[email protected]
Rishikimi i javës: Lajme të rreme për armatosjen e FSK-së, dezinformata dhe përmbajtje të paverifikuara ndërlidhur me zgjedhjen dhe efektin e Trumpit
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Lajmet e rreme janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në platforma si TikTok dhe Facebook. Një nga këto është pretendimi se vendimi i kryeministrit Albin Kurti për rritje pagash do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa dy partitë opozitare kanë paralajmëruar rritje të pagave pas zgjedhjeve të vitit 2025, gjë që u verifikua dhe u vlerësua si dezinformim. Po ashtu, janë përhapur lajme të pasakta mbi furnizimet e Ushtrisë së Kosovës me automjete dhe pajisje ushtarake nga SHBA, dhe një sistem mbrojtjeje ajrore, të cilat u verifikuan si të pabazuara në burime kredibile. Një tjetër pretendim i rremë ishte deklarata e supozuar e presidentit Joe Biden për një sulm të pretenduar ndaj ambasadores amerikane në Kosovë, e cila gjithashtu nuk u gjet e publikuar nga asnjë burim zyrtar apo kredibil.

Dezinformatatë/clickbait janë shpërndarë kryesisht në TikTok, Facebook dhe në portale online në gjuhën shqipe. Në TikTok, llogaria “ntvtelevizion” ka postuar një kronikë të kanalit televiziv “NTV” me titullin “Ushtria Serbe kthehet në Kosovë”, i cili nuk përputhet me përmbajtjen dhe ka grumbulluar mijëra shikime e pëlqime. Ndërkohë, portali “ntv.al” ka publikuar një artikull me titullin “LAJM I KEQ/ Largohen amerikanët, mbyllet baza ushtarake në Kosovë”, duke e paraqitur si fakt një deklaratë hipotetike të profesorit David Phillips për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane në rast se Donald Trump rizgjidhet president. Në Facebook, faqja “Preferenca” ka publikuar një titull alarmues për tërmete në Shqipëri, ndërsa përmbajtja e artikullit nuk mbështet pretendimet e titullit, duke e bërë atë një dezinformatë të qartë.

Disa përmbajtje të paverifikuara janë shpërndarë në rrjete sociale dhe media online, duke përhapur informacione të pasakta. Në Facebook, llogaria “Investiguesi Shkrimor” ka publikuar një pretendim të pavërtetuar për makinat e votimit në zgjedhjet amerikane, duke thënë se ato po pengojnë votuesit e Donald Trump dhe i drejtojnë automatikisht votën për Kamala Harris. “Associated Press” sqaroi se ky ishte gabim i votuesit dhe jo i makinës. Një tjetër rast është pretendimi se një fotografi e tre arinjve është shkrepur në malet e Tropojës, të cilën e shpërndau faqja “LajmiFundit.al” dhe disa përdorues, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Hibrid.info verifikoi se kjo fotografi është shkrepur në Sochi të Rusisë dhe jo në Shqipëri.

Një përmbajtje e dyshimtë është publikuar online, duke pretenduar se ofrohet subvencion për strehim për 800 njësi banimi në Kosovë. Megjithatë, mungojnë informacione të qarta mbi institucionin ose organizatën që ofron këtë subvencion, dhe burimi i postimit është i paidentifikuar dhe i dyshimtë. Kjo mungesë transparence ngre dyshime për besueshmërinë e përmbajtjes dhe qëllimin e saj, duke e bërë atë të konsiderohet si potencialisht mashtruese.

Disa dezinformata të publikuara në rrjete sociale përhapin informacione të pavërteta mbi ngjarje aktuale. Një postim nga faqja në Facebook “Gazeta Plisi” pretendon se deputeti Avdullah Hoti është i pari që futet në zyrën e Donald Trump, presidentit të ardhshëm të ShBA-së, duke shoqëruar pretendimin me një imazh të vjetër ku shihen Hoti dhe Trump në zyrën e presidencës amerikane. Hibrid.info konfirmoi se fotografia është e vjetër dhe Trump ende nuk ka nisur punën në Shtëpinë e Bardhë. Një tjetër dezinformatë e shpërndarë nga llogaria TikTok “fskkrenariajone” pretendon se ShBA do të ndihmojë Ushtrinë e Kosovës me pajisje të reja ushtarake, një lajm që rezulton të jetë i publikuar fillimisht në vitin 2018.

Një manipulim i fakteve është shpërndarë në TikTok nga llogaria “universalks”, duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 23 maj se e kap ankth kur mendon fitoren e Donald Trump. Ky pretendim u publikua më 6 nëntor, shoqëruar nga një imazh që paraqet Kurtin dhe Trump. Sipas hibrid.info, Kurti në fakt ka komentuar sesi fitorja e mundshme e Trump perceptohet në Evropë dhe nuk ka bërë deklaratë personale mbi ndonjë ndjenjë ankthi, duke e bërë kështu përmbajtjen e publikuar një manipulim të fakteve.

Clickbait u vlerësua një artikull i publikuar nga “Kosova-sot.info” me titullin “Të paktën 24 të vrarë nga shpërthimi i bombës në stacion treni”, pa specifikuar vendin e ngjarjes. Ndërsa vetëm në përmbajtje sqarohet se ngjarja ka ndodhur në Pakistan.

Lajm i rremë

Duke hulumtuar për këtë pretendimin në motorin online të kërkimit, “Google”, hibrid .info ka gjetur disa artikuj informativë të publikuar nga disa media në gjuhën shqipe, që paralajmërohet si mundësi dërgimi në Gjykatën Kushtetuese, vendimi i kryeministrit Albin Kurti për rritje pagash nga janari, përkatësisht korriku. Në këto artikuj nuk saktësohet se një gjë e tillë do të ndodhë nga opozita. Hibrid.info ka gjetur po ashtu, se dy nga partitë opozitare kanë paralajmëruar rritje të pagave në sektorin publik, në rast se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të 2025, do të jenë në krye të qeverisë. Hulumtimi më i thellë nga hibrid.info ka gjetur se Ligji i Pagave ishte dërguar në Kushtetuese, nga avokati i popullit, pas ankesave të shumta të dërguara në adresë të këtij institucioni. (këtu)

Përmes një postimi pretendohet se Ushtrisë së Kosovës do t’i vijnë edhe 250 automjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Përshkrimi mbështetet në një fotografi që paraqet automjetin e blinduar “Humvee”. Ky postim u publikua me 2 nëntor në TikTok nga llogaria “fskkrenariajone”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar lidhur me këtë pretendim, qoftë në media kredibile apo burime zyrtare. (këtu)

Përmes një fotografie që paraqet pajisjen ushtarake “KORKUT 8×8”, pretendohet se Kosova është furnizuar me këtë sistem të mbrojtjes ajrore. Ky postim u publikua (6 nëntor) në TikTok nga llogaria me emrin “fskkrenariajone”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se një pretendim i tillë nuk qëndron. Një informatë e tillë nuk është publikuar në asnjë burim kredibil. Gjithashtu, llogaria e lartcekur nuk ofron asnjë fakt që do ta mbështeste këtë pretendim. (këtu)

Është publikuar një imazh që pretendon se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), është shprehur se momenti më i keq në raport me Kosovën, ishte gjatë kohës sa ai kishte shërbyer si zv.president, kur grupe të organizuara nga Albin Kurti, kishin sulmuar ambasadoren amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Kjo përmbajtje është publikuar (8 nëntor) në një grup publik në Facebook, me emrin “Diaspora me PDK”, nga një llogari me emrin “Komente Politike”. Hibrid.info nuk ka gjetur deklarata publike të Joe Biden, në raport me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundrejt ish-ambasadores amerikane në Prishtinë. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

“Ushtria Serbe kthehet në Kosovë”, mban titullin një kronikë televizive e publikuar nga mediumi në gjuhën shqipe “NTV”, e që është shpërndarë në llogarinë “ntvtelevizion” në TikTok. Publikimi u bë më 2 nëntor dhe deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka grumbulluar mbi 50 mijë shikime e gati 800 pëlqime e afro 170 komente. Fillimisht, titulli nuk përshtatet me përmbajtjen e kronikës. Mënyra e shkruar nënkupton se bëhet fjalë për kohë të tashme dhe titulli paraqitet si fakt i kryer (mënyra dëftore, koha e tashme), por se kjo demantohet nga faktet e gjetura prej hibrid.info. (këtu)

Një opinion i një profesori amerikan, i cili flet për zgjedhjet në ShBA dhe ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, specifikisht në Kosovë, është transmetuar si punë e kryer. “LAJM I KEQ/ Largohen amerikanët, mbyllet baza ushtarake në Kosovë”, është titulli i artikullit të publikuar (5 nëntor) në portalin me përmbajtje në gjuhën shqipe, “ntv.al”. Bëhet fjalë për një deklaratë të bërë nga profesori David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, i cili kishte thënë se në rast që Trump rizgjedhet president i ShBA-së, pret që baza ushtarake amerikane në Kosovë “Bondsteel” të eliminohej gradualisht. Ndërsa, titulli i vendosur në artikullin e “ntv.al”, e bënë këtë deklaratë si fakt të kryer. (këtu)

Është pretenduar nëpërmjet një postimi në Facebook se sizmologët kanë alarmuar për tërmetet në Shqipëri e se kanë paralajmëruar rrezik. Publikimi u bë në Facebook nga faqja “Preferenca” më 2 nëntor. Pas verifikimit të fakteve, del se titulli është dezinformues. Artikulli që hapet pas klikimit në vegëz, nuk ka përmbajtje që përkon me titullin. Aty sizmologu Rrapo Ormëni ka thënë se tërmetet që janë ndier në Shqipëri gjatë tetorit janë lëkundje të zakonshme dhe se nuk paraqesin rrezik për popullatën. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Është pretenduar se makinat e votimit për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po u pengojnë votuesve të votojnë për kandidatin e Partisë Republikane, Donald Trump, dhe se vota e tyre po shkon automatikisht për kandidaten e Partisë Demokratike, Kamala Harris. Publikimi që fillimisht ka qarkulluar në gjuhën angleze, e që në gjuhën shqipe u shpërnda në Facebook nga llogaria “Investiguesi Shkrimor”, është trajtuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, që ka bërë të ditur se bëhet fjalë për gabim të votuesit dhe jo të makinës. Për më shumë votuesja në fjalë ka pranuar se ka votuar më pas për kandidatin e saj të preferuar. (këtu)

Më 5 dhe 6 nëntor u shpërnda një fotografi që shfaqte tre arinj, përmes së cilës pretendohej se e njëjta është shkrepur në malet e Tropojës, Shqipëri. Hibrid.info fillimisht këtë fotografi e gjeti të publikuar në faqen “LajmiFundit.al” në Facebook. Ndërsa e njëjta u gjet e publikuar edhe në disa faqe tjera në Facebook, në mesin e të cilave, sipas raportimeve të mediave, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo fotografi nuk është shkrepur në malet e Tropojës, por në Sochi të Rusisë. (këtu)

Mashtrim

Është publikuar një përmbajtje me anë të së cilës pretendohet se ofrohet subvencion për strehim, për 800 njësi banimi në Kosovë. Përmbajtja që pretendon se ofrohet mundësi për subvencion për strehim në Kosovë, është e dyshimtë. Mungojnë informatat se kush e ofron këtë mundësi dhe publikuesi i përmbajtjes është i dyshimtë. (këtu)

Dezinformatë

Publikohet një përmbajtje nga një faqe në Facebook, me emrin “Gazeta Plisi”, të cilës i është vendosur mbishkrimi, që pretendon se Avdullah Hoti futet i pari në zyre të Donald Trump. Ky pretendim është dhënë me anë të një imazhi të publikuar (6 nëntor) ku shihen  Donald Trump, presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Kosovës, në zyrën e presidencës së ShBA-së. Hibrid.info ka gjetur se fotografia e shfaqur është e vjetër dhe se Trump ende nuk ka nisur punën në Shtëpinë e Bardhë. (këtu)

“Amerika s’e ndalë dorën, do ta ndihmojë Ushtrinë e Kosovës edhe me ‘bisha’ të tjera”, mban përshkrimin një postim i publikuar (7 nëntor). Kjo përmbajtje u publikua në TikTok nga llogaria “fskkrenariajone”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky lajm është i vjetër, i publikuar në vitin 2018. (këtu)

Manipulim i fakteve

Publikohet një përmbajtje që pretendon se Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, më 23 maj të këtij viti, ishte deklaruar se e kap ankth vetëm kur e mendon fitoren e Trump. Ky pretendim është publikuar (6 nëntor) në TikTok nga një llogari me emrin “universalks”, me anë të një imazhi, ku shihen Kurti e Trump. Gjetjet e hibrid.info tregojnë se në fakt, Kurti ka shprehur mendimin e tij se si perceptohet në Evropë, fitorja e mundshme e Trump në zgjedhjet presidenciale. (këtu)

Clickbait

“Të paktën 24 të vrarë nga shpërthimi i bombës në stacion treni” mban titullin një artikull i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “Kosova-sot.info” të shtunën (9 nëntor). Artikulli u shpërnda me të njëjtin titull edhe në faqen e këtij mediumi në Facebook. Artikulli u ilustrua me një imazh në të cilin shkruan “LAJMI I FUNDIT”. Për dallim nga përmbajtja e artikullit që tregon se rasti ka ndodhur në Pakistan, titulli nuk e tregon vendin e ngjarjes. (këtu)

Share With Others

Translate »