info@hibrid.info
Publikohen dy sondazhe të rreme me pretendimin se janë kryer nga amerikanët
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Një llogari në TikTok ka publikuar dy sondazhe mbi mbështetjen popullore për subjektet politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Përmes përshkrimit në këto dy publikime, pretendohet se këto sondazhe janë amerikane (American Survey).

Këto dy postime u publikuan dje (26 janar) në TikTok nga llogaria “dedekt1v1”.


E vërteta?

Pas hulumtimit të kryer online, u vërtetua se të dyja këto sondazhe janë të rreme dhe të njëjtat nuk janë gjetur të publikuara në asnjë medium kredibil.


Sondazhi i parë i publikuar nga kjo llogari në TikTok, paraqet përqindjet e tri subjekteve politike në Kosovë (Lidhja Demokratike e Kosovës 45%, Partia Demokratike e Kosovës 30% dhe Lëvizja Vetëvendosje 25%).

Pas hulumtimit të kryer online përmes Google, me fjalët kyçe Lidhja Demokratike e Kosovës 45%, Partia Demokratike e Kosovës 30% dhe Lëvizja Vetëvendosje 25%, rezultatet nuk shfaqin asnjë sondazh të publikuar me këto të dhëna.

Duke përdorur programin e automatizuar “InVID”, hibrid.info ka gjetur se grafika e përdorur për këtë sondazh, është marrë e gatshme si dizajn ne ueb-faqen iconscout.com dhe të njëjtës i janë vendosur akronimet e partive politike të lartcekura. (shih fotografinë më poshtë)


Ndërsa në sondazhin tjetër të publikuar nga kjo llogari jepen të dhëna ndryshe (LDK 40%, LVV 33.3%, pdk 13.3%, AAK/NISMA 6.7% dhe të tjerë 6.7%). Në lidhje me këtë sondazh, llogaria “dedekt1v1” pretendon se të dhënat janë të përditësuara krahasuar me sondazhin paraprak.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes “Google”, me fjalët kyçe LDK 40%, LVV 33.3%, pdk 13.3%, AAK/NISMA 6.7% dhe të tjerë 6.7%, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë sondazh të publikuar me këto të dhëna.


Hibrid.info ka verifikuar mbi 20 sondazhe të rreme që kanë qarkulluar që nga muaji gusht i vitit të kaluar. (shih këtu)


Analiza:

Përmes dy sondazheve të publikuara në TikTok, pretendohet se të njëjtat janë kryer nga burim amerikan (American Survey).

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se këto dy sondazhe janë të rreme dhe se të njëjtat nuk janë gjetur të publikuar nga burime kredibile. Madje njëri nga këto sondazhe përmban një grafikë të gatshme si dizajn, marrë nga ueb-faqja iconscout.com.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto dy përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others