Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet artikujve në disa media është raportuar për numrin e ministrive në Qeverinë e re të Kosovës, të zgjedhur të mërkurën (11 shkurt).
Duke raportuar për rritjen e numrit të ministrive, disa media kanë shkruar se numri i ministrive ka mbërritur në 20, kurse në mandatin e shkuar Qeveria e Kosovës i ka pasur 16 ministri.
Në një rast është raportuar po ashtu se nga kabineti i ri i ministrave, 16 janë burra dhe katër gra.
E vërteta?
Pretendimi ka qenë i gabuar në shifra. Përderisa është i saktë pretendimi për rritje të numrit të ministrive, Qeveria e tretë e udhëhequr nga Albin Kurti nuk do t’i ketë 20 ministri, por 19. Nga 19 ministra, 5 do të jenë gra. Po ashtu Qeveria “Kurti 2” i ka pasur 15 ministri dhe jo 16.
Pretendimi për 20 ministri u publikua nga “gazetaexpress.com”, “indeksonline.net”, “gazetablic.com” “sinjali.com”, “gazetademos.com”, “veriu.info”, “mitrovicasot.net”.
Ndërkaq, “lajmi.net” ka raportuar se Qeveria “Kurti 3” do t’i ketë 16 ministra dhe katër ministre.
Më 11 shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës me 66 vota zgjodhi Qeverinë e re, e njohur në opinion si Qeveria “Kurti 3”. Edhe sipas ekspozesë së Albin Kurtit tek kërkonte mbështetjen në Kuvend, por edhe në vendimin e publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Kosovës, bëhet e qartë që kabineti qeveritar përbëhet nga 21 emra. Por prej tyre, 2 nuk janë ministra: Albin Kurti është kryeministër dhe Fikrim Damka zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim. Pra, Qeveria e re i ka 19 ministri.
Ndërkaq, postin e ministres e kanë marrë Donika Gërvalla, Saranda Bogujevci, Fitore Pacolli, Mimoza Kusari e Artane Rizvanolli, që tregon se është gabim edhe pretendimi për ndarjet gjinore të ministrave.
Emrat e kabinetit të ri qeveritar:
- Kryeministër Albin Kurti
- Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca;
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla;
- Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka;
- Ministër i Financave, Hekuran Murati;
- Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti;
- Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
- Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla;
- Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu;
- Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia;
- Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku;
- Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci;
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi;
- Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani;
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli;
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja;
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha;
- Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari;
- Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli;
- Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq;
- Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
–
Përderisa mediat kanë raportuar korrekt për shtimin e katër ministrive, ato kanë gabuar në pretendimin se në të kaluarën kanë qenë 16 ministri. Në qeverinë e kaluar kanë qenë 15 ministri. Nga kabineti i plotë i asaj kohe me 18 emra, Kurti ishte kryeministër, ndërsa Besnik Bislimi e Emilija Rexhepi zëvendëskryeministra me fokuse të ndara.
Kabineti i plotë i Qeverisë “Kurti 2”, i votuar më 22 mars 2021 (shih këtu):
- Kryeministër Albin Kurti;
- Zëvendëskryeministër i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi;
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika
Gërvalla;
4. Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija
Rexhepi;
- Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati;
- Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu;
- Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj;
- Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla;
- Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia;
- Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci;
- Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku;
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi;
- Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu;
- Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci;
- Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari;
- Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli;
- Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq;
- Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka.
Kabineti i ri i Qeverisë edhe në uebfaqen e Qeverisë specifikon postet e secilit, përveç Andin Hotit, i cili nuk figuron si Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. Në vend të tij, figuron emri i Blerim Sallahut si “Ushtrues i detyrës së Ministrit të Drejtësisë” (shih këtu).
Kabineti i Qeverisë së kaluar sipas uebfaqes së Qeverisë (shih këtu).
Sipas Ligjit për Qeverinë, zëvendëskryeministrat mund të marrin përgjegjësi për koordinimin e një fushe me rëndësi të veçantë dhe prioritet të lartë për Qeverinë, duke përfshirë edhe koordinimin e një fushe të politikave që është në kuadër të përgjegjësisë së disa ministrive. Po ashtu, aty theksohet se zëvendëskryeministrit mund t’i jepet mandati për një ministri, me ç’rast ai mban dy sferat e përgjegjësisë administrative të veçanta (shih këtu).
Kjo pra specifikon që një zyrtar mund të jetë zëvendëskryeministër me përgjegjësi për një çështje të caktuar, edhe pa marrë post të një ministrie të caktuar, siç ka ndodhur te zëvendëskryeministri Fikrim Damka dhe te kabineti i kaluar tek Emiljia Rexhepi.
Analiza:
Disa media kanë raportuar gabimisht se Qeveria “Kurti 3” ka 20 ministri. Po ashtu është pretenduar gabimisht edhe për ndarje gjinore të ministrave në raport 16 burra e 4 gra.
Sipas vendimit të Kuvendit dhe prezantimit, Qeveria e re i ka 19 ministri (21 anëtarë, përfshirë kryeministrin dhe një zëvendëskryeministër pa ministri të caktuar). Prej 19 posteve ministrore, 5 janë gra.
Po ashtu, është përmendur gabimisht se “Kurti 2” kishte 16 ministri e në fakt i kishte 15.
Pra, pati rritje, por shifrat për numrin dhe ndarjen gjinore ishin të pasakta.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Gabim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.



