë për të marrë vendime të pavarura, si dikush që ndjek udhëzimet e shteteve të tjera apo edhe si person që merr këshilla ushtarake nga djali i tij.
A ka raste të tilla në Kosovë?
Deri më tani, në materialet e monitoruara në Kosovë nuk janë identifikuar raste që mund të klasifikohen qartësisht si “hahaganda” në kuptimin e modelit të përshkruar në rastin rus.
Megjithatë, në Kosovë vërehet edhe përdorimi i vazhdueshëm i përmbajtjeve ironizuese, satirike dhe humoristike në kontekstin politik. Siç është vërejtur edhe në një analizë të “hibrid.info” për përdorimin e “slopagandës” në Kosovë, rrjetet sociale janë shndërruar në hapësira ku figurat politike shpesh reduktohen në personazhe të meme-ve, videove humoristike dhe përmbajtjeve të krijuara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale.
Këto materiale nuk synojnë domosdoshmërisht të përcjellin informacion faktik, por mund të shërbejnë për të prodhuar reagim emocional, përqeshje dhe diskreditim. Në raste të caktuara, kjo përmbajtje mund të përdoret në mënyrë të përsëritur për të përforcuar një perceptim negativ ndaj figurave, subjekteve apo grupeve politike që perceptohen si kundërshtarë.
Pra, humori nuk shërben vetëm si mjet argëtimi apo komentimi politik, por mund të përdoret për të krijuar dhe përforcuar një perceptim negativ ndaj kundërshtarit.
Çka duhet të kemi parasysh?
Satira dhe humori politik nuk përbëjnë në vetvete problem për debatin publik. Ato janë pjesë e natyrshme e kritikës dhe komentimit politik. Problemi shfaqet atëherë kur këto mjete përdoren në mënyrë të vazhdueshme dhe të njëanshme për të përqeshur, diskredituar dhe dëmtuar imazhin e kundërshtarëve politikë. Në këto raste, përmbajtja mund të kalojë nga satira si formë shprehjeje në një mekanizëm ndikimi mbi perceptimin e audiencës. Pikërisht kjo dinamikë, ku përqeshja e përsëritur përdoret për të dobësuar besueshmërinë e një personi apo grupi, përkon me tiparet kryesore të hahagandës. Megjithatë, për ta cilësuar një rast konkret si hahaganda, duhet të merret parasysh jo vetëm karakteri humoristik i përmbajtjes, por edhe qëllimi, përsëritja, objektivi dhe konteksti në të cilin ajo shpërndahet.