Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një artikull nëpërmjet të cilit është pretenduar se një sondazh ka treguar se te votuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Fushë-Kosovë ka pakënaqësi për marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë.
Publikimi u bë nga “albaniannews.net” me titull: “Marrëveshja LDK–PDK trazon skenën politike në Fushë Kosovë ,sondazhi i ri tregon pakënaqësi të madhe te votuesit e PDK-së”.

Çka e bën të dyshimtë këtë përmbajtje?
Në përmbajtje të artikullit shihet se për bazë është marrë një “sondazh i publikuar” nga faqja “Fushë Kosova Portal” në Facebook.
E një pyetësor i realizuar në Facebook nga kjo faqe, nuk përmbush kushtet për t’u cilësuar si sondazh. Në Facebook në pyetësor është e lejuar mundësia që të votojë kushdo, përfshirë ata që nuk kanë të drejtë vote në komunën e Fushë-Kosovës. Po ashtu, në pyetjen e parashtruar në “sondazh”: “Për votuesit e PDK-së: A më parë e votoni LDK-në, apo VETËVENDOSJEN në balotazh?” nuk do të thotë se kanë votuar pikërisht ata që e kanë votuar PDK-në në raundin e parë të zgjedhjeve.

Por çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Bazuar në metodat shkencore mund të konstatohet se një pyetje e tillë e bërë në një faqe në Facebook nuk mund të konsiderohet sondazh dhe matje e opinionit publik për çështjen në fjalë.
Por pavarësisht se bëhet fjalë për sondazh jokredibil, “albaniannews.net” bazuar në të dhënat në Facebook ka konstatuar se “ky sondazh tregon qartë se shumica e votuesve të PDK-së në Fushë Kosovë janë kundër marrëveshjes së arritur nga udhëheqësit e partisë së tyre me LDK-në”.
E për më shumë, faqja “Fushë Kosova Portal” në Facebook, në përmbajtjet e saj gjatë fushatës zgjedhore të raundit të parë dhe postimet pasuese, ka postime që shkojnë në favorizim të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, dhe përmbajtje që kundërshtojnë kundërkandidatin nga LDK-ja, Besnik Osmani. (shih fotografitë më poshtë)
Publikimi i “albaniannews.net” u has i shpërndarë në Facebook nga faqja “Fushë Kosova – News”.
Balotazhi në Fushë-Kosovë
Në raundin e parë të 12 tetorit, sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valon Prebreza si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës ka marrë 9733 vota apo 45.15 për qind. E në raundin e dytë ai do të përballet me Besnik Osmanin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që ka marrë 36.66 për qind të votave ose 7902 vota. Rrahim Tërnava i Partisë Demokratike të Kosovës doli i treti me 16.15 për qind të votave ose 3481 vota.
Më 26 tetor LDK-ja dhe një ditë më pas PDK-ja njoftuan për arritje të marrëveshjes në këtë komunë.
Analiza:
Nëpërmjet një artikulli të publikuar nga “albaniannews.net” është pretenduar pa fakte se te votuesit e PDK-së në Fushë-Kosovë ka pakënaqësi për marrëveshjen me LDK-në për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë.
Pretendimi mori për bazë një “sondazh” nga faqja “Fushë Kosova Portal” në Facebook. Por ky “sondazh” nuk përmbush kriteret për t’u cilësuar si i tillë. Aty nuk janë përdorur metoda statistikore për të konstatuar se bëhet fjalë që vetëm votuesit e PDK-së në Fushë-Kosovë kanë marrë pjesë në matjen e pretenduar të opinionit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “dezinformatë”.
Dezinformata
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.






