Përgatiti: Festim Rizanaj
Lajmet e rreme dhe dezinformatat janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.
Në media sociale, sidomos në platforma si TikTok dhe Facebook, janë publikuar një sërë lajmesh të rreme të fokusuara kryesisht në çështje politike dhe zgjedhore. Në TikTok u pretendua se Siria e ka njohur Kosovën si shtet, një informacion që rezulton i pavërtetë sipas uebfaqes së MPJ-së së Kosovës dhe burimeve të tjera kredibile. Po ashtu, janë shpërndarë sondazhe të fabrikuara që paraqisnin mbështetjen popullore ndaj partive politike, duke renditur partitë si PDK, LVV, dhe LDK, me përqindje të manipuluara. Një pretendim tjetër i rremë lidhej me liderin sirian Ahmed al-Sharaa, i cili supozohej të kishte deklaruar tërheqjen e njohjes së Serbisë nga Siria, pretendim ky që nuk u mbështet nga burime kredibile.
Dezinformatat janë publikuar kryesisht në mediat sociale, përfshirë TikTok, Facebook dhe X (ish-Twitter), dhe temat e trajtuara kanë përfshirë çështje politike dhe siguri. Në TikTok u pretendua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti fushatë në Mitrovicën e Veriut, por pas verifikimit u konfirmua se takimi ishte në Mitrovicën e Jugut. Po ashtu, një video me një helikopter duke hedhur pluhur u shpërnda si pretendim se ishte nga Shkupi, ndërsa ishte realizuar në Florida, SHBA. Në një tjetër rast, u publikua një video në TikTok që pretendonte për një orë policore në Maqedoninë e Veriut, duke përdorur materiale të vjetra nga pandemia COVID-19, gjë që rezultoi e pavërtetë. Në X, një video pretendonte se KFOR-i dhe Policia e Kosovës po përgatiteshin për operacione ushtarake kundër serbëve, por pamjet origjinale tregonin vetëm vendosjen e KFOR-it në Mitrovicë. Një tjetër pretendim i rremë, gjithashtu në TikTok, ishte se në Shkup gjatë pandemisë pacientët izoloheshin dhe më pas ekzekutoheshin, ndërsa pamjet në të vërtetë ishin nga një spital në Wuhan të Kinës.
Teoritë konspirative janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke përfshirë pretendime të pabazuara për incidente etnike në Kosovë. Një rast përfshin djegien e një objekti në Radevë, që u paraqit si akt i motivuar etnikisht nga Albin Kurti, pa ofruar prova konkrete. Një tjetër pretendim lidhet me përdhosjen e memorialit në Gorazhdec, të cilën kjo zyrë e quajti pjesë të një agjende politike, por që gjithashtu nuk mbështetej në fakte. Këto pretendime janë verifikuar si të pabazuara nga hibrid.info.
Manipulim i fakteve u vlerësua një video e publikuar më 5 janar në platformën “X” (ish-Twitter) nga llogaria “vukfenix” pretendonte se një përleshje mes burrave në Londër përfshinte emigrantë arabë dhe banditë shqiptarë të drogës. Megjithatë, pas verifikimeve nga hibrid.info, nuk u gjetën informacione zyrtare që të konfirmonin identitetin etnik të personave në video.
Përmbajtje e paverifikuar u vlerësua publikimi më 23 dhjetor 2024, nga llogaria “portali_lajmora” në TikTok. Kjo llogari publikoi një video që pretendonte të tregonte Albin Kurtin dhe Hashim Thaçin gjatë luftës së Kosovës. Pas hulumtimeve, u vërtetua se videoja datonte nga viti 1997, ndërkohë që lufta e Kosovës nisi një vit më pas, duke e bërë përmbajtjen të pavërtetë.
Clickbait/Dezinformatë u publikua në disa media shqip (9 janar) në mënyrë të gabuar për një ligj të ri në Kosovë që ndalon importin e veturave të prodhuara para vitit 2015. Hibrid.info gjeti se ky ligj ishte miratuar dhe kishte hyrë në fuqi që në vitin 2017, duke e bërë lajmin një dezinformatë të qartë.
Mashtrim u vlerësua një video e publikuar më 10 janar në Facebook nga faqja “Namazi” e cila pretendonte të tregonte zjarret që kishin përfshirë Los Anxhelosin në SHBA. Pas verifikimeve, u zbulua se pamje ishin gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale dhe nuk kishin lidhje me zjarret aktuale në Los Anxhelos.
Lajm i rremë
Nëpërmjet një publikimi në TikTok, është pretenduar se Siria e ka njohur Kosovën si shtet. “Lajmi i Fundit. Siria njeh Kosoven si shtet shum shpejt do hapet Ambasada e Kosoves ne Damask”, është mbishkrimi që llogaria “pogradeccii” i ka vënë një fotografie të liderit të ri sirian Ahmed al-Sharaa, në publikimin e bërë më 4 janar. Por bazuar në listën e njohjeve në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, kjo rezulton të jetë e pavërtetë. Një pretendim i tillë nuk u gjet as në burime të tjera kredibile e nuk ka informacion të tillë as në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sirisë. (këtu)
Është publikuar një imazh me pretendimin se paraqet një sondazh, sa i përket mbështetjes popullore ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit. Përmbajtja është publikuar në TikTok më 2 janar, nga një llogari me emrin “newsroomkosovo”. Në imazh partitë politike janë paraqitur duke u nisur nga partia me mbështetjen më të madhe, duke u renditur: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Koalicioni për familjen dhe partitë tjera. ibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, por rezultatet nuk kanë shfaqur asnjë sondazh të kohëve të fundit, që përkon me renditjen e partive politike të paraqitur në këtë sondazh të pretenduar. (këtu)
Publikohet një imazh me pretendimin se paraqet një sondazh, sa i përket mbështetjes popullore ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit. Fotografia me këtë pretendim është publikuar në TikTok më 6 janar, nga një llogari me emrin “found1k”. Përmbajtja i rendit partitë politike si vijon: Lëvizja Vetëvendosje (LVV): 60%, Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 18%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 15% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 7%. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur se një sondazh i tillë është publikuar nga burime kredibile. (këtu)
Tri faqe në Facebook kanë pretenduar se lideri i ri sirian Ahmed al-Sharaa ka paralajmëruar në deklaratë për mediat siriane tërheqjen e njohjes për Serbinë. Hibrid.info ka kërkuar mbi këtë pretendim, në gjuhën shqipe dhe angleze, në motorin online të kërkimit “Google”, por rezultatet nuk kanë çuar në asnjë artikull me burim kredibil. (këtu)
Dezinformatë
Përmes një postimi u pretendua se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbajti fushatë në Mitrovicën e Veriut. “Blindohet Mitrovica e veriut: Kryeministri Albin Kurti mban fushatë në Mitrovicen veriore, ku eskorta e kryeministrit shifet e parkuar mbi urën e ibrit, dhe numër i madh i përkrahësve e mirëpritën kryeministrin Kurti”, thuhet në përshkrimin e këtij postimi.Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se takimi u mbajt në Teatrin “Muharrem Qena”, i cili ndodhet në Mitrovicën e Jugut. (këtu)
Një video që paraqet një helikopter duke hedhur një material në formë pluhuri, po pretendohet se është realizuar në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup. Kjo përmbajtje u publikua (8 janar) në TikTok nga llogaria “joqmacedonia” me mbishkrimin “SOTË NË SHKUP”. Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, u vërtetua se kjo video qarkullon në internet së paku nga data 1 dhjetor 2024 dhe se pretendohet se e njëjta u realizua në Florida të ShBA-së. (këtu)
Publikohet një video-material brenda së cilit shfaqen imazhe të publikimeve të disa mediave në gjuhën shqipe në Facebook, ku pretendohet për orë policore në Maqedoni. Përmbajtja në fjalë është publikuar më 20 dhjetor në TikTok nga një llogari me emrin “joqmacedonia”. Pretendimi për orë policore në Maqedoninë e Veriut është i pasaktë. Video-publikimi është munduar të paraqitet si aktual duke shfrytëzuar publikime të zhvillimeve në të kaluarën (gjatë pandemisë pas COVID-19) në këtë vend. (këtu)
Përmes një videoje të shkurtër (11 sekonda) pretendohet se pamjet paraqesin Policinë e Kosovë me helikopterë dhe një kontingjent të KFOR-it. Në këtë përshkrim thuhet se “Ata janë gati të kryejnë një operacion ushtarak kundër popullatës serbe”. Kjo përmbajtje u publikua në X (ish-Twitter) në gjuhën angleze nga llogaria “Peacemaker” me datë 6 janar, 2025. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i rremë.Hibrid.info ka arritur të gjejë videon autentike të publikuar në portalin informativ në gjuhën serbe “Alternativna.com”, e që në përshkrimin e saj thuhet “KFOR-i është vendosur afër stacionit të autobusëve në Mitrovicën e Veriut”. (këtu)
Është publikuar një video që shfaq një ekip mjekësor brenda një ambienti spitalor. Në video është vendosur një mbishkrim që pretendon se pamjet tregojnë izolimin e pacientëve në Shkup, të cilët më pas supozohet se ekzekutoheshin gjatë pandemisë. Përmbajtja me pretendimin e mësipërm është publikuar në 31 dhjetor në TikTok nga një llogari me emrin “joqmacedonia”. Hibrid.info ka gjetur se pamjet shfaqin momentin e vdekjes së një pacienti në repartin e izolimit në Wuhan të Kinës. (këtu)
Teori konspirative
Një familjes serbe nga fshati Radevë (Graçanicë), me datë 1 janar i është djegur një objekt ndihmës afër shtëpisë, në të cilin kishte misër e makineri bujqësore. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me datë 2 janar në ueb-faqen e saj zyrtare ka raportuar për këtë ngjarje, me pretendimin se kjo vepër është kryer me motive etnike dhe sipas kësaj zyre, pas çdo akti dhune ndaj popullit serb në Kosovë qëndron një ideologji e urrejtjes, krijuesi dhe promotori kryesor i së cilës është Albin Kurti. Megjithatë, kjo zyrë nuk ofron asnjë fakt që mund ta mbështesë pretendimin e bërë. Ndërsa në anën tjetër, pronarja e këtij objekti, e pyetur nga policia se a dyshojnë te dikush, ajo u shpreh se askush nga familjarët nuk pa asgjë. (këtu)
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka publikuar (10 janar) një reagim për atë që e ka quajtur përdhosje të memorialit në Gorazhdec, kushtuar personave të vrarë në lumin Bistricë në vitin 2003. Kjo zyrë pretendon se përdhosja e këtij memoriali është përpjekje e re për të frikësuar serbët, duke e quajtur si agjendë politike të regjimit të Albin Kurtit. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo zyrë nuk ofron asnjë fakt që mbështet këtë pretendim. (këtu)
Manipulim i fakteve / Dezinformatë
Është publikuar një video-material që shfaq pamje të një përleshjeje të disa burrave në Londër, për të cilën pretendohet se ka ndodhur në mes emigrantëve arabë dhe banditëve të kartelit shqiptar të drogës. Përmbajtja me këtë pretendim është publikuar me 5 janar në platformën “X” (ish-Twitter), nga një llogari me emrin “vukfenix”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka informacione zyrtare për identitetin etnik të personave që shihen në video, duke u përleshur. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok është pretenduar për pamje të kryeministrit aktual Albin Kurti dhe ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë luftës së Kosovës. Publikimi u bë nga llogaria “portali_lajmora” më 23 dhjetor 2024.Përderisa videoja është me pamje jo mirë të qarta, publikuesi “portali_lajmora” në TikTok nuk ka ofruar argumente se bëhet fjalë për Kurtin.E pas verifikimit të fakteve është gjetur se videoja është realizuar në vitin 1997, ndërsa sipas të dhënave lufta në Kosovë ka nisur një vit më pas. Pra videoja s’është e kohës së luftës. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Me anë të disa publikimeve online është pretenduar se në Kosovë është miratuar apo ka hyrë në fuqi, ligji që ndalon importin e veturave të prodhuara para vitit 2015 apo më të vjetra se dhjetë vjet. Pretendimi është publikuar (9 janar) nga disa media në gjuhën shqipe me bazë në Shqipëri. Por, hibrid.info ka gjetur se ky ligj ishte miratuar në maj të vitit 2017 dhe kishte hyrë në fuqi në qershor të atij viti. (këtu)
Mashtrim
Publikohet një video-material që shfaq pamje të përhapjes së zjarrit në një territor, në mbishkrimin e së cilës pretendohet se bëhet fjalë për zjarret të cilat kanë përfshirë Los Anxhelosin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Përmbajtja është publikuar (10 janar) në Facebook nga një faqe me emrin “Namazi”. Hibrid.info ka gjetur se Los Anxhelos është i përfshirë nga përhapja e madhe e zjarreve, por pamjet e paraqitura në video janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)